1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ivanoviç: KFOR po rrezikon të bëhet i padëshërueshëm për njerëzit në veri të Kosovës

17 Tetor 2011

Intervistë me sekretarin shtetëror në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç.

https://p.dw.com/p/12tQm
Oliver Ivanoviç, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë.
Oliver Ivanoviç, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë.Fotografi: DW

DW: Zoti Ivanoviç, komandanti i KFOR-it gjenerali gjerman Erhard Drews, u ka dhënë afat serbëve në veri të Kosovës deri nesër që të largojnë barrikadat nga rrugët, si e cilësoni ju këtë ultimatum të KFOR-it.

Ivanoviç: Unë mendoj se komandanti i KFOR-it është dhe ka qenë shumë i kujdesshëm sesa po krijohet përshtypja e parë pas këtij ultimatumi. Ai po provon që të largojë barrikadat, por serbët nuk do t'i largojnë barrikadat. Në një përplasje të mundshme ndërmjet KFOR-it dhe serbëve, forcat paqeruajtëse të KFOR-it nuk janë dhe nuk do të jenë në një pozicion të mirë. Ka më shumë serbë që dëshirojnë të jenë të qetë dhe që nuk dëshirojnë të përdorin armë apo dhunë dhe për këtë arsye mendoj se KFOR-i nuk është në një pozicion të favorshëm që të ndërmarrë ndonjë aksion.

DW: KFOR-i thotë se ka mandat që të lirojë rrugët në veri në mënyrë që të zhvillohet qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave. Cili është mendimi juaj?

Ivanoviç: Kjo nuk është çështje e lirisë së lëvizjes por është pak me e komplikuar. Ky është një problem kryekëput politik ku KFOR-i merr vetëm një anë dhe me këtë të bëjë të mundur që doganat e Kosovës të funksionojnë në pikën 1 dhe 31. Kjo do të jetë shumë keq për imazhin e KFOR-it dhe me ketë KFOR-i po rrezikon që mos të jetë më i mirëpritur te njerëzit në veri. Por, jo vetëm KFOR-i, por edhe çdo mision ndërkombëtar në Kosovë nuk do të ketë sukses nëse nuk krijon marrëdhënie të mira me popullatën lokale. Prandaj në këtë linjë, ata po bëjnë një punë politike, që nuk është në favor të serbëve të Kosovës.

DW: Qeveria në Beograd thotë se çështja e veriut duhet të zgjidhet në dialogun Kosovë-Serbi. Nga ana tjetër qeveria e Kosovës e kundërshton këtë. Atëherë, sipas jush cila mund të jetë zgjidhja?

Ivanoviç: Nëse qeveria e Kosovës bëhet e vetëdijshme se komuniteti ndërkombëtar nuk do të bëjë punët e pista për të, atëherë në këtë rast qeveria e Kosovës do të ndërrojë mendje.

DW: Cila është porosia e qeverisë në Beograd për serbët e Kosovës. Të qëndrojnë në barrikada apo t'i largojnë ato nga rrugët?

Ivanoviç: Ne nuk jemi ata që mund t'u themi serbëve të Kosovës se çfarë duhet të bëjnë. Ata kanë udhëheqësit e tyre të zgjedhur. Njerëzit që udhëheqin serbët në komunat veriore të Kosovës, ata janë të zgjedhur dhe jo të emëruar. Në këtë linjë ata kanë një lloj lirie në vendimet e tyre, prandaj qeveria në Beograd mbështet serbët e veriut në atë çfarë ata dëshirojnë të bëjnë.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani