1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Ekstradim me efekt të fortë simbolik

Benjamin Pargan25 Janar 2014

Kroacia ka ekstraduar për në Gjermani ish shefin e shërbimit sekret Perkoviq. Për shoqërinë kroate kjo është një mundësi e mirë për t'u marrë me të kaluarën, mendon Benjamin Pargan.

https://p.dw.com/p/1Ax3g
Josip Perkoviq
Fotografi: picture-alliance/dpa

Josip Perkoviq mbetet edhe pas ekstradimit të tij, figura simbolike më e njohur për disa nga plagët e hapura të shoqërisë kroate. Një prej tyre është mungesa e vullnetit për rivlerësim të ndershëm dhe objektiv të së kaluarës komuniste të ish Republikës Jugosllave. Për këtë mungon edhe forca. Dhe zhdukja e dhimbshme e integritetit moral të establishmentit politik gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në këtë mes.

Në të njëtën kohë në Kroaci me të drejtë sundon frika nga një ndarje e mëtejshme e qytetarëve të përçarë politikisht. Sepse pikërisht nëpërmjet rastit të ish-oficerit të zbulimit Perkoviq është bërë e qartë se vetëm sharjet e vazhdueshme të zakonshme në adresë të shërbimeve sekrete komuniste nuk janë të mjaftueshme. Fjalimet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me një përpunim të plotë juridik dhe shoqëror të kësaj pjese të së kaluarës kroate. Rasti Perkoviq ka treguar edhe një herë se për çka Kroacia ka në të vërtetë nevojë: një ballafaqim objektiv me veprimtaritë e shërbimeve sekrete - dhe atë si në kohën komuniste ashtu dhe në periudhën pas vitit 1990, kur vendi shpalli pavarësinë.

Një figurë simbolike e pakëndshme

Josip Perkoviq përfaqëson karrierën tipike të shumë zyrtarëve të shërbimit sekret në Kroaci dhe tranzicionin e qetë nëpër të cilin ata kaluan pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Si një oficer i rangut të lartë i shërbimit sekret komunist jugosllav UDBA Perkoviq ishte përgjegjës për luftimin e kroatëve antikomunistë në mërgim. Kur Kroacia pastaj u shkëput nga Jugosllavia, ai thjesht pa ndërprerë aktivitetin e tij filloi të krijojë një shërbim të ri kroat informativ. Ai për këtë ka punuar nga afër me kroatët nganjëherë tejet nacionalistë në ekzil, të cilët për shkak të postit, i kishte ndjekur deri disa muaj më parë. Ky fakt me sa duket nuk e ka shqetësuar as atë e as kolegët e tij. Së bashku me qeverinë e re antikomuniste, ai ka punuar në mënyrë aktive në përgatitjet për luftën për pavarësinë e Kroacisë. Dhe këto fakte e bëjnë edhe më konfuz përpunimin e të kaluarës kroate edhe ashtu të ndërlikuar. Kjo për fat të keq edhe zvogëlon gatishmërinë për përpunimin e nevojshëm të asaj periudhe.

Në foto: Benjamin Pargan
Në foto: Benjamin ParganFotografi: DW/P. Henriksen

Prandaj Josip Perkoviq është për kroatët më tepër se vetëm një ish-punonjës i shërbimeve sekrete. Ai u kujton atyre pashmangshmërisht bashkëpunimin oportun të qeverisë së parë të pavarur të Kroacisë me përfaqësuesit e regjimit komunist - dhe përfshirjen e errët politike dhe kriminale të shumë anëtarëve të lëvizjes për pavarësi. Jo më pak, ai i kujton ata për rolin e rëndësishëm të nacionalistëve të krahut të djathtë të cilët u involvuan fuqishëm atëherë në politikë dhe biznes.

Por Perkoviqi gjithashtu kujton për informatorët e shumtë të ish-shërbimeve sekrete komuniste. Bashkëpuntorë të tillë, spiunë dhe mbështetës kishte në kishë, në universitete, në rrethin e miqve, në punë, madje edhe në familje. Për viktimat e regjimit komunist, është një shuplakë në fytyrë, kur ata lexojnë që nga rreth 850 punonjës të ish UDBA-s jugosllave mbi 750 kanë vazhduar shërbimin në institucionet e Kroacisë së pavarur dhe demokratike.

Një shans për viktimat

Për kryeministrin socialdemokrat Zoran Milanoviq, Perkoviqi është simbol për një turpërim të paparë. Përpjekjet e dështuara të qeverisë së tij, që përmes një ligji të përshtatur para pranimit të Kroacisë në BE, t'i mbronte ata nga kthetrat e gjyqësorit gjerman përfundoi në një fiasko diplomatike. Si në Bruksel, ashtu dhe në vetë Kroaci, u trondit shumë dhe me të drejtë besimi në shtetin ligjor kroat. Pasi dëmi i shkaktuar ishte i madh, Milanoviqit iu desh pastaj të pendohet por te popullata kroate u përforcua besimi i përhapur më parë se të gjithë politikanët i kanë duart e përlyera dhe mbrojnë njëri-tjetrin, pa marrë në konsideratë viktimat e shërbimeve sekrete.

Pas ekstradimit të Perkoviqit mbetet e vetmja shpresë e vagullt që përmes deklaratave të tij të paralajmëruara do të vihet një gur në lëvizje dhe në Kroaci do të zhduket ngadalë frika nga një lustracion i plotë, dmth një largim i punonjësve të ngarkuar politikisht nga shërbimi civil. Dhe po ashtu mbetet shpresa se viktimat e shërbimeve sekrete do të ngrenë edhe më shumë zërin e tyre. Edhe pse pothuajse të gjithë protagonistët në këtë lojë të pandershme për Perkoviqin tregohen në një dritë të keqe, megjithatë kemi një fitues të qartë: drejtësinë. Perkoviq dyshohet se është bashkëfajtor në vrasjen brutale të një kroati në ekzil në Gjermani. Rasti ndoshta do të sqarohet përfundimisht tani kur kanë kaluar më shumë se 30 vjet.