1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Duda me një ofensivë sharmi në Berlin

Bartosz Dudek 30 Gusht 2015

Presidenti i Polonisë Duda i ka befasuar nikoqirët e tij në Berlin. Gjatë vizitës u tregua se frika për ftohjen e mundshme të raporteve nuk qëndron. Por dallimet mbeten, mendon Bartosz Dudek.

https://p.dw.com/p/1GNk6
Gauck dhe Duda
Gauck dhe DudaFotografi: Getty Images/AFP/J. MacDougall

Gjatë vizitës së parë nuk mund të pritet zgjidha e problemeve të mëdha. Ajo shërben për prezantim dhe njohje, si dhe për vendosjen e bazës së kontakteve të mira. Shikuar nga ky aspekt, vizita e Andrzej Duda tek presidenti gjerman Joachim Gauck dhe kancelarja Angela Merkel, i ka plotësuar pritjet. Të gjithë ishin të kënaqur: Gauck foli për një "takim familjar, mirëbesimi", ndërsa Duda për "një takim të rëndësishëm dhe të mrië" si dhe "perspektivë pozitive".

Befasia pozitive

Vizitën e tij në Berlin Duda e ka nisur me një ofensivë sharmi, e cila shkaktoi lehtësim tek vëzhguesit. Duda bëri të ditur në një intervistë për gazetën "Frankfurter Allgemeinen Zeitung", se është një "mik i betuar i Gjermanië" dhe se "thjesht e do Gjermaninë." Për gazetën "Die Welt" tha se raportet gjermano-polake për te personalisht janë shumë të rëndësishme. Përfaqësuesit e mediave gjermane, madje edhe kryeredaktori i gazetës me tirazhin më të madh "Bild", të cilët këto ditë e kanë vizituar pallatin presidencial në Varshavë, janë të befasuar: i përkëdheluri i Kaczynskit nuk është ndonjë përson i pakuptueshëm, por e "kupton shumë mirë Gjermaninë" dhe në mënyrë të bindshme i prezanton qëndrimet e veta.

Presidenti i ri polak nuk paraqet kurfarë rreziku për raportet kaq të rëndësishme gjermano-polake. Atmosfera pozitive dhe fjalët e ëmbla megjithatë nuk duhet të mashtrojnë, sepse mes presidentit Duda dhe nikoqirëve të tij ekzistojnë dallime.

Bartosz Dudek
Bartosz Dudek

Duda synon që në Kushtetutën polake të futet e drejta e vendosjes për politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, kur bëhet fjalë edhe për kërkesat e partnerëve në NATO për stacionimin e trupave në Poloni: një tabu për qeverinë gjermane, e cila do t'u përmbahet premtimeve të dhëna Rusisë në vitet 1990, për të evituar përshkallëzimin e situatës.

Dallimet mbeten

Shumë potencial konflikti ka edhe në politikën energjitike të kërkuar nga Gjermania, e cila, sipas Duda, është në disfavor të termoelektranave polake. Ndërkohë që edhe politika polake për refugjatët nuk është në përputhje me qëndrimet gjermane, sepse shumë politikanë gjermanë janë irrrituar dukshëm me qëndrimet polake. Duda është deklaruar kundër pranimit të refugjatëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme, me argumentin se Polonia së shpejti mund të përballet me valët e refugjatëve nga Ukraina, në rast të ashpërsimit të gjendjes në vendin fqinj.

Por Berlini për momentin mund të qetësohet: vizita e njohjes ka pasur sukses. Ndonëse diferencat mbeten. Nëse blloku konservator i fiton zgjedhjet parlamentare të 26 tetorit, dallimet mes Polonisë dhe Gjermanisë do të jenë edhe më të mëdha. Në një rast të tillë, sharmi i "i mikut gjerman" Duda do të ishte për Berlinin tepër i rëndësishëm.