1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja shpjegon, kandidati kritikon

Sabine Kinkartz / Angjelina Verbica18 Tetor 2012

Evropa është më shumë se një hibrid i agjencive të vlerësimit, thotë Peer Steinbrück, duke i dhënë një përgjigje të ashpër deklaratës qeveritare të kancelares Merkel.

https://p.dw.com/p/16S6j
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kancelarja gjermane shkëlqen. E veshur në ngjyrën e vjeshtës, në një ngjyrë portokalli të mbyllur, është kthyer në bankën e parlamentit dhe duartrokitet nga deputetët. Një orë e një çerek, Angela Merkel foli për Evropën dhe duket se është shumë e kënaqur me deklaratën e saj për Këshillin e Evropës, që mblidhet me 18 dhe 19 tetor në Bruksel.

Merkel ka shpjeguar dhe ka bërë thirrje, ka analizuar, kërkuar, dhe vlerësuar. Katër "shtylla të forta" duhet të konsolidojnë, atë që është arritur. Të gjitha fillojnë me atributin "më shumë të përbashkëta": Vijuan nocionet: politika e tregut financiar, politika fiskale, politika ekonomike, si dhe forcimi i legjitimitetit dhe kontrollit demokratik.

Të veprojmë më fuqimisht

Ministri i Financave, Wolfgang Shäuble, merr nga kancelarja mbështetje për propozimin e tij për forcimin e rolit të komisionerit për çështjet monetare, që mund të ndërhyjë, në qoftë se shtetet anëtare duan të futen në borxhe përtej mase. Në forcimin e disiplinës financiare BE ka ecur mirë përpara me marrëveshjen fiskale, thotë Merkel, "por ne mendojmë - dhe këtë e them për të gjithë qeverinë gjermane - këtu ne shumë mirë mund të shkojmë pak më tutje, duke i dhënë nivelit evropian të drejta reale për ndërhyrje." Merkel thotë se është e habitur: "Sapo dikush ka bërë një propozim, ka dhënë idenë, se si ne mund të fitojmë më shumë angazhim dhe besueshmëri, menjëherë vjen thirrja:. Nuk bën, nuk e bëjmë dot." Merkel përsëriti në deklaratën e saj qeveritare, qëndrime tani të njohura, që nga refuzimi i bashkimit të borxhit, deri në mendimin, se një mbikëqyrje bankare nuk mund të hyjë në fuqi këtë vit.

.

Kancelarja Angela Merkel gjatë fjalimit në Bundestag
Kancelarja Angela Merkel gjatë fjalimit në BundestagFotografi: Reuters

Rreptësi dhe butësi

Një vit para zgjedhjeve parlamentare nuk ndihet asgjë akoma nga fushata zgjedhore, edhe pse Merkel e di se sfidanti i saj nga SPD, Peer Steinbrück, do të përgjigjet direkt pas saj në mënyrë të detajuar në parlament.

Peer Steinbrück gjatë fjalimit në Bundestag
Peer Steinbrück gjatë fjalimit në BundestagFotografi: Reuters

Megjithatë, krahasuar me javët e fundit, tek kancelarja duket një transformim. Në vend të shprehjeve pa kompromis kundër shteteve evropiane në borxhe, ajo tani shpreh mirëkuptim dhe gatshmëri për kompromis. "Ne e dimë, se nga njerëzit në Spanjë, Greqi dhe shtetet e tjera anëtare të prekura, kërkohet jashtëzakonisht shumë", thotë kancelarja. "Nga ana njerëzore është plotësisht e kuptueshme, se përse aq shumë grekë e kanë të vështirë të kuptojnë se shumica e problemeve janë krijuar në vendin e tyre dhe për këtë arsye mund të zgjidhen vetëm në shtëpi."

Vështirësia shkatërron demokracinë

Nëse Merkel shpreson se me fjali të tilla do të fitojë pikë edhe në politikën e brendshme, atëherë ajo ka gabuar. Një fjalim i tillë, si me 18 tetor në Bundestag, thotë kandidati për kancelar Peer Steinbrück i SPD-së, është dashur ta mbante dy vjet më parë. Në atë kohë kriza në Evropë është vlerësuar nga qeveria në mënyrë të njëanshme gabimisht si krizë e borxhit. Një "marrëzi ekonomike", e cila çoi në ekuacion e thjeshtë "stabilitet duke kursyer". Kësaj i shtohet fakti që Merkel ka dëmtuar reputacionin e Gjermanisë në vendet fqinje, duke lejuar për muaj të tërë që politikanët e koalicionit të bëjnë "mobbing" kundër Greqisë.

E rëndësishme është të jemi të përkushtuar për mirëqenien e komunitetit dhe prosperitetin e të gjithëve. Socialdemokratët, thotë Steinbruck, duan të flasin për rivendosjen e një ekuilibri social në Evropë.

Mund të vijnë detyrime të tjera

Shkatërrues është vlerësimi i Steinbrückut për rezultatet politike të viteve të fundit. "Bashkimi juaj i stabilitetit nuk është asgjë më shumë se një mirazh, mirazhi një stabiliteti të rremë." Vetëm Gjermania hyn tani garant me rreth 100 milardë euro për ombrellat e shpëtimit. Ngarkesa të tjera do të vijnë. "Gjermania po përballet me Greqinë, dhe do t'i duhet të marrë në angazhime shtesë në koncertin e vendeve të tjera evropiane", parashikon Steinbrück, dhe duke iu drejtuar kancelares thotë: "Thuajani më në fund, thuajani më në fund njerëzve."