1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Katastrofa siriane

Kersten Knipp9 Mars 2015

Katër vjet më parë, sirianët u ngritën kundër regjimit të Assadit. Protestat u përhapën në luftë me shumë fronte. Shpejt nisën të luajnë rol edhe xhihadistët. Tani janë ata që i garantojnë mbijetesën politike Assadit.

https://p.dw.com/p/1EneP
Syrische Luftwaffe bombardiert Aleppo Zivilisten sterben durch Fassbomben
Fotografi: Getty Images

"Populli dëshiron përmbysjen e regjimit" - fjali si këto lexoje të sprucuara në mure godinash dhe shtëpish në mars 2011, në qytetin e Sirisë jugore, Daraa, të shkruara nga disa nxënës. Këta nxënës i arrestuan, gjë që i bëri banorët e qytetit të protestojnë në rrugë kundër arrestimit. Forcat e sigurisë të regjimit të Assadit pas kësaj hapën zjarr kundër demonstruesve. Kjo i bëri në ditët dhe javët në vazhdim edhe më shumë sirianë që të protestojnë në mënyrë paqësore kundër veprimit të ashpër të qeverisë. Por edhe këto demonstrata, regjimi i luftoi në mënyrën më të vendosur - dhe nisi me këtë një spirale dhune, viktimë e së cilës kanë rënë deri sot gati një çerek milioni sirianë. Të tjerë përpiqen që t'i shpëtojnë dhunës që ka kaluar çdo kufi. Rreth katër milionë sirianë janë larguar nga vendi që atëherë, rreth gjashtë milionë e gjysmë janë kthyer në migrantë të brendshëm.

Por prej kohësh sirianët nuk marrin arratinë vetëm nga dhuna e regjimit. Ata përpiqen t'u shpëtojnë edhe akteve mizore të grupeve xhihadiste, si të Frontit Al-Nusra, por para së gjithash të "Shtetit Islamik" (IS). Ai vepron pa mëshirë kundër atyre që i ka shpallur "të pafe" në rajonet që ka pushtuar.

Türkei Syrische Flüchtlinge 28.01.2015
Refugjatë sirianë në TurqiFotografi: picture-alliance/dpa/S. Suna

"Repertor standard i diktatorëve"

Që xhihadistët arritën të përhapen kaq shumë në Siri si dhe në Irakun fqinj, kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me Assadin, thotë politologu Nadim Shehadi, i cili punon në Qendrën Kërkimore britanike, Chattham House. Për Assadin nuk ekzistonte mjet tjetër më i mirë se ky, për ta larguar regjimin e tij nga shënjestra. "Një mënyrë e tillë veprimi bën pjesë në repertorin standard të diktatorëve. Hap burgjet, liron kriminelët. Shkakton kaos dhe pastaj hiqesh sikur do ta luftosh këtë kaos - dhe e rifiton në këtë mënyrë legjitimitetin tënd."

Me të vërtetë, vështrimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Sirisë ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme. Nëse në vitin e parë të luftës, në qendër të vëmendjes ishin aktet mizore të regjimit të Assadit, në muajt pasues në qendër të vëmendjes avancuan marshimi fitimar dhe më pas aktet mizore të IS. Prerje koke, djegia në të gjallë i një piloti jordanez, njerëz që i hedhin nga katet më të larta të ndërtesave poshtë: me dhunën e tij të shfrenuar IS i tmerroi njësoj si myslimanët, ashtu edhe jo myslimanët. Dhe më e vonta, që kur në verë 2014 organizata terroriste shpalli kalifatin e saj, ishte e qartë që pretendimi i saj për pushtet nuk njeh kufi. Përmes atentateve në vende të tjera, si në Evropë, në Kanada dhe në Australi, xhihadistët nuk kanë vend për dyshim se zotërojnë një rrjet të përbotshëm simpatizantësh dhe mbështetësish potencialë, të gatshëm për të goditur kudo dhe në çdo kohë.

Veprimi ushtarak kundër IS i nevojshëm, por i pamjaftueshëm

Barah Mikhail, politolog në Institutin e Kërkimit të Paqes FRIDE në Barcelonë thotë se problemi në plan afatgjatë nuk mund të zgjidhet ushtarakisht. "Megjithatë ndëkohë nuk po avancojmë as politikisht. Aktualisht gjendja duket e tillë që me IS nuk mund të zhvillosh negociata".

Symbolbild Islamischer Staat
Luftëtarë ISFotografi: picture-alliance/AP Photo

Prandaj IS e vendos bashkësinë ndërkombëtare para sfidave shumë afatgjata, thotë Mikhail në intervistë me DW. Duhen krijuar rrethana që e ndalojnë në plan afatgjatë procesin e rekrutimit nga IS. Simpatizantët dhe mbështetësit potencialë mund t'i ndalosh pa dyshim që të bashkohen me IS, thotë ai. "Por kjo mund të arrihet vetëm po t'i integrosh ata më mirë në Perëndim dhe po të eleminosh në Lindjen e Mesme difekte qendrore si korrupsioni dhe papunësia. Po të mos arrihet kjo, gjithnjë e më shumë njerëz do të ndihen të tërhequr nga IS."

Përballë akteve të mizorisë të IS, Assadi nuk është më për bashkësinë ndërkombëtare armiku numër një. Ndryshe nga xhihadistët, regjimi i tij konsiderohet vërtet ilegjitim, por krahasimisht i parashikueshëm në veprimet e tij - dhe si garant i stabilitetit rajonal, nëse jo ndërkombëtar. "Qeveria Obama-s e ka bërë tashmë të qartë se ajo dëshiron që Bashar al Assadi të qendrojë në pushtet", deklaron Nadim Shehadi. "Ajo nuk do qeveri të re në Siri."