1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kalvari i mundimeve të familjes Boulgarides

Irene Anastasopulu / Pandeli Pani6 Maj 2013

Greku Theodoros Boulgarides u ekzekutua më 15. qershor 2005 në dyqanin e tij në Mynih. Pas kësaj familja e tij u bë muaj të tërë pre e dyshimeve dhe hetimeve.

https://p.dw.com/p/18SVD
Fotografi: DW/I. Anastassopoulou

Lajmi i trishtuar erdhi me telefon nga një i njohur i familjes, i cili i tha Gavril Bulgaridesit se të vëllanë, Theodorin, gjashtë vjet më i madh se ai, e kishin vrarë në dyqanin e tij. Ai qe ekzekutuar me tri të shtëna në kokë. Ishte e njëjta pistoletë çeke, një Ceska 83, e cila qe përdorur si edhe për viktimat e tjera të celulës terroriste NSU. Babai i Gavrilit kishte vdekur shumë i ri dhe Theodori, vëllai, kishte qenë për të si baba. Familja Bulgarides jetonte në Mynih nga viti 1973, qe mjaft e njohur dhe shumë e respektuar. Por Gavrili kujton se pas lajmit filloi një kalvar dyshimesh dhe mundimesh.

Familja nën dyshime

Që të nesërmen pas vrasjes për të gjithë familjen filloi një odiseje e pabesueshme: Yvonne Boulgarides, e veja dhe dy vajzat, u morën në pyetje. Pas tyre Gavrili dhe e shoqja, të afërmit, miqtë, të njohur të familjes dhe madje edhe njerëz që ishin për familjen tërësisht të panjohur. Pyetjet në hetuesi vazhduan orë të tëra, ditë e muaj me radhë. Pyetjet rrotulloheshin rreth viktimës, të njohurve dhe rrethit të tij, a kishte kontakte me shitës drogash. Pyetjet kishin të bënin me mafien turke, qarqet e prostitucionit, krimit kibernetik, bastet, tregtinë e armëve. Vajzat i pyetën nëse i ati i kishte abuzuar seksualisht. Edhe për Yvonne Boulgarides u dyshua se mos e kishte vrarë ajo të shoqin.

Në foto, Gavril Boulgarides me priftin Apostolos Malamoussis
Në foto, Gavril Boulgarides me priftin Apostolos MalamoussisFotografi: DW/I. Anastassopoulou

Vetëm një pistë nuk u ndoq në hetime, tregon Gavril Boulgarides: "Askujt nuk i shkoi as në mendje për ndonjë lidhje me viktimat e vrasjeve të tjera, edhe pse unë u kisha thënë që në seancën e parë që më morën në pyetje, se më dukej se mund të kishte ndonjë lidhje. Në këtë drejtim asnjë lloj reagimi, ata vazhduan të gërmonin me zell në jetën tonë private".

Nderi i humbur i familjes Boulgarides

Marrjet në pyetje dhe procedurat e gjata hetimore, marrja e gjurmëve të gishtrinjve etj, qenë të gjata dhe pa fund. Ngriheshin dyshime pas dyshimesh për veprimtari kriminale. Papritmas nga viktimë Theodoros Boulgarides u shndërrua në një person të dyshuar, dhe pas vrasjes së tij po përndiqej e gjithë familja, thotë Angelika Lex, avokate e Yvonne Boulgarides: "Dyshime pati në të gjitha drejtimet, por askush nuk pati as dyshimin më të vogël se se ky krim mund të lidhej me motive raciste".

Dyqani ku ka punuar Theodoros Boulgarides
Dyqani ku ka punuar Theodoros Boulgarides dhe ku ai u vra në vitin 2005Fotografi: DW/I. Anastassopoulou

U morën në pyejt qindra dëshmitarë, por asnjë nuk u pyet nëse mendonte se krimi kishte një sfond radikal të djathtë. "Kjo çështje nuk del askund në dosjet hetimore. Dhe kjo është vërtetë e paimagjinueshme në ato rrethana, kur kishte një seri vrasjesh ndaj qytetarësh me origjinë jo gjermane", thotë avokatja.

Arratisje nga Gjermania

Për vëllain e viktimës, Gavril Boulgarides, jeta e përditshme në Mynih u bë e padurueshme. Familja u izolua nga të gjithë të afërmit, miqtë dhe të njohurit. Askush nuk donte të kishte kontakt me ta. Edhe brenda familjes, kishte probleme: mosbesim, dëshpërim, hutim. Në këto rrethana mbetej vetëm një rrugëdale: të zhdukemi nga ky vend.

Pas 37 vjetësh në Gjermani familja shkoi në vitin 2009 në Selanik. Por edhe aty jeta qe më e vështirë se në Mynih, sepse për shkak të krizës Gavril Boulgarides nuk po gjente dot punë. Dikur ai gjeti punë si shofer kamioni. Pas zbulimit të rrjetit terrorist në Gjermani prifti Apostolos Malamoussis e bindi familjen Boulgarides të kthehej sërish në Mynih.

Administrata e qytetit të Mynihut po përpiqet t'i shlyejë gabimet e së shkuarës. Gavrili punon si shofer në ndërmarrjen e përpunimit të mbeturinave urbane, e shoqja si pastruese në Ministrinë e Drejtësisë. Edhe e veja Yvonne Boulgarides pati një kohë shumë të vështirë. Edhe ajo humbi punën dhe u përpoq pa sukses të gjente një të re. Sot ajo punon në një kompani të vogël shërbimesh.

E vërteta në shesh

Prej procesit ndaj NSU familja Boulgarides shpreson të mësojë të vërtetën, se përse mundën të ndodhnin të tilla avari të mëdha në sqarimin e vrasjes? Pse policia dhe prokuroia nuk i ndoqën të gjitha gjurmët? Cili qe roli i agjentëve sekretë të policisë? Pse autorët e krimit zgjodhën pikërisht Theodorin? Vetëm shpjegimi se Theodorin e kishin ngatërruar me një turk, për Gavrilin nuk është i mjaftueshëm.

Në foto, avokatja Angelika Lex
Në foto, avokatja Angelika LexFotografi: picture-alliance/dpa

Gavrili beson se hetuesit kishin në periudhën 2001 dhe 2003 shumë të dhëna që i kishin injoruar dhe po t'i kishin marrë serizosht ndoshta i vëllai që u vra në vitin 2005 mund të mos kishte rënë viktimë. Avokatja e Yvonne Boulgarides thotë se ajo nuk do dënim sa më të lartë për vrasësit, apo hakmarrje, por sqarimin e kësaj çështjeje dhe sidmos se përse nuk qe e mundur që kjo seri vrasjesh të ndalohej më herët.