1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kështu mund t'u ndihmoj bashkëmoshatarëve të mi"

Anila Shuka 8 Korrik 2008

Rreth 200 mijë nxënës nga mbi1000 shkolla të ndryshme në të gjithë Gjermaninë morën pjesë në të ashtuquajturën "Ditë Sociale 2008".

https://p.dw.com/p/EYjg
Dita Sociale 2008 organizohet nën ombrellën e Angela MerkelitFotografi: picture-alliance/ dpa

Edhe pse në bluzën e Filip Kinkes (Philipp Kienke) është stampuar një kopshtar që ujit lulet, puna e kopshtarit nuk bën pjesë në ato më të preferuarat e tij. Në fundjavë, kur në shtëpinë e tij pastrohet oborri 18-vjeçari e gjen gjithmonë një arsye për t'i ikur këtij detyrimi: "Në raste të tilla jam gjithmonë i zënë me diçka tjetër, si për shembull me Shoqatën "Nxënësit ndihmojnë jetën" dhe e gjej një justifikim," thotë gjimnazisti nga qyteti gjermanoverior Kil (Kiel) dhe qesh.


E marta e tetë korrikut bën një përjashtim. Atë ditë ai është ngritur shumë herët për të ardhur në orar në Zyrën e Kancelares Gjermane Angela Merkel: "Sepse kështu mund t'u ndihmojë bashkëmoshatarëve që nuk kanë të njëjtat shanse si ne dhe kjo është një gjë e mirë e prandaj po e bëj," thotë Filip. Në orën tetë fillon puna: Pastrohen rrugicat e lulishtes së oborrit nga barishtet. 10 Euro për orë i jep atij kancelarja gjermane dhe ashtu si ai kanë punuar të martën afro 200 mijë të rinj të tjerë në të gjithë Gjermaninë.


Të ardhurat shkojnë në ndihmë të të rinjve në Ballkan. Këtë vit projekti kryesor ndihmon të rinjtë nga Durrësi. Ai quhet "Fëmijë dhe të rinj me vështirësi" dhe udhëhiqet nga organizata "Gratë në ndihmë të Grave" me drejtuese Gentiana Ramadanin. Afro 100 mijë Euro do t'i shkojnë projektit në Durrës, por të ardhurat nga "Dita Sociale" pritet të jenë rreth dymilionë euro.


Me pjesën tjetër të të ardhurave financohen projektet e viteve të mëparshme. Shumica e tyre kanë të bëjnë me integrimin e të rinjve pa perspektivë në zonën e Ish-Jugosllavi. "Schueler Helfen Leben" ka një zyrë të përhershme në Sarajevë prej nga koordinohen të gjitha projektet. Filipi kështu ka pasur mundësi të vizitonte edhe Ballkanin: "Është një rajon që nuk është shumë prezent në mediat e këtushme", thotë ai. "Njerëzit janë të hapur dhe shumë miqësorë, por ndjehen problemet për shkak të ndasive etnike."


Për Shqipërinë, ai ende nuk di shumë, përveç faktit që në Durrës papunësia e të rinjve është mbi 60 për qind. Filipi është i lumtur që me punën e tij do të kontribuojë për zbutjen e këtij problemi. Tradita e "Ditës sociale" ku nxënës it lënë bankat e shkollave dhe shkojnë të punojnë për një qëllim të mirë ka lindur në vendet skandinave dhe zhvillohet në Gjermani çdo vit që nga viti 1998.