1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Solidaritet ose falimentim shtetëror

7 Shkurt 2012

Zëdhënësi i Komisionit Evropian u bën thirrje me fjalë jashtëzakonisht të ashpra partive greke, që më në fund të pranojnë detyrimet e tyre për kursime dhe reforma dhe t’i zbatojnë ato.

https://p.dw.com/p/13yRa
Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Përfaqësuesit e Komisionit kanë treguar për kohë të gjatë në rastin e Greqisë një durim prej engjëjsh. Dhe zakonisht ata zgjedhin një fjalor shumë të përmbajtur. Mirëpo të dyja këto duket se po marrin fund ngadalë. Prej muajsh BE-ja, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar negociojnë për një paketë të dytë ndihmash dhe Greqia nuk ka zbatuar ende plotësisht as detyrimet e paketës së parë. Këtyre u shtohen dyshime nëse pas zgjedhjeve të gjitha partitë do t'u përmbahen premtimeve. Para së gjithash kryetari i konservatorëve, Antonis Samaras, i lufton ndërkohë krejt hapur masat e reja të kursimit, që kërkojnë huadhënësit ndërkombëtarë prej Greqisë. Bisedimet e udhëheqësve partiakë, të cilët mbajnë në këmbë qeverinë e Lukas Papademosit, nuk sollën rezultat në fundjavë.

Në foto, Antonis Samaras
Në foto, Antonis SamarasFotografi: dapd

Solidaritet ose falimentim shtetëror

Protestat dhe grevat kundër politikës së kursimit janë në Greqi prej muajsh pjesë e jetës së përditshme. Afati për marrëveshje ka kaluar tashmë, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian Amadeu Altafaj të hënën (06.02.) në Bruksel. "Topi është në fushën e autoriteteve greke". Para së gjithash Altafaj vuri në dukje me fjalë jashtëzakonisht të ashpra, se Greqia duhet të shlyejë pjesën e saj të marrëveshjes për ndihmën. Greqia jeton prej një kohe të gjatë mbi mundësitë e veta, tha Altafaj. “Rrjedhoja normale e një situate të tillë duhet të jetë në fakt falimentimi shtetëror.“ Mirëpo Greqia përfiton „prej një solidariteti të pashembullt të partnerëve të vet. Prandaj, e kundërshtoj kategorikisht çdo interpretim që synon të krijojë përshtypjen se dikush po përpiqet t'i diktojë këtu diçka Greqisë." Para së gjithash kjo fjali e fundit mendohet se do ta gëzojë kancelaren gjermane Angela Merkel. Kohët e fundit ajo përballet gjithnjë e më shumë me akuzën, se e arrin marrjen e vendimeve në favor të saj pa e marrë në konsideratë Greqinë.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/DeFodi

Pagë minimale shumë më e lartë sesa në Portugali

Altafaj përmendi sektorë të ndryshëm, në të cilët Greqia duhet të rikuperojë. Disa sektorë ekonomikë janë ende përgjithësisht të mbrojtur kundrejt konkurrencës, tha ai. Dhe Greqia edhe me këtë pagë minimale jeton mbi mundësitë e veta, vijoi ai. Për shkak të 14 pagave mujore, paga minimale greke është në fakt 870 euro në muaj, tha Altafaj. „Për krahasim: Në Portugali (e cila përfiton gjithashtu ndihmë) paga minimale mujore është 566 euro dhe në Spanjë 748 euro.“ Komisioni nuk ka në plan të harmonizojë pagën minimale në Evropë, mirëpo aftësia shumë e dobët konkurruese e Greqisë thjesht nuk i përshtatet kësaj page minimale, gjykon Komisioni. Prandaj është me vend që në këtë diskutim të përmenden edhe shifra të tilla, vijoi zëdhënësi. Përndryshe anëtarët e Komisionit nuk bëjnë kurrfarë komentesh për çështje që nuk bien në kompetencën e tyre. Për këtë arsye, edhe në vërejtjen në lidhje me pagën minimale shihet mbarimi i durimit të Komisionit.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture alliance/ZB

Altafaj tha tërthorazi se grekët nuk mund t'ia vënë fajin për vështirësitë e tyre askujt tjetër përveç vetes. Vështirësitë „nuk janë shkaktuar prej troikës apo prej euros.“ Kriza vetëm sa ka „përkeqësuar probleme kronike, që kanë ekzistuar üër shumë vite në ekonominë greke.“

Autorë: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti