1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ka më shumë se një itinerar ballkanik

Nemanja Rujevic20 Shkurt 2016

Shtetet e Vishegradit duan ta ndihmojnë Maqedoninë për ta mbyllur kufirin me Greqinë. Itinerare alternative për refugjatët pëmes Ballkanit ekzistojnë që tani: një vendim i rëndë për refugjatët.

https://p.dw.com/p/1HynS
Mittelmeer Sea Watch Seenotrettung
Fotografi: DW/V. Kleber

Shumica e refugjatëve e arrijnë Evropën aktualisht përmes itinerarit ballkanik. Por gjithnjë e më shumë shtete duan ta kanalizojnë më fort vërshimin dhe madje ta ndalojnë. I ashtuquajturi Grup i Vishegradit kërkon t'i mbyllë kufijtë: Hungaria, Çekia, Polonia dhe Sllovakia angazhohet që ta mbyllin kufirin midis Greqisë dhe shteteve ballkanike. Ato duan t'i mbështesin me personel shtetet e prekura. Megjithë të ftohtin dhe detin e trazuar, këtë vit nga Turqia në ishujt grekë kanë kaluar me shumë se 80.000 refugjatë. Po ku do të venë këta njerëz, po ta mbyllë Maqedonia kufirin e saj jugor dhe të mbyllë në këtë mënyrë itinerarin e përdorur më shumë?

Itinerari kryesor përmes Maqedonisë

Aktualisht, Maqedonia po mbaron së ndërtuari gardhin e saj kufitar me Greqinë: me dy radhë, të mprehtë si thika, rreth 2,5 metra të lartë - një dhuratë nga Hungaria, e cila ka shumë përvojë me gardhe. Me të do të mbyllen 37 kilometra në luginën e lumit Vardar, thuhet në Shkup, ky është "sektori më kritik". Kjo në një kohë që ndihmë ofron edhe natyra, sepse më tej në Lindje dhe në Perëndim, terreni bëhet gjithnjë e më i vështirë për t'u kaluar, malet e zhveshura dhe liqenet e mëdha e vështirësojnë kalimin e kufirit.

Itinerari përmes Bullgarisë

Rreth nëntë përqind e refugjatëve tranzit në Serbi, verën e kaluar shkuan atje përmes Bullgarisë. Këtë e bëri të ditur gazeta serbe Večernje novosti duke iu referuar Qendrës së Ndihmës për Azilkërkuesit, një NGO e Beogradit. Bullgaria dhe Turqia ndajnë një kufi të përbashkët prej 240 kilometrash, i cili aktualisht është i mbyllur vetëm pjesërisht me gardh nga pala bullgare. Rruga përmes Stambollit dhe qytetit kufitar turk Edirne u kursen migrantëve edhe udhëtimin e rrezikshëm nëpër Egje, si dhe 1200 dollarë, që do t'u paguheshin trafikantëve.

Itinerari ballkanik
Itinerari ballkanik

Por te ata që e njohin, ky itinerar konsiderohet problematik. Prej kohësh flitet për trajtimin brutal, me të cilin i trajtojnë policët bullgarë refugjatët. Për këto flet Organizata Pro Asyl. Edhe reporterë të DW kanë takuar shumë refugjatë, të cilët flisnin për rrahje, poshtërime dhe vjedhje nga forcat bullgare të sigurisë. Në këshilluesit e internetit për refugjatët, Bullgaria zë vendin e parë në shtetet që duhen shmangur.

Itinerari i Ballkanit Lindor

Rumania ka parë deri tani më pak refugjatë se shtetet fqinje. Në janar u arrestuan 60 vetë nga Pakistani, Iraku, Maroku, Afganistani dhe Somalia, kur, në ardhjen e tyre nga Serbia po kalonin kufirin. Që prej qershorit të kaluar u kapën qindra refugjatë, të cilët duke ardhur nga Bullgaria përmes urave të Danubit ose me varka donin të hynin në Rumani.

Itinerari i Adriatikut

"Itinerare të reja përmes Shqipërisë tashmë janë hapur. Që prej aty rruga do të vazhdojë për në Mal të Zi dhe në Kroaci, gjë qe në duam ta pengojmë". Këtë e deklaroi në fund të janarit Ranko Ostojic, ministri i Brendshëm që po largohet nga posti i Kroacisë. Ai ishte zyrtari i parë që përmendi itinerarin e Adriatikut. Deri atëherë kishte vetëm spekulime. "Në dimër ne presim një drejtim të ri, përmes hapësirës së Mesdheut dhe Malit të Zi", parashikoi në shtator eksperti kroat për migrimin Andelko Milardovic në gazetën Jutarnji List. Po deri tani askush nuk ka vendosur ta ndjekë këtë rrugë, u konfirmua nga zyrtarë malazezas.

Itinerari përmes Kosovës

Nëse refugjatët do të duhet që vërtet ta shmangin në itinerar Maqedoninë, e përfytyrueshme do të ishte edhe rruga përmes Shqipërisë dhe Kosovës, më tej në Serbi. Sepse Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur tetë vjet më parë. Për këtë shkak, elita politike serbe do të kishte të vështirë, që ta kontrollojë në mënyrë të dukshme kufirin me provincën e dikurshme jugore. Ai gjithsesi nuk është kufi, por vetëm një "linjë administrative", thonë zakonisht në Beograd. Ekspertët e shohin me pak gjasa që refugjatët të ndjekin këtë rrugë.

Se cili itinerar do të fitojë rëndësi në të ardhmen, kjo nuk mund të parashikohet. Këtë do ta ndikojnë takimet e grupit të Vishegradit dhe samitet e BE. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE përpiqen në samite edhe më tej për një politikë të përbashkët ndaj refugjatëve.