1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koalicioni qeverisës në Kosovë do të vazhdojë

20 Nëntor 2009

PDK dhe LDK-së, gjatë gjith natës së shkuar kanë shqyrtuar mundësinë e prishtjes së koalicionit, por në fund vendosën që të vazhdojnë qeverisjen.

https://p.dw.com/p/KbmX
Fotografi: AP

Shumë zhurmë për asgjë. PDK-ja, e cila vetëm disa orë më parë tha se do ta rishqyrtojë koalicionin me LDK-në, sapo njoftoi se do të vazhdojë koalicionin. Në një komunikatë të shkruar thuhet se kjo parti mbetet e përkushtuar për stabilitetin funksional të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës dhe procesin e shtetndërtimit. Partneriteti i koalicionit në nivel qendror mbetet i konsoliduar dhe i pacenueshëm e funsional, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

PDK thuhet më tej do të vazhdojë përkushtimin në filozofinë e shtetndërtimit dhe unitetit në prag të rishqyrtimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Hashim Thaçi
Hashim ThaçiFotografi: AP

Zgjidhet kriza disaorëshe

Në të njetën kohë përgjigjet edhe LDK-ja, e cila thotë se do të vazhdojë të angazhohet me përgjegjësi për funksionimin dhe zbatimin e obligimeve shtetërore që dalin nga partneriteti në nivel qendror, e që është e rëndësisë parësore për funksionimin e institucioneve qendrore shtetërore të Republikës së Kosovës, presidencës, parlamentit dhe qeverisë, në pajtim me kushtetutën dhe ligjin.

Shkak lidhja e LDK dhe AAK-së në qytetin e Prizrenit

E gjithë zhurma rreth mundësisë së prishjes së koalicionit ndodhi gjatë natës së shkuar dhe shkas u morr lidhja e një koalicioni në nivel lokal ndërmjet LDK dhe AAK-së, në qytetin e Prizrenit. PDK-ja, e cila udhëheq me qeverinë, konstatoi se LDK-ja nuk i është përmbajtur një marrëveshjeje që të dyja partitë të garojnë të vetme në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Kjo ishte pse Hajredin Kuci, nënkryetar i PDK, tha se marrëveshja e koalicionit do të rishqyrtohet. “Ne kemi konstatuar shkelje të marrëveshjes që ka bërë LDK-ja që të dalim të vetme në zgjedhje lokale. Meqë LDK-ja nuk i është përmbajtur kësja marrëveshjeje ne kemi vendosur ta rishqyrtojmë apo riformnatizojmë koalicionin qeverisës në nivel qëndror”, thotë Hajredin Kuqi.

Prishtina
PrishtinaFotografi: DW

LDK e befasuar

Të befasuar nga ky qëndrim i PDK-së, u ndie LDK-ja. Ramë Manaj, nënkryetar i LDK-së njëherësh edhe zëvëndëskryeministër në qeverinë Thaçi, tha përmes telefonit, se për këtë vendim të partnerit të koalicionit është njoftuar shkurt me telefon nga kolegu i tij Hajredin Kuqi. ”Zëvendëskryeministri Kuqi më mori në telefon dhe ma tha një fjali të vetme: Kemi bërë koalicion me LDD-AKR, kaq. Të lutem e njofton Presidentin. Asgjë më shumë. Fillimisht unë mendoja se është fjala për koalicionin nëpër komuna, por në të vërtetë duket që Partia Demokratike e Kosovës e ka marrë këtë vendim me strukturat e veta", thotë Ramë Manaj.

Aleanca Kosova e Re që drejtohet nga Behxhet Pacolli dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, që drejtohet nga Nexhat Daci, nuk dinin asgjë dhe ata thanë se vetëm nga mediat kanë dëgjuar për mundësinë e prishjes së koalicionit.

Pas disa ditësh Haga merret me akuzën e Serbisë

Mundësitë për lëkundje në koalicionin qeverisës janë diskutuar edhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 15 nëntorit, e cila u shoqërua nga një gjuhë e ashpër ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës me kreministër Hashim Thaçin.

Hashim Thaçi u bë kryeministër i Kosovës pas zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit të vitit 2007 kur partia e tij doli e para duke lënë në vendin e dytë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në janar të vitit 2008, dy partitë më të mëdha, rivale të vjetra, arritën marrëveshjen e koalicionit. Një muaj më vonë më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë, e cila është njohur nga 63 vende të botës, dhe kundërshtohet ashpër nga Serbia, e cila ka kërkuar që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë një opinion mbi ligjshmërinë e saj.

Autor : Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama