1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220609 Iran Wächterrat

23 Qershor 2009

Këshilli i Mbikqyrësve në Iran hodhi poshtë kërkesën për anulimin e zgjedhjeve duke konfirmuar rezultatin zyrtar. Gjatë kontrollit janë vënë re parregullsi, por ato nuk kanë qenë të rëndësishme apo nuk përbënin shkelje.

https://p.dw.com/p/IXM4
Demostratë në Teheran.
Policia iraniane shpërndau sërish duke përdorur gaz lotsjellës demonstratat e së hënës në Teheran.Fotografi: AP

Sipas mediave shtetërore iraniane, Këshilli i Mbikqyrësve në Irak pranoi, se gjatë zgjedhjeve ka pasur parregullsi. "Në 50 qytete ishin regjistruar më tepër zgjedhës se sa numri i atyre që kanë të drejtën e votës" - tha zëdhënësi i këtij këshilli, Abaz Ali Kadkhodai. Parregullsitë kanë të bëjnë me rreth tre milionë vota. Ky lajm erdhi pas shpalljes së zgjedhjeve si të vlefshme prej ajatollah Khameneit ditën e premte (19.6.). Tani në radhët e krerëve të Iranit ka lindur pasiguria, se si duhet të veprohet në këtë rast, të pranohen parregullsi në zgjedhje apo një gjë e tillë të mohohet krejtësisht. Përgjigja e fundit: Jo, Këshilli i Mbikqyrësve as që ka pranuar se ka pasur parregullsi, mediat perendimore i kanë shtrembëruar deklarat e zëdhënësit.

Zëdhënësi i këshillit të Mbikqyrësve, Abaz Ali Kadkhodai.
"Në 50 qytete ishin regjistruar më tepër zgjedhës se sa numri i atyre që kanë të drejtën e votës" - tha zëdhënësi i Këshillit të Mbikqyrësve, Abaz Ali Kadkhodai.Fotografi: ILNA

A mund të konsiderohet pranimi i parregullsive nga Këshilli i Mbikqyrësve, edhe pse ku lajm u përgënjeshtrua sërish, si një shenjë se forcat konservative po dorëzohen? Abbas Abdi, gazetar dhe vëzhgues politik në Teheran i përgjigjet ksëaj pyetjeje me jo: „Për sa kohë ata nuk e vënë në diskutim të gjithë përfundimin e zgjedhjeve nuk mund të flitet për dorëzim. Opozita nuk u ankua vetëm për tre milionë vota, kërkesa e saj nuk lidhet vetëm me këto vota. Këshilli i Mbikqyrësve e ka anuluar një herë të gjithë procesin zgjedhor, vetëm se në një zonë elektorale një kandidat kishte ofruar një darkë falas. Kurse tani? Ky këshill nuk u jep rëndësi të madhe votave të falsfikuara."

Abbas Abdi, gazetar dhe vëzhgues politik në Teheran.
Abbas Abdi, gazetar dhe vëzhgues politik në Teheran.Fotografi: DW

Edhe ish-presidenti Mohamed Hatami, ka dyshime të mëdha për kredibilitetin e Këshillit të Mbikqyrësve. Reputacioni i tij është dëmtuar, dhe edhe pranimi me gjysmë zëri i parregullsive nuk i vijnë atij në ndihmë për të përmirësuar imazhin e tij të dëmtuar: "Këshilli i Mbikqyrësve duhet të sqarojë fillimisht se ku kanë qenë përfaqësuesit e tij gjatë votimit dhe numërimit të këtyre tre milionë votave. Mos i kishte zënë gjumi? Jo, ata ishin të pranishëm dhe e kanë vëzhguar procesin. Këshilli i Mbikqyrësve është përgjegjës për vëzhgimin e procesit të zgjedhjeve gjatë zhvillimit të tij dhe jo, pas zhvillimit të tyre. Ku ishin vëzhguesit?" shtron pyetjen Abbas Abdi.

Autor : Fahime Farsaie / Dr. Pandeli Pani

Redaktoi : Aida Cama