1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kombëtarja shqiptare e futbollit ndeshet me ekipin e Bosnjes

8 Tetor 2010

Dy takime të rëndësishme zhvillohen këtë fundjavë në grupin D të eliminatoreve për Kampionatin Evropian të Futbollit 2012: në Tiranë përballen Shqipëria me Bosnje-Hercegovinën dhe në Paris takohen Franca me Rumaninë.

https://p.dw.com/p/PYEe
Fotografi: AP

Për Shqipërinë ky ka qenë starti më i mire në eliminatore me 4 pikë nga dy ndeshje, pas barazimit 1:1 në Rumani dhe fitores 1:0 ndaj Luksemburgut. Ja se çfarë e bën të veçantë ndeshjen me Bosnjën sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka:

“E veçanta është që ne, si rrallë here, jemi në krye të klasifikimit dhe luajmë kundër një kundërshtari goxha të fortë dhe me lojtarë shumë të mire, me pretendimin për t'u kualifikuar. Mendoj që ne kemi bërë çdo gjë mirë për ta bërë mirë këtë ndeshje. Pavarësisht se konsiderohet si favorit Bosnja, në Tiranë çdo ekip që ka ardhur, edhe ekipe më të fortë se Bosnja, e ka pasur shumë të vështirë. Kështu që duke qenë në fushën tonë, para spektatorit tonë dhe me një moblizim total mendoj që do bëjmë një ndeshje të mirë dhe do ia dalim.”

Stadiumi "Qemal Stafa" në Tiranë.
Stadiumi "Qemal Stafa" në Tiranë.Fotografi: DW

Deri tani në ndeshjet e vetme miqësore që janë luajtur Shqipëria ka fituar një herë ndaj Bosnjës 2:0 në vitin 1995 dhe ka barazuar në 1996-ën 0:0 në Bosnje. Por detyra për kombëtare shqiptare bëhet më e vështirë pas hemorragjisë cerebrale që pësoi një javë më parë trajneri kroat i Shqipërisë Josip Kuže. Presidenti Duka:

“Po, para ndeshjes kemi qenë pa fat, kemi humbur trajnerin, kemi humbur qendërmbrojtësin, i cili ka pasur një dëmtim dhe operacion në gju. Gjithsesi këto janë gjëra që ndodhin në futboll, ndoshta jo kaq të rënda sa ajo me trajnerin. Por ekipi duhet t'i plotësojë tani boshllëqet e krijuara nga kjo mungesë vlerash. Asnjëherë në futboll nuk je 100% me ato që ke, se ka gjithnjë ndonjë mungesë, për arsye dëmtimesh apo kartonash. Pra nuk duhet t'i shohim këto si tragjike por të përgatitemi dhe të luajmë ndeshjen sa më mirë.”

Bosnja shkon në Tiranë me pretendime, por e përmbajtur. Kapiteni i Volfsburgut, sulmuesi Edin Džeko thotë: "Me Shqipërinë duhet të kemi kujdes. Nuk do të jetë e lehtë. Pres që të jetë një ndeshje e vështirë. Nuk po them se nuk mund të fitojmë, sigurisht jemi në gjendje, por duhet të jemi realistë."

Kombëtarja shqiptare ka në dispozicion për ndeshjen e nesërme këta lojtarë: portierë: Beqaj , Hidi, Ujkani; Mbrojtës: Lila, Dallku, Vangjeli, Agolli, Teli, Cana, Vrapi, Beqiri; mesfushorë: Bulku, Lala, Skela, Duro, Hyka, Lika, Vila, Muzaka, Bakaj; sulmues: Bogdani, Salihi, Kapllani.



Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani