1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Klima e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë e Kosovës

Arben Muka12 Shkurt 2016

Përfaqësues të biznesit në Shqipëri e Kosovë janë angazhuar në projekte për liberalizimin dhe thjeshtimin e procedurave fiskale, tatimore dhe doganore si dhe për harmonizimin e sistemit të taksimit në dy vendet.

https://p.dw.com/p/1HuMo
Albanien Deutschland Wirtschaftsflucht
Fotografi: DW/A. Ruci

Ndryshimi në shifra është i dukshëm. Volumi i eksporteve nga Shqipëria drejt Kosovës për vitin 2015 ishte 11.4 % më shumë se një vit më parë. Në strukturën e mallrave “Made in Albania” që kalojnë traun e doganave të Republikës së Kosovës më të preferuar mbeten metalet e rënda, giza dhe çeliku, si dhe lëndët djegëse e mineralet. Tregu kosovar parapëlqen edhe produktet bujqësore, fruta dhe perimet nga Shqipëria. Por tutje shifrave, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë në marrëdhëniet mes dy vendeve shohin përveç pavarësisht të klimës ende problematikë dhe resurse të pashfrytëzuara.

Jo vetëm shkëmbime tregtare, por dhe projekte investimesh

Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, i përshkruan mardhëniet ekonomike dhe tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës si të dëshiruara për të dy anët e kufirit dhe për të dy komunitetet e biznesit. Bregasi shikon mundësi rritjeje të tyre dhe shpjegon për Deutsche Welle-n disa arësye se përse kooperimi është intensifikuar:

“Së pari, mentalitetet përgjithësisht të njëjta të kompanive shqiptare dhe atyre të Kosovës krijojnë marrëdhënie besimi dhe me ndikim për të investuar në mënyrë reciproke. Së dyti, Porti i Durrësit dhe Autostrada Durrës-Prishtinë ka lehtësuar trasportin e mallrave nga njeri destinacion te tjetri dhe kanë ndikuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare. Së treti, mjaft kompani shqiptare dikur kishin përfaqësi të kompanive të tyre në Kosovë, ndërsa tani kanë hapur degë, filiale të regjistruara në zyrat e tatim-taksave dhe kryejnë veprimtari të rregullt ekonomike financiare. Së katërti, duhet theksuar se këto dy tre-vitet e fundit mjaft kompani nga Kosova kanë investuar kapitalet e tyre në Shqiperi si p.sh. kompania ELKOS GROUP dhe DEVOLLI GROUP, të cilat kanë projekte dhjetra milonë Euro për të investuar. Pra, nuk kemi vetëm shkëmbime tregtare midis dy shteteve, por dhe projekte investimesh që po vijnë në rritje.

Luan Bregasi
Presidenti i BiznesAlbania, Luan BregasiFotografi: Privat

Heqja e tarifave dhe barrierave doganore

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, i referohet informacioneve dhe vlerësimeve që ka organizata e tij, që siç thotë ai, është lajm i mirë që muajt e fundit nuk pasur raste konflitesh, ndërprerjesh, a precedentë negativë në marrëdhëniet ekonomike e tregtare mes dy anëve të kufirit. Nga aspekti i imazhit jemi mirë, por kjo nuk do të thotë që në terma konkretë kemi kapur pritmëritë në nivelin e kooperimit dypalësh, thotë Jaka për Deutsche Welle-n.

“Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës i mbetet opcionit se ajo që do të intensifikonte marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës është heqja e tarifave dhe barrierave doganore, e thënë me fjalë të tjera, heqja e kufijve doganorë për mallrat ose transportin e udhëtarëve. Mes komuniteteve të biznesit të dy shteteve ka në nivele të ndryshme nisma e projekte konkrete të përbashkëta, të cilat ndikojnë pozitivisht në rritjen e kapaciteteve të tregut e për rrjedhojë të ofertë kërkesës. Treguesi i zmadhimit të volumit të investimeve është rrjedhojë e ndërgjegjësimit të grupeve tona të interesit, por ama resurset e pashfrytëzuar mbeten sërish të mëdha”.

Nikolin Jaka
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin JakaFotografi: DW/Arben Muka

Nikolin Jaka përmend akordet mes Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe Odës Ekonomike të Kosovës, të cilat kanë si prioritete liberalizimin dhe thjeshtimin e procedurave fiskale, qoftë tatimore qoftë doganore; njehsimin e sistemit të taksimit dhe ajo që përmendet gjithmonë në takimet mes tyre: heqja e kufijve doganorë mes dy vendeve.

“Nga Tirana zyrtare dhe Prishtina zyrtare pritmëria jonë është që të ketë një strategji të prekshme, konkrete, komplementare për nxitjen e investimeve në ato fusha që kanë potencial zhvillimi të qendrueshëm”- thotë Jaka.

Agjendë të përbashkët kanë dhe BiznesAlbania në Tiranë, si organizata më e madhe dhe më përfaqësuese e punëdhënësve në Shqipëri dhe shoqata “Aleanca e Bizneseve të Kosovës”, të cilat organizojnë takime pune dhe analiza. Luan Bregasi thotë se me pjesëmarrjen edhe të drejtorëve të doganave nga të dy shtetet dhe kryeministrin Edi Rama, u është rekomanduar qeverive për zgjidhjen e problemeve që kanë doganat në Shqipëri dhe Kosovë.

“Kemi promovuar kompani të suksesshme shiptare në Kosovë dhe ato të Kosovës në Shqipëri. Së bashku me homologët tanë kemi krijuar Dhomën Kombëtare Tregtare me biznesmenë nga të dy anët e kufirit, si një institucion që ndihmon, mbështet dhe zgjidh problemet që kanë bizneset”.

Konteksti rajonal, për tërheqjen e investimeve të huaja

Nikolin Jaka nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës shikon edhe më gjerë marrëdhëniet mes dy vendeve, në kontekstin politik rajonal dhe në procesin e integrimit evropian. Sipas tij, Konferenca e Berlinit, ajo e Vjenës dhe vijimi i kësaj iniciative të bashkëpunimit rajonal që mbështet fuqishëm nga Gjermania dhe vendet anëtare të BE-së e kanë nxjerrë më shumë se asnjëherë në dukje domosdoshmërinë mes integrimit në rradhë të parë të vendeve aspirante për t'u bërë pjesë e familjes evropiane.

“Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina janë nën presionin pozitiv të BE-së për ndërmarrjen e iniciativave të përbashkëta për zhvillimin, për ta bërë këtë pjesë të rajonit sa më artaktive për investimet e tyre dhe të huaja, për të cilat ka shumë nevojë. Komuniteti i biznesit beson se po të ketë përgjegjshmëri dhe seriozitet nga autoritetet e gjashtë vendeve mbështetja e BE-së do të jetë eficente dhe me impakt të shpejtë” – thotë për Deutsche Welle-n, Nikolin Jaka.