1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portret i Gerard Chakmakjian

Arben Muka20 Qershor 2015

Gerard Chakmakjian - njëri nga të rinjtë që vrau frikën e u fut në territorin e ambasadës gjermane në 2 korrik 1990. Ai e ka të pashlyer kujtimin e ardhjes në Gjermani e ndjesinë e të qënit në një vend me shanse.

https://p.dw.com/p/1Fk8t
Albanien
Gerard ChakmakjianFotografi: DW/Arben Muka

Gerardi ishte 20 vjeçar në verën e vitit 1990. Student në vitin e parë të fakultetit të Gjeologji-Minierave në Tiranë, ai ndjehej i mbushur me adrenalinë dhe me bindjen se gjërat kishin “marrë udhë” edhe në Shqipërinë e izoluar komuniste. Zhvillimet e shpejta në ish-Bllokun Lindor kishin bërë tërë “sy e veshë” dhe shqiptarët, pasi pakënaqësia popullor vlonte. Gerardi ishte rritur në kryeqytet, në një familje me origjinë armene, por për shkak se nga i ati dhe e ëma kishte të trashëguar tituj pronësie, kjo për atë periudhë absurde përbënte një “thumb” në biografi, që ushqente një mendim jo të mirë të autoriteteve për Chakmakjian-ët.

Pasditen e 2 korrikut 1990 ai ishte jo rastësisht në afërsi të Bllokut të ambasadave perëndimore, në afërsi të qendrës së Tiranës, ku kishte grumbullime masive të qytetarëve. Megjithë shtimin e forcave të sigurisë dhe të agjentëve të veshur civilë, të cilët ushtronin presion për shpërndarjen e njerëzve, pjesa më e madhe e tyre gjente shkak për t'u afruar më shumë hyrjeve dhe mureve rrethuese të selive diplomatike.

Albanien Deutschland Botschaft in Tirana 1990 Flüchtlinge
Refugjatët në ambasadën gjermane, korrik 1990Fotografi: Platiel

“Kishte dhe kureshtarë, por ne gjendeshim aty me një qëllim. Nuk them se kishim bindje të qartë, pasi situata ishte e mjegullt dhe e tensionuar. Lajmet në formën e thashethemeve kalonin me shpejtësi. Disa thonin që do të hapeshin ambasadat për të pritur ata që dëshironin të ikin në perëndim. Të tjerë flisnin për rrezik, madje për rrezik me kokë, sepse policia mund të bënte reprezalje tek kundërshtarët e regjimit dhe ata që nuk do të bindeshin urdhërave të saj. Unë e mbaj mend që numri i njerëzve rritej çdo minutë. Kur mësuam për çarjen e murit të pasëm të ambasadës gjermane me një skodë morrëm zemër dhe u afruam më afër. Rreshti i policëve na u duk si liliput dhe inekzistent, pasi dhe ata e kuptonin se njerëzit nuk mund të ndaleshin. Të shtënat në ajër, efekti i armëve të zjarrit, vetëm pak metra me tutje, nuk ndikonin te njerëzit e paarmatosur, por të vendosur për sakrificë ekstreme, duke mos bërë asnjë hap prapa."

Gerardi kujton se si së bashku me shok të fëmijërisë, Tan Berberin, po ashtu nga një familje shumë e persekutuar dhe e përndjekur politikisht nga regjimi i Enver Hoxhës, arritën të depërtojmë brenda territorit të Ambasadës. "Edhe sot e kam në mëndje emocionin e atyre momenteve: ishim në një realitet tjetër, kishim prekur ëndrrën. Jo vetëm ëndrrën tonë, por dhe të familjarëve, shokëve dhe miqve. Megjithëse në territorin e një ambasade ne morëm mesazhe kërcënuese nga jashtë, që dhe me forcë do të na nxirrnin prej andej. Por nga personeli i ambasadës, veç kujdesit maksimal për secilin, na u dha garancia se askush nuk do të prekej nga forcat policore dhe agjentët e fshehtë të regjimit që ndodheshin disa metra më tutje”.

Albanien Deutschland Botschaft in Tirana 1990 Flüchtlinge
Gerardi u fut bashkë me një shok të fëmijërisë në ambasadën gjermaneFotografi: Platiel

Gjermania, hapësirë e shanseve konkrete

E pashlyeshme është për Gerardi mbërritja në Gjermani, vështirësitë e familjarizimit në një hapësirë të paimagjinueshme. Anglishtja ishte shpëtimtare në javët e para, por gjuha gjermane bëhej e domosdoshme për integrimin social, ekonomik dhe kulturor. “Trajtimi i autoriteteve gjermane ishte me vëmendje maksimale për secilin nga ne, duke na strehuar në banesa, duke na akorduar të ardhura bazike për jetesë, por dhe duke na ofruar që në momentet e para kurset e gjermanishtes, sipas nivelit që gjithësecili dëshironte të ndiqte. Mësimi i gjuhës na hap shteg për t'u angazhuar me punë. Fillimisht provova picerinë. Ditën e kisha shumë të ngarkuar, deri dhe 15 orë isha i angazhuar. Dilemat, pasiguritë, pikëpyetjet për të ardhmen sfumoheshin në atë mënyrë jetese. Pas vitit të parë provova ndjesinë e të qënit në një hapësirë për shanse konkrete. Mund të punoja, mund të studioja në universitet, për të rigjetur veten pas ndërprerjes së studimeve në Tiranë. Ishim të rinj dhe plot energji dhe na mundonte ‘kapja e kohës së humbur', ndaj dhe duhej të bënim shumë gjëra njëherësh”.

Në vitin 1994 Gerardi zhvendoset në Këln, ku kreu një vit studimesh parauniversitare për konvertim të diplomës, gjë që i hapi rrugë ndjekjes së Universitetit po në Këln. Përzgjedhja e degës gjermanistikë, etnologji dhe filozofi ishte sfida e parë reale e jetës. “Kisha krijuar familje, isha bërë dhe me djalë, rrethanë kjo që nuk më lejonte të shkëputesha nga puna. Vijimi i degës që e kisha zgjedhur me aq dëshirë m'u bë i pamundur, ndaj vendosa të ndryshoj orinetimin e studimeve. Kisha mësuar se në Gjermani sistemi arsimor profesional dual ishte mjaft perfekt dhe i dobishëm për të rinjtë gjermanë. Kështu u pa ngurim u regjistrova në një shkollë 3 vjeçare për Administrim Biznesi. Regjimi që kanë shkollat duale gjermane, që alternojnë programin e mësimit me atë të praktikës, më ndihmoi që menjëherë pas diplomimit të filloja punë në një kompani të prodhimit të saraçineskave për industrinë e rëndë.

Albanien Land und Leute Kafe in Tirana
Fotografi: Mimoza Dhima

Transferimi i eksperiencës gjermane në Shqipëri

Gerardi tregon për Deutsche Welle-n se pas vitit 2002 nisi të mendojë edhe mundësinë e kthimit në Shqipëri. Ishte për një zgjedhje ndërmjetëse, që të angazhohej në të dy vendet, të transferonte përvojën e grumbulluar për më shumë se një dekadë në vendlindje. “Im atë në Tiranë kishte përparuar me një biznes në fushën e mjeteve mësimore dhe didaktike për shkollat. Unë me njohjet dhe kontaktet në Gjermani arrita të siguroj furnitorë seriozë dhe cilësore. Kjo kënaqi më shumë dhe klientët në Shqipëri pasi u rrit ndjeshëm cilësia dhe standardi i mallrave dhe shërbimit. Nga ana tjetër, një ndërtesë të hershme, në mes të Tiranës, pronë e familjes, vendosëm ta rikosntruktojmë dhe ta kthejmë në hotel. Këto dy fronte pune ishin argumente të mjafta për zgjedhjen e bërë, që të jetoja mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Në hotelin që bashkëmenaxhoj kemi si bujtës të huaj më shumë nga Gjermania, por dhe nga vende të tjera. Përvoja dhe eksperienca në Gjermani ka ndikuar fuqishëm që ta shoh me kujdes këtë biznes, duke synuar tregues të qëndrueshëm në shërbimin ndaj klientëve dhe për këtë ne jemi vlerësuar dhe nga institucione ndërkombëtare. Në partneritet me Dhomën Gjermane të Tregëtisë në Shqipëri ne përpiqemi të jemi aktivë, duke nxitur bashkëpunimin mes dy vendeve në biznes. Sa më shumë gjermanë të vijnë për investime në Shqipëri aq më i sigurtë është transformimi ekonomik i vendit, duke u bërë dhe atraktivë për sipërmarrës nga vende të tjera të zhvilluara”.

Gerardi nuk e fsheh faktin që aktiviteti rreth dy dekada e gjysmë pas vendimit për të hyrë në ambasadën gjermane më 2 korrik 1990 ja ka vlejtur për atë personalisht, por dhe familjen. “Megjithëse të lindur në Këln, fëmijët e mi, djali 20 vjeçar dhe vajza 4 vjet më e vogël, udhëtojnë me kënaqësi për në Shqipëri, flasin perfekt shqip dhe kanë shumë shokë e miq. Ata le të vendosin vetë se ku do të jetojnë dhe punojnë. Për këtë jam realisht krenar. Para 25 viteve hyrja në Ambasadën e Gjermanisë këtë dhuratë më dha dhe mua: të jem i lirë, të zgjedh atë ofertë ku ndjehesha më mirë. Ndaj dhe jam me fat që ndoqa ëndrrën gjermane, për të qenë i lirë”.