1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kaq shumë amerikanë nuk kanë votuar ndonjëherë për presidentin e SHBA

Ana Engelke/Uashington5 Nëntor 2008

Një fushatë elektorale dramatike përfundoi në SHBA. Xhon Mekkeini, kandidati që sipas anketimeve vinte i dyti, edhe në ditën e votimit u tregua veçanërisht i sigurtë se do të fitojë.

https://p.dw.com/p/FnWI
Amerikanë në votime në Minneapolis
Amerikanë në votime në MinneapolisFotografi: picture-alliance/ dpa

Vote, baby, vote, këndon kjo bandë, por kjo kërkesë për të shkuar për të votuar duket fare e tepërt. Amerikanët duan të shkojnë të votojnë. 153 milionë amerikanë, kaq sa kurrë më parë, qenë regjistruar për të votuar. Dhe një e treta e tyre shfrytëzoi të drejtën për të votuar para ditës zyrtare të votimit. Shumë e kanë vështirë ta besojnë se me të vërtetë përfundoi të martën fushata më e gjatë dhe më e shtrenjtë elektorale në SHBA. Si kjo mësuese 42-vjeçe nga Karolina e Veriut:

"Eshtë sikur të bësh një fëmijë, ti do që ai të ketë dhjetë gishta këmbësh dhe dhjetë gishta duarsh. Dhe ti dëshiron që më në fund të ndodhë. Mua më kujtohet kur linda djalin e parë. Dhe kështu ndihem edhe tani. Nuk më besohet që erdhi kjo ditë."

Nga Diksville Noç (Dixville Notch), një vend i vogël në shtetin e Anglisë së Re, Nju Hempshajr (Hampshire) rezultati u bë i ditur që të martën pasdite. Banorët e këtij lokaliteti patën mundësi që të votonin që në mesnatën e së hënës. Në fakt, ky fshat është republikan, por këtë herë, 15 nga gjithsej 21 votuesit votuan për demokratin Barak Obama dhe vetëm gjashtë për republikanin Xhon Mekkein.

Ndryshe nga se është zakon, dy kandidatët për presidentë bënë fushatë elektorale edhe ditën e votimit.

Barak Obama foli në një manifestim në Indiana, e cila është tradicionalisht republikane. Që në mëngjes, së bashku me familjen ai shkoi për të votuar në një palestër shkolle në qytetin e tij, Cikago. Për 47 vjeçarin, i cili kryesonte qartë në anketime përballë sfiduesit të tij, Xhon Mekkein, e marta mund të rezultojë si një nga ditët më të bukura të jetës së tij. Por kjo është edhe një ditë e trishtuar për të. Të hënën (03.11) ai mësoi se gjyshja nga ana e së ëmës, e cila e rriti dhe ndikoi shumë në formimin e tij, vdiq si pasojë e kancerit. Lotë i rrodhën Obamas në faqe, kur të hënën në mbrëmje e lëvdoi gjyshen si njërën nga heroinat e heshtura në SHBA:

"Ato nuk janë të shquara. Emrat e tyre nuk i gjen në gazeta. Por ato punojnë fort çdo ditë. Ato kujdesen për familjet e tyre dhe bëjnë sakrifica për fëmijët dhe nipërit e tyre."

Xhon Mekkeini e dha votën në shtetin e tij Arizona. Pastaj ai mori avionin për në Kolorado dhe Nju Meksiko, për të bërë atje publicitet për veten. Që prej së dielës ai nuk ka fjetur asnjë orë:

"Ne do t'i fitojmë këto zgjedhje", u thërriste prej ditësh Mekkeini mbështetësve të tij. Rezultatet e para të besueshme për zgjedhjet u njoftuan për orën dy të mëngjesit, duke gdhirë e mërkura.