1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Keqardhje! Reagime të politikës gjermane pas dorëheqjes së presidentit gjerman Horst Köhler

31 Maj 2010

Përfaqësues të partive gjermane u shprehën me keqardhje pas dorëheqjes së presidentit Köhler. Ata theksuan respektin e tyre të veçantë për kontributin e presidentit gjerman.

https://p.dw.com/p/Ne3D
Köhler ishte i tronditur kur lexoi deklaratën e dorëheqjesFotografi: picture alliance / dpa

Lajmi për dorëheqjen e presidentit gjerman, Horst Köhler solli shumë ndryshime në axhendat e kryeqytetit: Ministri i Jashtëm dhe kryetari i partisë liberale, Guido Westerwelle, për këtë shkak e anuloi konferencën e shtypit me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç, ndërsa kancelarja Angela Merkel, ndërpreu udhëtimin e saj për në Tirolin e Jugut, ku do të shkonte të inkurajonte kombëtaren gjermane në prag të kampionatit të futbollit në Afrikën e Jugut.

Merkel: Më vjen jashtëzakonisht keq për këtë dorëheqje

Në një deklaratë të bërë të hënën (31.05) mbasdite para gazetarëve, Merkel tha se lajmi e kishte befasuar. „U përpoqa t’ia ndryshoja mendjen, por për fat të keq nuk arrita", rrëfeu ajo më tej. „Me vjen jashtëzakonisht keq për këtë dorëheqje. Mendoj se njerëzit në Gjermani do të jenë të trishtuar, sepse Horst Köhler, ishte presidenti i njerëzve, i qytetareve dhe qytetarëve në Gjermani."

Guido Westerwelle im Libanon
Ministri i Jashtëm, Guido WesterwelleFotografi: AP

Ministri i jashtëm Westerwelle tha se ishte përpjekur t'ia kthente mendjen presidentit në një bisedë telefonike: “Presidenti e mori këtë vendim, më vjen shumë keq për të, por na duhet ta respektojmë. Falënderoj presidentin per punën e bërë në vitet e fundit për shtetasit tanë”, tha më tej kryetari i partisë liberale dhe zëvendëskancelari Westerwelle.

Keqardhje për këtë vendim, që vjen pikërisht në një fazë shumë kritike për Gjermaninë - kriza financiare dhe e euros, papunësia e lartë - shprehu edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Sigmar Gabriel: "Nuk jam patjetër dakord me deklaratat e tij, por unë e çmoj shumë punën e tij si president".

Më pak keqardhëse u shpreh E Majta. Kryetarja e Partisë së Majtë, Gesinne Loetzsch, tha se me deklaratat e tij për angazhimin e ushtarëve gjermanë në Afganistan Köhler nuk pat thënë asgjë tjetër, veç të vërtetën: “I bëj thirrje zonjës Merkel që ta marrë këtë dorëheqje të Horst Köhler-it si sinjal për të ri-menduar edhe më mirë politikën e jashtme të Gjermanisë dhe që të angazhohet për t'i dhënë fund çdo misioni luftarak, e sidomos atij të Afganistanit.”

Ndërsa Të Gjelbrit treguan keqardhje për vendimin, por kritikuan faktin që ai u tërhoq mbas kritikës së parë: „Kush bën vetë kritika, duhet të përballojë edhe kritika, kjo është pjesë e demokracisë", tha kryetari i „Të Gjelbërve", Cem Özdemir.

Intervista që u bë shkas për dorëheqjen e presidentit

Köhler dha dorëheqjen të hënën (31.05) në mesditë, për shkak të një interviste dhënë më 22 maj mbas kthimi të tij nga Afganistani. Për radion kombëtare Deutschlandradio Kultur ai pat thënë ndër të tjerash se „një vend i madhësisë sonë dhe me këtë orientim të tregtisë së jashtme duhet ta dijë, se ndoshta në raste të jashtëzakonshme është i nevojshëm edhe angazhimi ushtarak për të mbrojtur interesat tona, si për shembull rrugët e lira tregtare...".

Kjo deklaratë u kritikua ashpër nga opozita, ndërsa përfaqësuesit e pozitës nuk patën reaguar. Socialdemokrati, Sigmar Gabriel e shpjegoi dorëheqjen e presidentit Köhler pikërisht me këtë mungesë mbështetjeje nga ana e atyre që e kishin sjellë atë në post, gjashtë vjet më parë. E pyetur për heshtjen e saj për deklaratat e Köhler-it ndaj Afganistanit, Merkel tha se asaj si kancelare nuk i takonte të komentonte deklaratat e një organi tjetër kushtetues.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi