1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konsultimet gjermano-izraelite priten me interes të madh

afp, dpa/mck25 Shkurt 2014

Kancelarja Merkel po qëndron në Izrael së bashku me pjesën më të madhe të kabinetit të saj qeveritar. Merkel do të diskutojë në Jeruzalem edhe për ndërtimin e diskutueshëm të vendbanimeve izraelite.

https://p.dw.com/p/1BEKM
Angela Merkel dhe Benjamin NetanjahuFotografi: Reuters

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu e vlerësoi vizitën e kancelares Angela Merkel me kabinetin e saj si „shenjë të miqësisë mes dy vendeve“. "Unë jam shumë i gëzuar për këtë shkëmbim konsultimesh me miq shumë të mirë", tha kryeministri izraelit për stacionin televiziv gjerman (ZDF). Kancelarja gjermane dhe një pjesë e madhe e kabinetit të saj qeveritar udhëtoi ditën e hënë (23.02) për në Izrael për konsultimet e pesta qeveritare gjermano-izraelite. Temë e rëndësishme në bisedimet që nisin sot është fusha e inovacioneve si dhe festimet në vitin 2015 me rastin e 50 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Në delegacionin e kancelares marrin pjesë 16 ministra dhe sekretarë shteti - vetëm shefi i zyrës së kancelares, Peter Altmeier nuk është në këtë delegacion. Numri i pjesëmarrësve në konsultimet tashmë tradiconale gjermano - izraelite nuk kanë qenë kurrë më parë kaq i madh. Takimi mbahet në sfondin e mosmarrëveshjeve mes Izraelit dhe BE-së lidhur me trajtimin e vendbanimeve izraelite në territorin e pushtuar të Jordanit perëndimor.

BE nuk e njeh këtë pjesë si territor të shtetit izraelit. Merkel vetë, në disa bisedime personale me Netanjahun, nuk ka pasur sukses lidhur me ndërtimet në territorin palestinez. Kryeministri I Izraelit Netanjahu i ka hedhur poshtë kritikat në adresë të tij lidhur me ngecjen e bisedimeve të paqes në Lindjen e Afërt për shkak të kësaj çështjeje. “Kush thotë se vendbanimet janë pengesë kryesore duhet ta dijë që ne edhe pas shkatërrimit të të gjitha vendbanimeve në Gaza nuk kemi arritur paqe. Çelësi për paqe – sipas Netanjahut në ZDF - nuk është tek vendbanimet izraelite, por tek vullneti i mangët i palelstinezëve për të pranuar një shtet hebre”.

Një tjetër temë diskutimi në konsultimet gjermano-izraelite është çështja atomike me Iranin. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier (SPD) siguroi në një bisedë me gazetën izraelite "Jediot Achronot" lidhur me këtë temë se „synimi ynë është i qartë se nuk do të ketë Iran të armatosur me armë bërthamore.

Pas bisedimeve qeveritare, Merkel do të takohet edhe me udhëheqësin e opozitës izraelite Isaak Herzog nga Partia e Punës. Në mbyllje të vizitës presidenti izraelit Shimon Peres do të nderojë kancelaren Merkel me titullin më të lartë të shtetit izraelit për kontributin e saj në miqësinë e dy vendeve.