1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Media

Ivana Gordić Perc mori çmimin e Shoqatës së EJL

9 Korrik 2022

Në Bundestag u nda për herë të dytë çmimi i solidarizimit për gazetarë i Shoqatës së Evropën Juglindore.

https://p.dw.com/p/4DsdX
Verleihung des Journalistenpreis der SOE Gesellschaft
Manuel Sarrazin, Thomas Hacker, Ivana Gordic Perc, Josip JuratovicFotografi: Adelheid Feilcke/DW

Vitin e kaluar, fituesit e parë të çmimit të solidaritetit të Shoqatës së Evropës Juglindore ishin Una Hajdari dhe Dragan Bursaćza, për kritikat e tyre të guximshme ndaj parregullsive politike në shoqëritë e Evropës Juglindore. Këtë vit fituese ishte gazetarja Ivana Gordić Perc (në mes). Çmimi asaj iu dha për hulumtimin e saj për të nxjerrë në pah kushtet çnjerëzore në të cilat punojnë vietnamezët në fabrikën e gomave Ling Long në Zrenjanin, të Serbisë.

Kërcënim dhe shantazh

Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, të enjten në mbrëmje, 7.7.22, në ambientet e Bundestagut gjerman, u theksua rëndësia e çmimeve të tilla, të cilat përveç vlerësimit të punës gazetareske, i shërbejnë edhe sigurisë së gazetarëve.

Që ky nuk është një shqetësim i tepruar, për këtë tregon edhe indeksi i sivjetshëm i lirisë së shtypit nga organizata Reporterët pa Kufij, i cili tregon përkeqësim të kushteve të punës së gazetarëve në të gjitha vendet e rajonit – me përjashtim të Malit të Zi.

Këtë e ka përjetuar drejtpërdrejt edhe Ivana Gordić Perc, e cila shpesh është bërë pre e presioneve të shumta dhe kërcënimeve të hapura për shkak të hulumtimeve.

"E dija që ishte një ngjarje e madhe dhe se mund të dëmtonte familjen time”, tha gazetarja e Qendrës Kërkimore dhe Analitike Vojvodina.

Ajo tregoi se si u fotografua dhe si kërcënohej ajo dhe familja e saj në rrjetet sociale. Nën presion ishin edhe gazetarë të tjerë që punuan për këtë hulumtim.


Verleihung des Journalistenpreis der SOE Gesellschaft
Në mes - Ivana Gordić PercFotografi: Nenad Kreizer/DW

 

“Unë mendoj se çmime si ky rrezatojnë njëfarë optimizmi në të cilin ne si individë përpiqemi të besojmë. Çmime të tilla janë në fakt një inkurajim për gazetarët e rinj që do të angazhohen në gazetarinë investigative. Evropa duhet të ndihmojë gazetarët e rinj që janë të gatshëm të punojnë me histori të tilla”, tha për DW fituesja e këtij viti.

Shpërblimi si mbrojtje

Thomas Hacker, deputet i Partisë Liberal Demokratike (FDP) në pushtet dhe nënkryetar i SOG, shprehu shqetësimin e tij për gjendjen aktuale të lirisë së medias: "Liria e medias nuk ka qenë kurrë aq e kërcënuar sa sot. Gazetaria kritike është bërë kërcënuese për jetën”, tha ai në një intervistë për DW. Në ceremoninë e mbajtur në Bundestag, Hacker theksoi se një nga efektet anësore kryesore të çmimeve të tilla është siguria më e madhe e gazetarëve nga persekutimi dhe presioni.

"Çmime të tilla natyrisht kontribuojnë në sigurinë në vendet nga vijnë gazetarët. Dhe vetë vëmendja e Bundestagut apo Parlamentit Europian dërgon një mesazh: ne po ndjekim atë që po ndodh. Dhe vetëm ky fakt kontribuon në rritjen e sigurisë së gazetarëve sepse ne u tregojmë autoriteteve vendore atë që është e rëndësishme për ne: lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes së mendimit, dhe sigurisht kjo perceptohet edhe në vende të tjera. Dhe nëse Serbia vërtet dëshiron të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së, atëherë duhet t'i mundësojë këto të drejta. Ky është një nga kushtet kryesore”, tha Hacker.

Mbështetje nga Gjermania

Manuel Sarrazin, presidenti i SOG-së dhe që nga marsi i këtij viti i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, gjithashtu beson se përveç njohjes së punës së gazetarëve, aspekti i rritjes së sigurisë së gazetarëve - duke rritur njohjen - është gjithashtu shumë i rëndësishme.

"Qëllimi më i rëndësishëm i çmimeve të tilla është të bëjnë të njohur në Gjermani punën e dobishme të kryer nga gazetarët investigativë dhe kritikë në vendet e rajonit. Është gjithashtu e rëndësishme për ne që gazetarët, të cilët hasin në rezistencë dhe pengesa të forta në punën e tyre të përditshme, të shohin se puna e tyre nuk është e kotë dhe se ajo perceptohet këtu në Gjermani dhe se kanë mbështetje. Gjithashtu mesazhi ynë është që ata të na informojnë dhe të jenë të vetëdijshëm se vetë fakti që perceptohen mund të kontribuojë në mbrojtjen e tyre”, tha Sarrazin për DW.

Në ceremoninë e dhënies së çmimit për gazetaret nga Serbia mungonin përfaqësues të Ambasadës Serbe në Berlin, ndonëse, sipas SOG-së, ata ishin të ftuar.