1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Versäumnisse

11 Nëntor 2011

Ndërkohë që politikanët e Evropës janë duke u marrë me shpëtimin e Greqisë, po kthehet edhe Italia në vend kandidat për të falimentuar. Për borxhet e reja, Italia duhet të paguajë përqindje më të lartë interesi.

https://p.dw.com/p/1394i
Italia, vend kandidat falimentimi
Italia, vend kandidat falimentimiFotografi: DW

Italia e zhytur në borxhe po vihet gjithnjë e më shumë nën presion në tregjet financiare. Në fillim të javës përqindja e interesit për obligacionet shtetërore dhjetëvjeçare u ngrit për herë të parë mbi nivelin 6.5 për qind. Të hënën (07.11.2011), ajo u rrit ndjeshëm në nivelin 6,63 për qind. Në krahasim me obligacionet e qeverisë gjermane me të njëjtën kohë maturimi primi i rrezikut u ngrit në një nivel rekord prej rreth 4,78 pikë përqindjeje. Primet e larta për rast rreziku dhe të përiqndjet e larta të interesit janë shenjë e mosbesimit të madh të investitorëve.

Ekonomia italiane nuk po rritet. Vendi i cili me një prodhim ekonomik prej rreth 1,5 bilionë €, përbën ekonominë e tetë më të madhe në botë, nuk ka gjeneruar në periudhën 2000-2010 pothuajse asnjë lloj rritjeje ekonomike. Prandaj në krahasim me vendet e tjera të Evropës ajo ka rënë në vendin e fundit. Megjithatë për kohë të gjatë vendi klasifikohej si i qëndrueshëm. Edhe pse Italia ka një borxh prej pothuajse 1,9 bilionë € ose 120 për qind të prodhimit bruto të brendshëm - duke e renditur në zonën e euros e dyta, pra pas Greqisë, sa u përket borxheve, kapitali privat neto përbën 180 për qind të PBB-së. Në Gjermani dhe Francë kapitali privat përbën vetëm rreth 140 për qind të PBB-së. Afërsisht 60 përqind e obligacioneve qeveritare janë në duart e investitorëve italianë. Këto argumente flasin për një Itali të qëndrueshme. Po pse tani ky presion nga ana e tregjeve financiare?

Parlamenti italian para shtypit
Parlamenti italian para shtypitFotografi: picture alliance/dpa

Shpenzime të tepërta qeveritare

Ekonomia italiane e cila në botën e jashtme e prezantonte veten si ekonomi me stabilitet duke përhapur një imazh qetësues, e fshihte gjendjen e vërtetë të një sistemi politik ngatërruar. Në raportin e tetorit për Evropën Fondi Monetar Ndërkombëtar shkruante se Italia ka probleme të mëdha strukturore. Këto përfshijnë shpenzimet e shfrenuar të qeverisë, të cilat përdoren madje edhe në mënyrë jo shumë joefikase, dhe një sistem taksash me një barrë të madhe ndaj ekonomisë dhe një normë tatimore prej rreth 43 përqind. Tradicionalisht, pjesa e ekonomisë informale është shumë e lartë - vlerësimet shkojnë nga 18 deri 30 për qind të prodhimit ekonomik vjetor. Që prej vendosjes së kursit të këmbimit kundrejt euros në vitin 1996 Italia po humbet në mënyrë të vazhdueshme në krahasim me konkurencën ndërkombëtare. Kështu nëse dhjetë vjet më parë, pesha e eksporteve në PBB ishte rreth 30 për qind, në vitin 2005 kishte rënë me një të pestën. Ndërsa vende si Gjermania, Austria apo Holanda ishin në gjendje t'i mbanin vitet e fundit pjesët e të tyre në tregjet botërore, Italia së bashku me Francën dhe Britaninë e Madhe bën pjesë ndër vendet që në vitin 2010 kanë vazhduar të kenë humbje sa u përket pjesëve të tregut global. Dhjetë vjet më parë, Italia eksportonte më shumë mallra se sa është importonte. Sot situata është e kundërt, bilanci tregtar është negativ.

Protesta kundër Berluskonit
Protesta kundër BerluskonitFotografi: picture-alliance/dpa

Humbja e besimit

Sidomos rënia e fortë e aftësisë konkuruese është ajo që e rëndon ekonominë e Italisë, edhe pse vendi nuk është ballafaquar me ndonjë një flluskë pasurish të patundshme apo me kriza bankare. Si pasojë e humbjes së besimit vjen një përkeqësim i përforcuar nga vetë italianët i kushteve financiare. Ndryshe nga Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, borxhi publik në Itali në periudhën 2007-2011 nuk u karakterizua prej paketave stimuluese, shpëtimit të bankave apo rënies së të ardhurave tatimore, por pothuajse ekskluzivisht nga kosto rifinancimi në rritje.

Italia vuan nga një humbje e besimit të tregjeve. Vendi kishte një substancë të mjaftueshme ekonomike për t'i përballuar dhe kapërcyer deficitet e vëna në dukje nga FMN-ja. Megjithatë, reformat strukturore kanë nevojë për kohë. Në të njëjtën kohë janë urgjente rezultate të menjëhershme, sepse as Banka Qendrore Evropiane as ombrella e shpëtimit të euros nuk mund ta shpëtojnë Italinë në rast se kostot e rifinancimit vazhdojnë të rriten.

Autor: Rolf Wenkel/ Dr. Pandeli Pani

Redaktoi: Aida Cama