1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Bundestagu dhe Greqia

Dagmar Engel17 Gusht 2015

Parlamenti grek sapo e mori vendimin dramatik, Bundestagu Gjerman pritet ta bëjë një mbledhje të tillë. Dhe ka shumë zhurmë teatrale, para seancës së posaçme, mendon Dagmar Engel.

https://p.dw.com/p/1GGqj
Deutschland Bundestag Sondersitzung Griechenland
Fotografi: Getty Images/AFP/T. Schwarz

Puna në thelb mund të konsiderohet e mbaruar. Të mërkurën, Bundestagu Gjerman do të hedhë në votë paketën e tretë të ndihmave për Greqinë. Kancelarja e imponoi vullnetin e saj në korrik, në takimin e nivelit të lartë të BE, ministri i Financave e bëri këtë edhe të premten e kaluar. Në pjesën më të madhe ata patën sukses me moton e tyre: ndihmë vetëm në këmbim të reformave, dhe kjo vetëm me kontrolle të rrepta. Të dy e dinë se vetëm kështu mund ta bëjnë për vete Bundestagun Gjerman. Çmimi për këtë ishte i lartë, emri i Gjermanisë u dëmtua. Pas një faze simpatie të madhe, vendin tonë e perceptojnë sërish si dominues e të pakëndshëm.

Votim pa u harruar kënaqësia e pushimeve vjetore?

Deputetët, që nuk i kaluan pushimet në shtëpi, por në botën e jashtme kthehen me këtë përshtypje në seancën e posaçme të Bundestagut në Berlin. Ndoshta kjo do ta impresionojë njërin apo tjetrin, në kuptimin që të mendohet edhe njëherë nëse do të votojë vërtet kundër paketës së ndihmave. Janë votat kundër ato që e bëjnë këtë votim interesant për publikun. Jo të gjitha votat kundër, kuptohet, ato të CDU-së, të partisë së kancelares. Numri i tyre rritet me çdo ndihmë që i jepet Greqisë: në vitin 2010, për paketën e parë votuan katër vetë kundër, më 2012 ishin 13 vetë dhe në shkurt të këtij viti ishin 29 deputetë, që votuan kundër. Në korrik kundër votuan 60 vetë. Drejtuesit e Grupit Parlamentar reaguan me presion, gjë që është e zakonshme, por këtë herë reaguan me presion publik - një veprim jo i zgjuar dhe i tepërt.

Engel Dagmar Kommentarbild App
Dagmar Engel

Vendim në bazë të dijes dhe ndërgjegjes

Shkak ishte kryengritja e deputetëve me dinjitet dhe e zgjedhësve të tyre. Në fund të fundit, në bazë të ligjit deputeti i detyrohet vetëm ndërgjegjes së tij. Edhe 57 përqind e zgjedhësve gjermanë janë kundër paketës së ndihmës, që do të hidhet në votë, më shumë se 80 përqind nuk besojnë se Greqia do t'i plotësojë detyrimet që përmban ajo. Nuk është për t'u çuditur, që deputetët që regjistrojnë një atmosferë të tillë në zonën elektorale ankohen.

Jo fillimi i fundit për Angela Merkelin

Por tundimi për t'ju paraqitur zgjedhësve si hero i papërkulshëm mund të jetë i madh. Në dallim nga dëmtimi i imazhit në botën e jashtme, një veprim i tillë nuk kushton praktikisht asgjë: shumica pro në koalicionin qeveritar është kaq e madhe, sa pak vetë që kundërshtojnë përballohen pa problem. Që të parashikosh për një provë force për CDU-në apo deri edhe një perëndim perëndish për Angela Merkelin, kjo nuk mban parasysh realitetin: pas vendimit më të fundit, gjithashtu pozitiv në Bundestag kuotat e mbështetjes për CDU-në arritën një nivel prej 42 përqind. Ky padyshim nuk është vendimi që përcakton fatin e qeverisë gjermane.