1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kerry në Berlin: Megjithë aferën e përgjimit, palët shohin përpara

Lindita Arapi1 Shkurt 2014

Kancelarja Merkel nuk dyshon në rëndësinë e partneritetit SHBA- Gjermani. Afera e NSA-së lihet mënjanë. Edhe ministri i Jashtëm amerikan Kerry i cili vizitoi të premten Berlinin, preferon të shohë drejt së ardhmes.

https://p.dw.com/p/1B1AA
Fotografi: Reuters/Tobias Schwarz

Gjendja në Siri dhe Ukrainë dhe jo afera e përgjimit të shërbimit sekret amerikan, NSA ishin në qendër të bisedimeve të kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të Jashtëm amerikan, John Kerry të premten (31.01) në Berlin. Para takimit me Merkel, Kerry pohoi se ka disa pengesa në marrëdhëniet bilaterale, por dominojnë vlerat e përbashkëta të krijuara për disa dhjetëvjeçarë.

Ndërsa Kancelarja Merkel, celulari i së cilës ka qenë përgjuar nga NSA, deklaroi para bisedimeve, se "ajo do të trajtojë temën e aktiviteteve të NSA-së dhe bashkëpunimin e shërbimeve tona". Megjithatë edhe ajo bëri të qartë se rëndësia e jashtëzakonshme e partneritetit transatlantik as që vihet në dyshim.

John Kerry në Berlin me kancelaren Merkel
John Kerry në Berlin me kancelaren MerkelFotografi: Getty Images/Afp/Brendan Smialowski

Paralajmërim Asadit

Edhe ministri i Jashtëm amerikan nuk u ndal gjatë në aferën e spiunazhit. Dallimet që ekzistojnë në këtë drejtim do të shuhen, tha ai. Kerry, i cili pas takimit edhe me ministrin e Jashtëm gjerman, Steinmeier u nis drejt Konferencës së rëndësishme të Sigurisë në Mynih, e përdori daljen para mediave për t'i drejtuar një paralajmërim të qartë presidentit sirian, Bashar al-Asad. Udhëheqja e Damaskut nuk po i largon armët kimike nga vendi, aq shpejt sa ç'premtoi, tha Kerry. Ai kujtoi edhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe kapitullin VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës në rastin e një kërcënimi të paqes botërore, parashihen sanksione deri në ndërhyrje ushtarake.

Pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman, Steinmeier, Kerry vuri në dukje, se "të gjitha opcionet janë ende mbi tryezë." Ndërsa Steinmeier bëri të qartë se Siria duhet të plotësojë të gjitha detyrimet e saj. Në rast se nuk e bën këtë, Siria luan edhe me besueshmërinë e Rusisë, vend që luajti një rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes për armët kimike.

Ndërsa lidhur me konfliktin në Ukrainë të dy ministrat e Jashtëm i drejtuan një thirrje palëve t'i rikthehen dialogut politik. Kerry në kuadër të konferencës së sigurisë në Mynih takon edhe liderin e opozitës ukrainase, Vitali Klitshko.

Kerry takon ministrin e Jashtëm gjerman, Steinmeier
Kerry takon ministrin e Jashtëm gjerman, SteinmeierFotografi: picture-alliance/dpa

Mbështetja përtej Atlantikut

"SHBA e mbështet synimin e Gjermanisë për të luajtur një rol më të madh në arenën e politikës botërore", tha John Kerry pas takimit me Steinmeier. Edhe ministri i jashtëm Steinmeier ishte mjaft i përzemërt: "Gëzohem, John, që po të përshëndes këtu", tha ai. Takimi i dy homologëve u zhvillua në aeroportin e Berlinit për shkak të axhendës së ngjeshur të dy politikanëve. Që në fillim të fjalës së tij, Steinmeier kujtoi urën ajrore transatlantike, e cila në kohën e Luftës së Ftohtë i mundësoi gjermanëve mbijetesës në Berlinin perëndimore. Partneriteti amerikano-gjerman nuk vihet ndonjëherë në dyshim, edhe pse në disa çështje kemi opinione të ndryshme, tha Steinmeier.