1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Judah: Kosova dhe Serbia janë si dy të burgosur që janë lidhur me një palë pranga

28 Korrik 2011

Obsesioni i Breivik për Ballkanin, analisti Tim Judah shpjegon përfshirjen e shqiptarëve në mendjen e vrasësit nordik. Gazetari britanik gjithashtu flet për tensionet e fundit mes kosovarëve dhe serbëve në Kosovë.

https://p.dw.com/p/125SN
Mikro 60%
Fotografi: DW 60

Në një kapitull të dokumentit të tij, autori i masakrës së Norvegjisë që solli 96 viktima thotë se kur Evropa të pastrohet nga myslimanët, Shqipëria është projektuar si një zonë tranziti për Ballkanin. Pas kësaj, harta lokale do rivizatohet tërësisht. Ai bën referencë edhe ndaj gazetarit Judah, që jep pikëpamjen e tij mbi çështjen. Tim Judah në intervistën online për Deutsche Welle-n duke folur edhe për tensionet mes kosovarëve dhe serbëve, që ditët e fundit kanë shkaktuar edhe një të vdekur, nënvizon, se, Kosova dhe Serbia do të përjetojnë një bashkëjetesë të ngjashme si dikur mes dy Gjermanive.

Deutsche Welle: Në mënyrë surprizë, ju e patë emrin në dokumentin e një vrasësi, në “Bilblën” e autorit të tragjedisë në Norvegji. Çfarë përshtypje Ju bën, që jeni referuar edhe nga një personazh kontrovers si Anders Breivik?

Judah: Kur e dëgjova për herë të parë këtë, u alarmova shumë, për shkak edhe të përmasave të masakrës së Norvegjisë. Më pas e kuptova se ishte thjesht një referencë që ai bënte në lidhje me një kritikë timen për një libër. Dokumenti i vrasësit është më shumë se 1500 faqe kështu që medoemos duhet të kishte qindra referenca. Kështu, u lehtësova disi që çfarëdo që kisha bërë, nuk kishte pasur aspak impakt në tragjedi. Ai shkruan që unë jam një historian, gjë që unë nuk jam. Ai e bën një fakt të kryer, një qëndrim timin mbi historinë mes Kosovës dhe Serbisë në 1690, gjë të cilën unë nuk e kam thënë.

Deutsche Welle: Si mund ta shpjegoni ju, obsesionin për Ballkanin, të autorit të masakrës së Norvegjisë. Sa shumë ka influencuar propaganda më e keqe serbe, në “rritjen” e këtij vrasësi?

Judah: Mendoj se mes grupeve të djathta ekstreme në Evropë, dhe aktualisht edhe në grupet e majta ekstreme, ka shumë admirim për idetë dhe aksionet e nacionalistëve serbë. Në këtë rast, ideja e Breivik, ishte që Europa ishte duke u pushtuar nga myslimanët dhe se Kosova e Bosnja ishin fronti i parë i këtij konflikti. Sidoqoftë, Ballkani është vetëm një pjesë e inspirimit të Breivik. Në shumë mënyra, vrasësi norvegjez inspirohet nga Vidkun Quisling, bashkëpunëtori nazist dhe lideri i Norvegjisë gjatë Luftës së Dytë Botërore në 1930, dhe këtu Breivik zhvillon teorinë e tij të quajtur universalizëm.

Deutsche Welle: Pse Breivik përdor fjalë të ashpra kundrejt shqiptarëve, që sipas tij, tentojnë të pushtojnë demografikisht territoret? Sa shumë ka influencuar roli i ushtrisë norvegjeze në luftën e Kosovës, në shtimin e urrjetjes së Breivik kundër myslimanëve?

Judah: Breivik ka marrë ide që janë dominojnë në Serbi por edhe në vende të tjera, ku shumë besojnë se myslimanët synojnë pushtimin demografik të Evropës. Këto ide unë i kam dëgjuar nga Franca në Rusi, por, meqenëse Kosova dhe Shqipëria janë në fakt, vendet e vetme në Evropë me shumicë myslimane, nuk është surprizë, që autori i masakrës është fokusuar në to. Ai shkruan gjithashtu se pjesëmarrja e ushtrisë norvegjeze në fushatën e bombardimeve të NATO-s ishte vendimtare në karakterin e tij, sepse Serbia sipas tij, nuk u lejua që të ushtrojë të drejtën për të kthyer myslimanët shqiptarë në Shqipëri. Në fantazitë e tij të mëvonshme, ai parashikon që Kosova do t'i rikthehet Serbisë, 20% e Shqipërisë do t'i jepet Greqisë, 20% Malit të Zi, dhe pjesa e mbetur për të krishterët shqiptarë dhe atyre të krishterëve që vijnë nga Lindja e Mesme.

Deutsche Welle: Sa shumë do të ndikojë kjo ngjarje tragjike në historinë e Evropës, që të rrisë nivelin e ekstremizmit kundër myslimanëve, dhe ndoshta për të shtuar tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve, siç kemi parë së fundmi?

Judah: Nuk mendoj se ajo që ndodhi në Norvegji, dotë ketë ndonjë impakt në Ballkan. Unë vetë, nuk mendoj se kjo do të kontribuojë në intolerancën kundër myslimanëve në Evropë, dhe për të shtuar njerëzit si Breivik. Ndoshta do të nisnim të mendonim ndryshe, nëse Anders Breivik do të kishte masakruar myslimanë, të cilët më pas do të përgjigjeshin, por ajo që bëri ai, ishte e çmendur. Është njësoj si terroristët islamikë në Pakistan, masakrojnë shumë bashkëkombas si hakmarrje për vdekjen e Bin Laden.

Deutsche Welle: Në dëshminë e tij. Breivik flet edhe për grupe të tjera ekstreme, që janë aktive dhe planifikojnë masakra si ajo në Norvegji.? Si mendoni se është niveli i sigurisë në Evropë dhe si mund të evitohen sulme të tilla nga njerëz aspak të dyshimtë si Anders Breivik?

Judah: Ndoshta unë nuk jam shumë kompetent të flas për nivelin e sigurisë por mendoj se ky njeri shpenzoi shumë vjet për të planifikuar ngjarjen. Ai shkoi deri aty sa të blinte një fermë, të cilën mund ta përdorte për të fshehur materialet eksplozive. Ai nuk bëri asgjë jo ligjore deri në momentin që vrau. Pra ishte jashtë radarit të inteligjencës. Unë pres që tani të ketë më shumë fokusim në këtë tip njeriu, dhe inteligjenca e mirë, është mënyra e vetme për të ndalur këto sulme.

Deutsche Welle: Si mendoni se do të zgjidhet konflikti mes Kosovës dhe Shqipërisë në dekadën e ardhshme? Ka ndonjë diçka që premton pasi siç e shohim Kosova është “çelësi” i Serbisë, për hyrjen në BE?

Judah: Unë nuk mendoj se do të zgjidhet konflikti mes Kosovës e Serbisë në 10 vitet e ardhshme. Serbia do ta donte shumë këtë, edhe në rast se do të duhej të ndante Kosovën apo të shkëmbente territore. Por edhe nëse liderët kryesorë do të donin ta bënin këtë, nuk mendoj se do të lejoheshin ta bënin pasi do të kishte efekt edhe mbi Bosnjen dhe Maqedoninë. Kështu, unë pres një lloj versioni bashkëjetese si mes dy Gjermanive, gjatë Luftës së Ftohtë. Jo e njëjtë por diçka e ngjashme. Në fund të fundit, Kosova dhe Serbia janë si dy të burgosur që janë lidhur me një palë pranga. Kosova nuk mund të futet në OKB pa miratimin e Serbisë, dhe vetë Serbia nuk mund të futet në BE, pa zgjidhur çështjen e Kosovës.

Autor: Aurel Boriçi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora