1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klimë e acaruar politike në Shqipëri

9 Dhjetor 2009

Në Shqipëri ditët e fundit është acaruar së tepërmi situata politike. Nga dy partitë kryesore, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, po shkëmbehen kritika dhe akuza të forta.

https://p.dw.com/p/Ky7Y
Deklarata të nxehta, akuza të ndërsjellta për korrupsion ofrojnë përditë politikanët shqiptarë.
Deklarata të nxehta, akuza të ndërsjellta për korrupsion ofrojnë përditë politikanët shqiptarë.Fotografi: DW

Deklaratat e nxehta, akuzat e ndërsjellta për korrupsion, për shkeljen e ligjit dhe të kushtetutës, për të kaluarën dhe të tashmen e jetës private, por dhe për probleme mentale të politikanëve - janë bërë thuajse një meny e përditshme në aktualitetin politik shqiptar. Këtë zjarr që vjen nga tribunat e foltoret e politikës e përcjell me pasion të veçantë pjesa më e madhe e medias.

Nga publiku zhvillimet e politikës ndiqen në mënyra të ndryshme. Nuk mungojnë fansat e simpatizantët e politikës, të cilët përpijnë çdo fjalë e deri gërmë nga deklaratat e fjalori i përfaqësuesve të partive. Ka nga ata njerëz që shprehen kritikë për sjelljen e politikës. Ndërkohë që jo pak qytetarë shprehin indiferencë për atë që ndodh në sallën e parlamentit, në takimet e politikanëve me mbështetësit, apo aktivitete të ndryshme në Tiranë e rrethe të tjera të vendit.

Roland Lami, pedagog i psikologjisë.
Roland Lami, pedagog i psikologjisë.Fotografi: DW

-Të them të drejtën, sa vjen dhe çdo ditë ndjehemi të zhgënjyer nga politikanët tanë. Sa ndez televizorin dhe më dalin pot ë njëjtat portrete dhe po të njëjtat debate. Është bërë diçka e mërzitshme. Do të ishtë më mirë që të kishim emisione me çështje sociale sesa politikë, politikë, politikë…

-Tashmë jemi të lodhur nga politika. Nuk është se jam shumë e interesuar dhe nuk i ndjek rregullisht zhvillimet politike. Gjithësesi gjerat kryesore, për të cilat jam e interesuar mundohem që unë t`i ndjek.

-Jo, jo nuk para i ndjek.Nuk më interesojnë fare!...

-Po të njëtat gjëra përditë dhe këto realisht që të lodhin. Nuk e di se çfarë mund të presim nga kjo politikë, e cila lufton me njera tjetrën sikur të ishin armiq. Në fakt jemi të gjithë shqiptarë dhe të gjithë duhet të luftojmë për të mirën e Shqipërisë. Dhe jo për të mirën e njeri tjetrit. Të luftojmë që të ecim përpara ne si Shqipëri.

Për pedagogun e sociologjisë Roland Lami debati i ditëve të fundit në pjesën më të madhe është i personalizuar. Duke folur për DW, Lami e përshkruan stuhinë e deklaratave, me një stad të caktuar kulturor të shoqërisë shqiptare. “Ne kemi kaluar nga faza e agresivitetit fizik, në fazën e agresivitetit verbal. Në sociologjinë e komunikimit kjo trajtohet në sensin që individët për shkak të mospërputhjes së interesave të tyre në raport me ato që gjejnë tek kundërshtarët. Në momentin kur ata nuk shikojnë përplasjen fizike si zgjidhje kalojnë në stadin tjetër tek dhuna verbale. Por këtu ka një problem etik. Për shkak se kjo fazë verbale e cila shkarkohet nëpërmjet fjalëve, nëpërmjet zhargonëve, elementëve fyes, krijon një presion psikologjik tek njerëzit, tek audienca. Dhe tek vetë ata që e bartin”.

Të rinj në Tiranë.
Të rinj në Tiranë.Fotografi: Arben Muka / DW

Sipas pedagogut të psikologjisë Roland Lami, ndaj këtij fenomeni nuk vepron asnjë lloj kodi i etikës, apo penaliteti për individët që flasin dhe shajnë ç'të mundin. Atëhere gjithçka kthehet në modë dhe bëhet një sjellje e natyrshme nga politikanët. Sipas Lamit ata në pjesën më të madhe aktrojnë para publikut. Ky është tregues se politikanët kanë hequr dorë nga programet, alternativat e strategjitë, duke u fokusuar tek jetët përsonale të kundërshtarëve dhe duke ja servirur këtë publikut. “Këtu kemi të bëjmë akoma me një mentalitet që na trashëgohet nga e kaluara. Sipas të cilës shoqëria shqiptare ka akoma interes të dijë nga jeta personale e dikujt tjetër. Aktorët politikë shqiptarë këtë e dinë shumë mirë dhe tentojnë që problematikën politike ta kufizojnë tek jeta personale, biografia e dikujt. Duke menduar se publiku i gjerë pikërisht për këtë ka interes”.

Sipas Lamit kur debati i personalizuar do të shterret, atëhere do të kuptohet qartë se gjithshka ka qënë e panevojshme, e pavlerë për publikun. Dhe ai që humb në këtë rast është pikërisht qytetari, qoftë fans apo indiferent ndaj zhvillimeve politike. “Sepse ai nuk merr zgjidhjet konkrete të nevojave jetësore me të cilat ndeshet në jetën e përditshme. Politika është futur si në një rreth vicioz nga ku gjen gjithçka. Por vetëm angazhim e zgjidhje reale për problemet e komunitetit nuk mund të priten”, thotë Roland Lami për DW.

Autor : Arben Muka

Redaktoi : Aida Cama