1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina do të shpëtojë euron

2 Shkurt 2012

Kina do të shqyrtojë mundësinë e një angazhimi më të madh në stabilizimin e euros, deklaroi kryeministri kinez Wen Jiabao. Por gjermanët, sipas një sondazhi, nuk janë dakord me rritjen e pushtetit financiar të Kinës.

https://p.dw.com/p/13voZ
Merkel dhe Jiabao dpa 29340965
Merkel dhe JiabaoFotografi: picture-alliance/dpa

Pas takimit me kancelaren Angela Merkel në Pekin ai tha se vendi i tij po e shqyrton mundësinë e një pjesëmarrje më të madhe në ombrellat e shpëtimit të euros EFSF dhe ESF. Deri tani nuk dihet se si do të dukej kjo pjesëmarrje më e madhe e Kinës në këto ombrella. Por kryeministri tha se Kina i mbështetur përpjekjet e Evropës për stabilizimin e euros.

Evropa duhet të vazhdojë reformat dhe të shlyejë borxhet, shtoi ai. Kancelarja Merkel më parë në një fjalim në Akademinë e Shkencave Sociale ka kërkuar një besim më të madh ndaj BE-së dhe euros. Kancelarja Merkel gjendet për vizitë treditore në Kinë, ku do të takohet edhe me presidentin e vendit dhe shumë autoritete të tjera.

Merkel mbërrin në Kinë
Merkel mbërrin në KinëFotografi: picture-alliance/dpa

Gjermanët nuk janë dakord me dorën kineze të ndihmës

Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë vizitës në Kinë përpiqet të grumbullojë ndihma për shpëtimin e euros. Por shumica e gjermanëve nuk janë dakord që t'i shpëtojë Kina nga kriza e euros. Frika nga një rritje e influencës kineze nga superfuqia e re është më e fortë se nevoja aktuale. Në një sondazh të organizuar nga Emnid në bashkëpunim me televizionin gjerman N24, 68% e gjermanëve nuk e shohin me sy të mirë, nëse kinezët shpëtojnë euron. Vetëm 26% janë dakord me dorën e ndihmës nga Kina.


Autor: Agj/Cani
Redaktoi: Lindita Arapi