1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260509 interview john ecri-bericht deutschland

27 Maj 2009

Intervistë me prof. Barbara John, ish e ngarkuara e senatit të Berlinit me çështjet e të huajve dhe tani anëtare e ECRI-t në Strasburg në lidhjet me raportin për Gjermaninë.

https://p.dw.com/p/HyRe
Barbara John
Barbara JohnFotografi: Presse

Komisioni i Këshillit të Evropës kundër racizmit dhe mostolerancës (ECRI) në raportin e botuar të martën në Strasburg i bën thirrje Gjermanisë që të veprojë më me vendosmëri kundër racizimit, armiqësisë kundër të huajve dhe antisemitizmit.

Zonja John, në raportin e ECRI-it i bëhet thirrje Gjermanisë që të veprojë më fuqishëm kundër racizmit, armiqësisë ndaj të huajve dhe antisemitizmit. Çfarë mendohet më saktë me këtë?

John: "Thirrja ka të bëjë me atë që këtu të krijohet një gjendje ku nuk do të ketë fare sulme ndaj njerëzve që shihen si të huaj apo janë të huaj, kjo nuk ka rëndësi. Natyrisht që kjo është gjendja ideale e një shoqërie për të cilën ne të gjithë përpiqemi. Çdo hap në këtë drejtim është i rëndësishëm kështu që kjo është një thirrje e cila nuk i drejtohet vetëm Gjermanisë, por edhe të gjitha vendeve tjera sepse nuk ka asnjë vend ku s'ka fare të tilla raste. Por njeriu duhet të ndikojë atje ku mban vetë përgjegjësinë dhe kjo për mua është Gjermania".

Në raport thuhet se në jetën e përditshme në Gjermani diskrimohen edhe myslimanët, turqit, njerëzit me ngjyrë, sintët dhe romët. Si janë mbledhur të dhënat për të dalë në këto përfundime?

John: Të dhënat e ECRI-t nxirren nga një komision i vogël. Unë personalisht nuk jam pjesë e këtij komisioni pasi unë përfaqësoj vendin tim në këtë komision, por janë kolegë dhe kolege nga vendet tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës. Ata kanë qëndruar mbi një javë në Berlin dhe kanë biseduar edhe me ministritë por edhe me organizatat joqeveritare. Pastaj ata i shkruajnë përshtypjet e tyre, ligjet dhe masat e ndërmarra. Dhe në këtë mënyrë fitohet një pasqyrë për aspektet e ndryshme. Shenjat nëse ka ende diskriminim, shpesh transmetohen nga vetë grupet e prekura, siç p.sh. shoqatat turke, ngaqë ato janë vetë objekt diskriminimit. Ne kemi në Berlin zyrën kundër diskriminimit (ADB), një qendër shumë e madhe, të cilën e kam ngritur vetë gjatë kohës sa kam qenë e ngarkuara për çështjet e të huajve. Kjo qendër e di se diçka e tillë ndodh dhe e di se çfarë duhet bërë kundër kësaj. Kështu që aty mblidhen të dhënat të cilat më vonë botohen në këtë raport".

Si paraqitet gjendja në vendet e tjera evropiane?

John: "Në shumë vende të Evropës Perëndimore, madje në të vërtetë në të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës, janë bërë përparime edhe pse nganjëherë të vogla. Por kemi edhe ngecje në vend si përshembull gjendja në Rumani e pjesërisht edhe në Sllovaki, ku ka grupe të mëdha romësh të cilat jetojnë tërsisht të izoluara, në varfëri ekstreme, të cilëve u duhet të jetojnë me pak të holla, apo ku fëmijët dërgohen në shkolla të posaçme pa pasur mundësi që të arsimohen. Në këto vende gjendja pritet të përmirësohet për shkak se Këshilli i Evropës, sidomos nëse kemi të bëjmë me vende anëtare të BE-së, u vendos kushte dhe thotë se duhet të miratohen këto apo ato ligje, përndryshe nuk mund të jeni pjesë e jona. Por ju e dini, shpesh ligjet janë vetëm në letër dhe realiteti është krejt ndryshe. Pra janë bërë hapa të vegjël por ka edhe shumë punë në veçanti në vendet e Evropës Juglindore por edhe në vende si Italia, e cila ka menduar hapur që romët e ardhur nga Rumania thjesht t'i dëbojë dhe t'i diskriminojë".

Autor: Banu Ertek/Esat Ahmeti
Redaktoi: Pandeli Pani