1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Julia Timoshenko së shpejti në Berlin?

Nikita Jolkver/Lindita Arapi6 Shtator 2013

Ish-kryeministrja ukrainase e burgosur, Julia Timoshenko, në gjendje të rënduar shëndetësore mund të trajtohet në Berlin.

https://p.dw.com/p/19d2K
Julia TimoschenkoFotografi: picture-alliance/dpa

Në Berlin kanë nisur spekulimet, nëse ish-kryeministrja ukrainase, Julia Timoshenko, aktualisht e burgosur do të vijë për trajtim mjekësor në kryeqytetin gjerman. Deutsche Welle ka mësuar nga qarqet mjekësore se në klinikën universitare Charite në Berlin-Tegel në një qendër të posaçme ku trajtohen shumë figura të njohura, po përgatitet një dhomë pacientësh për ish-kryeministren.

Disa media të huaja madje përmendin edhe datën e ardhjes së Timoshenkos. Kështu për shembull gazeta polake, Wyborcza shkruan në faqen online para pak ditësh se Timoshenko do të mbërrijë në 15 shtator në Berlin. Edhe ish-presidenti polak, Aleksandar Kvasnievski, merr përsipër të bëjë prognoza. Radios Polski ai i tha se "Timoshenko do të udhëtojë jashtë Ukrainës deri në fund të shtatorit. "Ndërsa burimet e Deutsche Welles- nuk përmendin ndonjë datë.

Ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Ukrainës, Guido Westerwelle dhe Leonid Koshara
Ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Ukrainës, Guido Westerwelle dhe Leonid KosharaFotografi: DW/N. Jolkver

Koha po ikën

Për Ukrainën po pakësohen gjithnjë e më shumë ditët deri në samitin e Bashkimit Europian me anëtarët e "Partneritetit Lindor" në Vilna në fund të nëntorit. Në këtë samit pritet të nënshkruhen marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit të BE-së me Armeninë, Gjeorgjinë dhe Republikën e Moldavisë. Një marrëveshje të tillë, që hap rrugën e zonës së tregtisë së lirë, kërkon edhe Ukraina. Por politikanët gjermanë dhe europianë e kanë përsëritur shpesh: Kusht për nënshkrimin e marrëveshjes është zgjidhja e problemit të Timoshenkos. Burgosja e saj shihet në kryeqytetet europiane dhe në Berlin si shembull i drejtësisë selektive në Ukrainë. Timoshenko u dënua më shtatë vjet burg për shpërdorim posti në vitin 2011 në një proces të kontestuar. Në burg ajo u sëmur rëndë dhe prej kësaj kohe trajtohet nga mjekë të klinikës universitare, Charite.

Rast simbolik

Sipas pikëpamjes gjermane rasti Timoshenko ka një rëndësi simbolike. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, pas takimit me ministrin e Jashtëm ukrainas, Leonid Koshara, në Berlin në fillim të korrikut. Ministri i jashtëm gjerman u shpreh se "oferta gjermane për një trajtim mjekësor në Gjermani është ende e vlefshme."

Ish ministri i Jashtëm, Boris Tarasjuk, sheh shumë mundësi për lirimin e Timoshenkos.
Ish ministri i Jashtëm, Boris Tarasjuk, sheh shumë mundësi për lirimin e Timoshenkos.Fotografi: AP

Edhe Kievi e ka kuptuar se rasti Timoshenko mund të kthehet në një pengesë në marrëdhëniet e BE-së me Ukrainën. Koshara u shpreh në një intervistë për Deutsche Welle-n se Timoshenko "është gati çështja e vetme, që turbullon marrëdhëniet mes Ukrainës dhe BE-së." Por është e pamundur zgjidhja e problemit në rrugë politike. "Askush nuk ka të drejtën që të lirojë një person të dënuar", është shprehur Koshara.

Ndërsa ish-ministri i Jashtëm ukrainas dhe drejtues i grupit parlamentar për integrimin europian në parlametin ukrainas, Boris Tarasjuk, njëri nga drejtuesit e lëvizjes opozitare, kritikon qëndrimin e qeverisë. "Po qe se ata duan ta zgjidhin problemin dhe duan të ruajnë fytyrën e tyre, atëherë le të kishin pranuar propozimin e opozitës për shfuqizimin neneve 364 dhe 365 të kodit penal, në bazë të të cilave u dënua Timoshenko."

Por sipas Tarasjuk ekzistojnë edhe mundësi të tjera për lirimin e Timoshenkos. Zbatimi i Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut në Strasburg më 30. korrik, i cili e cilëson arrestimin e Timoshenkos si shkelje të së drejtës.