1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jahjaga apel liderëve në Kosovë: ”Uluni së bashku e gjeni zgjidhje”

Bekim Shehu6 Nëntor 2014

Krahas presidentes Jahjaga, edhe ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, u bëri thirrje liderëve politikë që t’i përgjigjen thirrjes së presidentes, e të japin të gjithë nga pak për të zgjidhur situatën.

https://p.dw.com/p/1DiQh
Fotografi: DW/B. Shehu

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u bëri thirrje liderëve të politikës në Kosovë, që të ulen në një takim të përbashkët dhe të gjejnë zgjidhje të pranueshme për ndërtimin e institucioneve. Zëdhënësi i presidentes së Kosovës Arbër Vllahiu, i tha Deutsche Welle-s se me rëndësi është zgjidhja e ngërçit politik dhe jo zgjedhjet. ”Ka ardhur koha që liderët e partive politike parlamentare të ulen në një takim të përbashkët. Dhe ka ardhur koha që së bashku të gjejnë zgjidhjen e pranueshme për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale. Zgjidhja është me rëndësi, jo zgjedhjet, sepse tashmë Kosova ka hyrë në një krizë financiare dhe këtë po e ndjejnë posaçërisht qytetarët e vendit, dhe punëtorët e ndërmarrjeve të ndryshme”, tha Arbër Vllahiu.

Atifete Jahjaga Hashim Thaci 18.04.2014
Fotografi: DW/B. Shehu

Palët nuk lëvizin nga pozicionet e tyre

Një ditë më parë të dy kampet politike, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në njërën anë dhe koalicioni pas-zgjedhor, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, (L-VAN), në anën tjetër ri-konfirmuan edhe njëherë qëndrimet e tyre se nuk e kanë ndërmend të lëvizin nga pozicionet e tyre fillestare që nga mbajtja e zgjedhjeve tash e pesë muaj. PDK, pas mbledhjes së këshillit drejtues të saj që e mbajti me datën 05.11, u shpreh qartë se pa marrëveshje me këtë parti nuk mund të krijohen institucionet e Kosovës. Përfaqësues të koalicionit L-VAN, ndërkaq, thonë se ata do të formojnë institucionet pa PDK-në, sepse e kanë shumicën parlamentare.

Duke e parë këtë qëndrim të L-VAN, kryetari i partisë Demokratike të Kosovës (PDK) njëherësh kryeministër në detyrë, Hashim Thaçi, tha se nëse nuk ka marrëveshje, vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja. “Nuk mund të krijohen institucione të reja në asnjë rrethanë pa përfshirjen e PDK-së, jo pse kjo është dëshirë e jona, por ky është vullneti i qytetarëve. PDK nuk do të lejojë askënd që të luajë me vullnetin e qytetarëve, dhe e dyta, nëse për çfarëdo arsye, forcat politike që po pengojnë krijimin e institucioneve nuk e kuptojnë këtë realitet politik dhe nëse vazhdojnë me tekat dhe inatet e vjetra, atëherë rrugëdalja e vetme mbetet ftesa për zgjedhje të jashtëzakonshme” u shpreh Hashim Thaçi.

Isa Mustafa, kosovarischer Politiker der Demokratischen Liga des Kosovo
Fotografi: DW/ E. Ahmeti

Blloku opozitar reagon kundër PDK-së

Nuk ka vonuar reagimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, pjesë e koalicionit L-VAN, i cili thotë se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, sepse koalicioni ka shumicën parlamentare. “Kuvendi duhet të zhbllokohet nga mbajtja peng e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, duhet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Qeverinë do ta zgjedhë ai grupim që ka shumicën e votave, që është i gatshëm të sigurojë zhvillim, përfshirje të komuniteteve, luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe partneritet evropian. Kushtetuta do të respektohet, do të veprohet edhe sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por një gjë është e qartë se Qeveria e këtij vendi zgjidhet me votat e shumicës së deputetëve dhe jo sipas renditjes të subjekteve politike nga zgjedhjet nacionale” ka thënë Isa Mustafa.

Një ditë pas këtyre qëndrimeve të ngurta të dy liderëve të dy partive më të mëdha politike në Kosovë, ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, kritikoi ashpër liderët e partive politike pa përjashtim për vonesa në krijimin e institucioneve. Ajo u bëri thirrje atyre që t'i përgjigjen thirrjes së presidentes, që të komunikojnë, të japin të gjithë nga pak dhe të gjejnë një zgjidhje. “Jam shumë e pakënaqur siç besoj jeni edhe ju me rrjedhën tepër të ngadalshme të formimit të institucioneve. Kjo vetëm sa po hap rrugë për zhvillimin e korrupsionit, ngecjen ekonomike dhe për më tepër, pagat janë të rrezikuara”, u shpreh ambasadorja Jacobson gjatë një debati me qytetarët të organizuar nga një organizatë joqeveritare “Lëvizja Fol”.

Ambasadorja Jacobson, tërhoqi vërejtjen se bashkësia ndërkombëtare po e humb interesin për Kosovën duke e parë sipas saj që liderët politikë nuk janë të interesuar që të ndërtojnë institucionet e reja. Ajo përjashtoi mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndërhyjnë për të zgjidhur krizën aktuale politike në Kosovë.