1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Forum për mendime të reja

Michael Knigge6 Shkurt 2015

Konferenca e sigurisë nuk do t'i zgjidhë problemet më urgjente të botës. Por ajo mund t'u japë impulse të reja drejtuesve të shteteve. E këto impulse nevojiten urgjentisht, mendon Michael Knigge.

https://p.dw.com/p/1EXMF
Münchener Sicherheitskonferenz 2015 Rede von der Leyen
Fotografi: DW/A. Feilcke

Për ta thënë qartë që në krye: pas Konferencës së Sigurisë së Mynihut këtë fundjavë bota nuk do të jetë tjetër. Nuk do të marrin fund konflikte dhe nuk do të nënshkruhen marrëveshje paqeje. Ky nuk është as objektivi dhe as funksioni i takimit, në të cilin shkojnë çdo vit në shkurt drejtues shtetesh dhe ekspertë. Konferenca e Sigurisë e Mynihut veç kësaj nuk është institucion parlamentar ose ndonjë instancë tjetër zyrtare vendimore.

Jo, ajo është një platformë e nivelit të lartë për dialogun ndërkombëtar dhe për shkëmbimin e çështjeve të sigurisë. Në rastin më të mirë, një takim i tillë mund t'i bëjë politikanët t'i lënë në shtëpi frazat që thonë zakonisht, të dëgjojnë perspektiva të tjera dhe të thonë mendimin e tyre në debate të ndershme për çështje globale kyç. Sepse situata në botë në fillim të vitit 2015 i pret me padurim idetë e reja dhe mendimin e freskët.

Deutsche Welle Michael Knigge
Michael KniggeFotografi: DW/P. Henriksen

Tri shembuj shkurt: bashkësia ndërkombëtare investoi pas 11 shtatorit shumë fuqi dhe energji në luftën kundër terrorizmit. Por më shumë se një dekadë më vonë, kërcënimi nga terrori më shumë është shtuar se pakësuar, siç tregojnë ngjarjet e fundit në Irak, Siri, Nigeri, në Jemen edhe në Paris. Përparimi i vërtetë ka pamje tjetër. Një vizion i ri përtej bombardimit të kështjellave të terroristëve dhe ashpërsimit të ligjeve të sigurisë nuk duket gjëkundi.

Kriza e Ukrainës është një shembull tjetër. Konflikti midis Kievit dhe Moskës filloi me të gjithë fuqinë e tij në fund të 2013-ës. Që atëherë Rusia aneksoi Krimenë. Lufta e hapur midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe ushtrisë ukrainase ka kushtuar që atëherë të paktën 4000 viktima dhe ka dëbuar qindra-mijëra vetë nga atdheu. Megjithë armëpushimin dhe diplomacisë së palodhur konflikti është shkallëzuar gjithnjë e më shumë. Një zgjidhje nuk duket gjëkundi.

Kriza e refugjatëve është shembulli i tretë. Që përpara se kriza në Irak dhe në Siri të dilte jashtë kontrollit, bota e kishte të vështirë ta përballonte numrin në rritje të refugjatëve. Ndërkohë, situata emergjente e qindra-mijëra refugjatëve të tjerë ka bërë që politikanët ta pranojnë urgjencën e problemit. Nga një temë globale, kjo është bërë temë shumë lokale. Po ende mungon një përgjigje e qartë si mund të zgjidhet ky problem e para së gjithash si mund të ndalohen paraprakisht njerëzit që të marrin arratinë.

Kërkohen ide

Tri problemet e përmendura kanë një të përbashkët: pas përpjekjeve të ndryshme për t'i zgjidhur ato, politika nuk di më tej se ç'të bëjë. Megjithatë, pas shumë përpjekjeve dhe gabimeve ne kemi mësuar mësime të rëndësishme. Kështu, megjithë debatin në SHBA për dërgimin e armëve në Ukrainë dhe megjithë goditjet ushtarake kundër "Shtetit Islamik", ndërkohë ekziston një konsens, që si rreziku terrorist, ashtu edhe kriza e Ukrainës nuk mund të zgjidhen në fund të fundit me dhunë armësh. Dhe është e qartë që duhet përmirësuar situata e njerëzve në atdheun e tyre, po të duash ta zgjidhësh krizën e refugjatëve.

Këto janë mësime të rëndësishme. Përmendja e tyre nuk mjafton. Për të prekur rrënjët e këtyre problemeve dhe për t'i zgjidhur ato, këto mësime duhet të bëhen pjesë e një koncepti politik të pranuar në plan ndërkombëtar, i tillë që edhe të mund të zbatohet. Për ta arritur këtë nevojiten zgjidhje me fantazi, ose siç thuhet ndryshe, të menduar "jashtë kornizave".

Prej këtu niset Konferenca e Sigurisë në Mynih. Ajo u jep politikanëve dhe ekspertëve shansin për të dëgjuar ide të reja për zgjidhjen e problemeve më urgjente, për t'i diskutuar dhe provuar ato. Këtë mundësi ata duhet ta shfrytëzojnë.