1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kaos pas ndërmjetësimit

27 Mars 2012

Një vit të tërë ka ndërmjetësuar BE-ja në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit për të lehtësuar jetën e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Por kaosi tani është më i madh se kurrë më parë.

https://p.dw.com/p/14SH8
KFOR
KFOR-i i domosdoshëmFotografi: AP

Në bashkinë e Zubin Potokut, në Veri të Kosovës, serbët ende nuk kanë menjanuar barrikadat nga rruga. "Nga rruga mund të na largojnë vetëm në qoftë se na vrasin", thonë disa djem të rinj. Gati çdo të dytën ditë ata bllokojnë automjetet e misionit të Bashkimit Evropian, (EULEX), të cilin e kritikojnë për njëanshmëri në konfliktin me shqiptarët. Barrikada në rrugë ka dhe në vende të tjera. Serbët e veriut kanë hedhur poshtë kërkesat e komandantit të KFOR-it, gjeneralit gjerman Erhard Drews.

Gjendje e rëndë në pikëkalimet kufitare

Pak më larg gjendet Brnjaku, vendkalimi shumë problematik kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Në vend të doganierëve dhe policëve, këtu gjendjen e kontrollojnë ushtarët e misionit të KFOR-it dhe disa policë të EULEX-it. Serbët nuk duan të kalojnë nëpër këtë pikë kufitare, por shkojnë në një rrugë tjetër anësore.

Në vendkalimin kufitar Merdare kamionët me mallra detyrohen të presin gati 24 orë për shkak të problemeve burokratike mes këtyre dy vendeve. Shoferët janë shumë të mllefosur, sepse pala serbe kërkon 100 euro, ndërsa ajo kosovare 60 euro, në emër të asaj që zyrtarisht quhet sigurim.

Zgjedhjet serbe

Serbët në rrugë
Vetëm të na vrasin...Fotografi: dapd

Serbia ka paralajmëruar se me 6 maj edhe në Kosovë do të mbajë zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Bashkimi Evropian dhe qeveria e kontrolluar prej shqiptarëve në Prishtinë janë të prera kundër këtyre zgjedhjeve. Prishtina zyrtare ka kërcënuar madje edhe me parandalimin e dhunshëm të votimit, nëse është e domosdoshme.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi ka kërkuar në fundjavën e kaluar madje edhe ndërprerjen e dialogut me "qeverinë kriminele në Beograd". Vet BE-ja ka hartuar një mekanizëm të komplikuar i cili do të duhej t'u mundësonte delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë pjesëmarrjen në takimet e përbashkëta rajonale dhe në konferenca të ndryshme.

Por as kjo nuk ndihmoi deri tani, sepse javën e shkuar delegacionet e Serbisë i kanë bojkotuar takimet me pjesëmarrjen e delegacionit kosovar me shpjegimin se fusnota e parashikuar nuk është shkruar si duhet. Në anën tjetër edhe një delegacion kosovar i pakënaqur me këtë fusnotë është larguar nga një takim në Beograd.

Strukturat paralele

Rrugët e bllokuara
Rrugët e bllokuaraFotografi: DW

Një nga problemet më të mëdha në trekëndëshin BE-Serbi-Kosovë janë institucionet serbe në veri të Kosovës. Beogradi financon këto institucione me gati 300 milionë euro në vit. Serbia financon atje institucionet komunale, policinë, organet e saj juridike, shkollat, universitetin, vendet e punës...

Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar verën e kaluar shpërndarjen e këtyre institucioneve dhe largimin e shtetit serb nga veriu i Kosovës. Por Beogradi ka refuzuar shumë herë këtë kërkesë në formë të prerë.

Serbia ka fituar në mars statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Ndërkohë që bashkëkombasit e saj në Kosovë edhe më tej bllokojnë policët, doganierët, gjykatësit dhe përfaqësuesit e administratës ndërkombëtare dhe kosovare. Misioni i Bashkimit Evropian, EULEX, me shpenzime prej 165 milionë euro në tetë muajt e kaluar është deri tani misioni më i shtrenjtë i Brukselit i dërguar në ndonjë vend.

Në veri të Mitrovicës nuk funksionon as gjykata. Kjo godinë është rindërtuar nga EULEX-i pas shkatërrimit prej serbëve, por ende nuk është në shërbim. Veriu i Kosovës edhe më tej mbetet një vend pa të drejta, pa targa të automjeteve, pa polici dhe organe juridike. Në këtë pjesë të Kosovës nuk ka madje as shkurorëzime ligjore.

Autor: Thomas Bray/DPA/Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj