1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

USA 112. Kongress

6 Janar 2011

Të mërkurën (5.1.) në Uashington DC filloi punën Kongresi i 112-të i SHBA-së. Republikanët kanë shumicën në dhomën e përfaqësuesve, njëra nga të dy dhomat e Kongresit. Ata mund të bllokojnë iniciativa ligjore të Obamës.

https://p.dw.com/p/zuBd
Capitol Hill në UashingtonFotografi: Illuscope

Me një lutje hapi prifti Daniel Coughlin seancën e parë të dhomës së përfaqësuesve. "Dhëntë Zoti që deputetët të bëhen një instrument i mirësisë së Tij", tha Coughlin në lutjen e tij. Ata duhet të respektojnë ligjet dhe të mos diktohen nga rezultatet e sondazheve, por t'i shërbejnë të mirës së përbashkët. Më pas 434 deputetët iu kthyen çështjeve tokësore: votimit për zgjedhjen e zëdhënësit të tyre.

Ishte një formalitet. Republikanët, të cilët në zgjedhjet e kaluara për Kongresin në muajin nëntor fituan 63 vende më shumë, duke marrë kështu shumicën, votuan njëzëri për kandidatin e tyre John Boehner. Kështu 61 vjeçari nga Ohio, në Kongres që prej 20 vjetësh, mundi të bënte betimin në funksionin e tij të ri.

John Boehner Capitol Hill Vereidigung
John Boehner duke shkuar për të bërë betimin (05.01.'11)Fotografi: AP

Sfida të mëdha - koha e "business as usual' ka marrë fund

Qysh më parë Boehner kishte bërë të qartë, se në dhomën e përfaqësuesve po fryn një erë e re dhe se përpara deputetët kanë "shumë punë dhe vendime të vështira". "Nuk duhet të dështojmë më, nuk mund të luajmë më me kohën, populli ka vendosur t'i japë fund praktikave 'business as usual' dhe sot ne do të fillojmë të vëmë në jetë udhëzimet e tij."

Republikanët e kuptojnë fitoren e tyre elektorale si një mandat për të kthyer mbrapsht reformat e miratuara nga Kongresi i mëparshëm, e para së gjithash reformën në shëndetësi. Javën e ardhshme do të mbahet për këtë një votim, i cili ka para së gjithash karakter simbolik. Për të hyrë në fuqi ligjet duhet të miratohen edhe nga Senati, i cili gjithashtu mbajti seancën e tij të parë. Në Senat shumicën e kanë demokratët. Dhe në fund presidenti mund të vendosë veton e tij.

Por republikanët janë tashmë ata, që përcaktojnë rregullat e lojës në dhomën e përfaqësuesve. Që në ditën e parë të punës ata miratuan një sërë ndryshimesh proceduriale. Ato e bëjnë më të lehtë shkurtimin e shpenzimeve qeveritare dhe uljen e tatimeve, dy nga prioritetet e konservatorëve.

Robert Gibbs Pressesprecher Weißes Haus
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert GibbsFotografi: AP

Demokratët të vetëdijshëm për furtunën që i pret

Në fund të vitit të kaluar presidenti Obama ia doli mbanë të kalonte në Kongres disa iniciativa të rëndësishme ligjore. Por tani ai do ta ketë të vështirë, veçanërisht sa i takon reformave të planifikuara të politikës së migracionit dhe sektorit të energjisë. Demokratët dhe republikanët duhet të arrijnë kompromise, ndryshe kërcënon ngecja në vend. Robert Gibbs, zëdhësi i Obamës, deklaroi të mërkurën (5.1.) se në Shtëpinë e Bardhë janë të vetëdijshëm, që dy vitet e ardhshme do të jenë ndryshe nga të kaluarit.

Ndryshime do të ketë edhe në personel në Shtëpinë e Bardhë. Gibbs do të largohet nga posti muajin e ardhshëm, kryekëshilltari David Axelrod do të merret me fushatën elektorale 2012. Paul Volcker, ish-shefi i Bankës Federale, do të japë dorëheqjen nga posti i këshilltarit ekonomik të presidentit. Pra letrat do të përzihen sërish.

Autor: Christina Bergmann/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi