1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kodi i Punës në Shqipëri do të përmirësohet sipas standarteve evropiane

18 Prill 2009

Kodi i Punës është miratuar në parlamentin e Shqipërisë rreth 13 vite më parë. Ai hyn në aktet ligjore më të rëndisëshme të një vendi. Megjithatë përmbajtja e tij nuk i përgjigjet aktualitetit.

https://p.dw.com/p/HZZt
Logo e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO
Logo e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILOFotografi: AP GraphicsBank

Ndërkohë që grupet e interesit kanë kërkesa të reja, Shqipëria është në procesin e integrimit evropian andaj duhet të përafrojë dhe legjislacionin në këtë aspekt.


Zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sulka, është marrë me Kodin qysh në variantin e parë të vitit 1996. Ai tashmë drejton grupin e punës që po merret me përmirësimet dhe amendimet e Kodit. Ai thotë për DW-në se në këtë grup ekspertësh marrin pjesë shumë aktorë të interesuar. "Në rradhë të parë nga punëmarrësit dhe punëdhënësit, por dhe nga sistemi gjyqësor, akademikë të kësaj fushe dhe përfaqësues nga institucionet që kanë lidhje me zbatimin e legjislacionit".


Gjithashtu grupi i punës do të asistohet dhe nga ekspertë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO. Kjo është një përvojë bashkëpunimi e hershme me këtë organizatë ku çdo element ligjor në çështjet e marrëdhënieve të punës konsultohet qysh në fazën e propozimit, të konceptimit dhe hartimit me strukturat e ILO-s.


"Eshtë një kërkesë e jona që Kodi i Punës të asitohet nga ky organizëm, edhe për faktin e ballfaqimit e ratifikimit me përvojat e vendeve të tjera. Eshtë përafrim me kërkesat që ka Karta Sociale Evropiane dhe nevoja për përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë. Eshtë pjesë e detyrimeve që ka vendi ynë në këtë proces. Përveç ILO-s kemi asistencë dhe nga projekte të ndryshme të BE-së që merren me këto probleme. Veçanërisht me mbështetjen e BE-së jemi duke punuar për legjislacionin që ka shumë lidhje me Kodin e Punës, që është për mbrojtjen dhe sigurinë në punë, apo inspektoriatin e punës", thotë për DW-në, Sulka.

Kastriot Sulka, Zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Kastriot Sulka, Zëvendësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, është marrë me Kodin qysh në variantin e parë të vitit 1996Fotografi: DW/ Arben Muka



Por në cilat aspekte pritet të bëhen ndërhyrje në Kodin ekzistues të Punës?.



"Ka patur propozime nga punëdhënësit pasi legjislacioni nuk u jep atë fleksibilitetin e nevojshëm në rregullimin e marrëdhënieve të punës. Nuk po hyj në detaje këtu, pasi çdo propozim do të diskutohet në grupin tonë dhe nuk është e thënë që çdo mendim i punëdhënësit të pëlqehet e miratohet nga punëmarrësi, organizimet sindikale. Edhe vetë punëmarrësit kanë propozimet e tyre. E rëndëishme është dhe fakti i propozimeve që kanë ardhur nga shoqëria civile, nga orgnizatat jofitimprurëse. Kjo është risi. Psh ato që merren me çështje të barazisë gjinore", thotë zëvëndësministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta.


Kodi i Punës është pjesë e legjislacionit që miratohet nga parlamenti me shumicë të cilësuar, ose me 3/5 e votave të përgjithshme. Kjo sipas eskpertëve dikton dhe një proces përgatitor të shtrirë në kohë dhe që për çdo pjesë të ketë një konsensus sa më të gjërë në ndryshimet që do të ofrohen.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Esat Ahmeti