1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: BE - një ëndërr politike

Alexander Kudascheff24 Maj 2014

Ka shumë shkaqe me vend për ta kritikuar Bashkimin Evropian. Aleanca e të 28-ëve mbetet megjithatë një ëndërr politike, mendon Alexander Kudascheff.

https://p.dw.com/p/1C5Rk
Alexander Kudascheff, kryeredaktor i DW
Fotografi: DW/M. Müller

Është e lehtë që të shkruash një koment kundër Evropës, kundër Bashkimit Evropian, kundër eurokratëve, kundër "atyre atje në Bruksel". Është relativisht e lehtë të parashikosh si do të përfundojnë zgjedhjet evropiane. Parti kritike ndaj Evropës, skeptike ndaj Evropës, parti që refuzojnë Evropën dhe Euron do të marrin edhe nga e majta, por më shumë nga e djathta vota - në Francë, në Angli, në Itali, në Danimarkë, në Greqi, në Hungari, në Sllovaki, në Finlandë dhe në shtete të tjera të BE. Zgjedhësit protestues do të ndihen fitimtarë. Dhe me shumë gjasa, pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë e ulët - me siguri nën 50 përqind. Evropianët nuk interesohen më për Evropën, për BE, për demokracinë evropiane. Dhe kudo që t'i hedhësh sytë, edhe në mesin politik po formohet një kor i ri, fare i ri, i cili i përmbahet një melodie disi të panjohur: Evropa neve na duhet për gjërat e mëdha, po për të voglat, për më të voglat (dhe në jetën e përditshme edhe për vërtet të mëdhatë) është kompetent shteti i vjetër kombëtar. Rezultati depresues: për më shumë Evropë përballë krizës së Ukrainës nuk flet praktikisht askush - me përjashtim të disa idealistëve.

Kjo në një kohë kur Evropa, Bashkimi Evropian - përtej zellit për të vendosur rregulla, përtej ngadalësisë në politikën e jashtme dhe hutimit - është një ëndërr politike. Evropa ka një shpirt, një identitet kulturor, social, historik. Evropa - ky është kontinenti i Shekspirit, Dantes, El Grecos, Platonit, Gëtes, Rubensit dhe da Vincit. Evropa - ky është kontinenti i Njutonit, Galileit, Kopernikut, Rusosë dhe Kantit. Evropa -ky është kontinenti i Beethovenit, Mozartit, Verdit. Evropa ka një shpirt të përbashkët kulturor, që përmbledh të gjithë kontinentin dhe e përcakton atë.

Mësime nga qindra vjet luftë

Evropa ka një përvojë të përbashkët historike. Për shekuj të tërë u zhvillua luftë në këtë kontinent. Këtë vit ne kujtojmë me drithërima kasaphanat e Luftës së Parë Botërore para njëqind vjetësh, kujtojmë Luftën e Dytë Botërore, që shpërtheu 75 vjet më parë. Evropa- ky është kontinenti në të cilin anglezët dhe francezët luftuan kundër njëri-tjetrit me qindra vjet, në të cilën gjermanët përjetuan traumën e Luftës Tridhjetë Vjeçare me plagët shoqëruese shpirtërore. Kur u pushtuan dhe u ndanë shtetet baltike dhe polakët. Po tani? Prej më shumë se 60 vjetësh thuajse kudo ka paqe. BE rezulton si bashkësi që sjell paqe. Jo gjithmonë me sukses - kjo është e saktë. Po nëse në të gjithë botën konfliktet do të zgjidheshin si në BE të 28 shteteve, atëherë bota do ta kishte më pranë ëndrrën e paqes së përjetshme.

Evropa - është një ndjesi të jetuari. "A European Way of Life". Evropa jeton lirinë e pakufishme, mbështetet në sukseset ekonomike, por shijon, megjithë krizën e euros, sigurinë sociale. Evropa është një kontinent ku janë hequr doganat dhe barrierat. Një kontinent që orientohet tek standarde ekologjike dhe sociale dhe i mbron ato. Një kontinent që përpiqet të sqarojë të kaluarën e vet. Një kontinent ku shteti juridik ka vend qendror. Dhe që është i ndërgjegjshëm për ndryshimet e tij - në stilin politik, në mentalitetin e shoqërive. Në Evropë mund të jetosh si anglez ose hollandez, edhe të ndihesh i tillë dhe megjithatë të jesh pa problem evropian.

Në Evropë mund të jetosh i lirë, në paqe dhe në siguri. Dhe prandaj ia vlen të shkosh të japësh votën tënde, të votosh për Evropën. E drejta për të zgjedhur është këtu gati një detyrim emocional. Dhe pas kësaj ne mund t'i kritikojmë prapë "ata në Bruksel" - në këtë rast me të drejtë.