1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Islamistët radikalë shkaktojnë trazira në Tunizi

dpa, afp / Esat Ahmeti20 Maj 2013

Në Tunizi kanë eskaluar tenisonet në mes të salafistëve dhe qeverisë së moderuar islamiste: si pasojë e protestave të dhunshme të ithtarëve të grupit Ansar al-Sharia u vra një dhe u plagosën shumë njerëz të tjerë.

https://p.dw.com/p/18arg
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Në përleshjet midis forcave të sigurisë dhe mbështetësve të lëvizjes Ansar al-Sharia, në Tunizi humbi jetën një person. Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme gjatë trazirave të së dielës janë plagosur rreth 20 njerëz të tjerë.

Deri te protestat erdhi pas ndalimit të një kongresi të salafistëve. Në shenjë proteste salafistët radikalë ngritën të dielën në periferi të kryeqytetit Tunis barrikada në rrugë, dogjën goma dhe hodhën gurë e kokteje molotov në drejtim të policisë. Forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës dhe plumba gome për shpërndarjen e tyre. Sipas një raporti të ministrisë së Brendshme si pasojë janë plagosur 11 pjestarë të policisë dhe tre demonstrues.

Pamje nga trazirat
Pamje nga traziratFotografi: picture alliance/AP Photo

Takimi i grupit Ansar al-Sharia i cili ishte planifikuar të mbahej në të vërtetë në qytetin Kairouan ishte ndaluar nga Ministria e Brendshme për arsye sigurie. Mbështetësit e Ansar al-Sharias janë bërë përgjegjës më parë për sulmet ndaj ambasadës amerikane si dhe kanalave televizive të cilësuara si "tepër perëndimore". Ata kishin reaguar kështu ndaj videos fyese ndaj Pejgamberit Muhamed dhe transmetimin të një filmi gjoja blasfemues. Vet në qytetin Kairouan të dielën nuk kishte trazira.

Ansar al-Sharia ka kontakte me organizata terroriste

Për numrin e islamistëve të arrestuar gjatë protestave nuk ka ende informata zyrtare. Ndërsa sipas informacioneve të agjencisë shtetërore të lajmeve TAP, të paktën 20 njerëz janë arrestuar nga organet e rendit dhe sigurisë.

Pamje nga trazirat
Pamje nga traziratFotografi: picture alliance/AP Photo

Kryeministri i Tunizisë Ali Larayedh ka deklaruar se as në të ardhmen nuk do të japë lejen për mbajtjen e kongresit të Ansar al-Sharisë. Grupi ka kontakte me organizata terrroriste prandaj në të ardhmen do të klasifikohet si një organizatë ilegale, tha ai. Shefi i këtij grupi Abou Iyadh tashmë po kërkohet nga forcat e sigurisë.Qeveria e moderuar islamike është distancuar qartë në muajt e fundit nga salafistët.

Ata refuzojnë demokracitë perëndimore dhe shohin një "rend islamist" të bazuar në ligjet islamiste (sheriat), si formën e vetme legjitime të qeverisjes dhe organizimit të jetës shoqërore.