1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kandidatura edhe pa shkelur vijat e kuqe?

24 Shkurt 2012

Vizita e ministrit të Jashtëm gjerman Westerwelle në Serbi ka kaluar në atmosferë "miqësore dhe konstruktive". Analistët vlerësojnë se është përpjekja e fundit për ta bindur Serbinë para vendimit të BE-së.

https://p.dw.com/p/149O2
Fotografi: dapd

Nikola Jovanoviq, redaktor i revistës shkencore "Sfidat e Integrimit Evropian", vlerëson për DW-në, se aktualisht Serbia është disi më afër marrjes së statusit kandidat për anëtarësim në BE: "Unë mendoj se me vetë ardhjen e ministrit të Jashtëm gjerman në Beograd mund të themi se ne jemi më afër marrëveshjes, dhe në këtë mënyrë edhe më afër kandidaturës. Unë nuk besoj që Guido Westerwelle do të vinte sikur mos të kishte bazë për një kompromis të shëndetshëm dhe marrëveshje definitive për të gjitha çështjet, të cilat do të jenë vendimtare për kandidaturën e Serbisë. "

Parashikime të vështira

Ognjen Pribiqeviq, ish-ambasadori i Serbisë në Gjermani, pas përvojës nga ajo çfarë  kishte ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, thotë se tani është shumë e vështirë të parashikohet diçka. Por fakt është se tani ka një disponim më të madh në Perëndim për kandidaturën e Serbisë se sa në muajin dhjetor: "Këtu mund të përmendim ndër të tjera, mesazhet dhe sinjalet që erdhën nga zëvendëssekretari amerikan i shtetit, William Burns, si dhe nga takimi me këshilltarin e parë të kancelares gjermane Angela Merkel, Christoph Heusgen. Dhe tani vizita e Westerwelle-s sigurisht që është një hap në drejtim pozitiv. Por, nga përvoja e asaj që ndodhi në dhjetor, do të ishte absolutisht e pamundur dhe e pamatur që të parashikojmë se çfarë do të ndodhë përfundimisht ", thotë Pribiqeviq për DW.

Kosova kusht për kandidaturën e Serbisë - Pamje simbolike
Kosova kusht për kandidaturën e Serbisë - Pamje simbolikeFotografi: AP/Montage DW

Përpjekje e fundit?

Ognjen Pribiqeviq vlerëson se takimi i ministrit gjerman me zyrtarët serbë paraqet një kombinim të të bindurit në formë miqësore dhe presionit diplomatk. Ndërkaq Nikola Jovanoviq mendon se nuk kemi të bëjmë me presion diplomatik pasi që Gjermania dhe Serbia në këtë rast nuk janë kundërshtare direkte: "Interesi i Serbisë dhe i Evropës, dhe nëse mund të them edhe i shqiptarëve të Kosovës, është që në Ballkan të vazhdojë procesi i integrimit evropian. Kështu që presë që të ketë më shumë mirëkuptim që të arrihet një marrëveshje kornizë përfundimtare dhe Serbia javën e ardhshme të fitojë statusin e kandidatit".

Bie mbështetja e qytetarëve

Mbështetja e qytetarëve të Serbisë për integrimet evropiane është në rënie të vazhdueshme. Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se mbështetja për anëtarësim në BE ka rënë në 51 për qind dhe ekziston frika se ajo do të vazhdojë të bjerë ende nëse  Serbia ngec sërish në rrugën evropiane. Fakt është se i gjithë procesi i integrimit po zhvillohet në mënyrë shumë të shkujdesur duke përfshirë këtu edhe zhvillimet negative në vetë Bashkimin Evropian, nënvizon Ognjen Pribiqeviq: "E gjithë kjo, natyrisht, nuk mund të reflektojë mirë në disponimin e qytetarëve të Serbisë ndaj BE-së. Por nga ana tjetër, duke pasur parasysh të përditshmen tonë të zymtë dhe faktin që Serbia nuk është në gjendje për të përballuar vet problemet e saj ekonomike, pa përmendur ato politike, natyrisht që është absurde të flitet për ndonjë të ardhme tjetër për Serbinë përveç të ardhmes në Bashkimin Evropian."

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP/Montage DW

Autorë: Ivica Petroviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi