1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Fyerja e Ukrainës ndaj BE-së

Bernd Johann 22 Nëntor 2013

Politikanët në Kiev i kanë ngrirë negociatat me BE. Ata u janë nënshtruar diktatit të Kremlinit. Moska do të vendosë në të ardhmen e afërt për fatin e Ukrainës.

https://p.dw.com/p/1AMNj

Çfarë kthese e madhe dhe fyerje e rëndë ndaj Bashkimit Evropian! Vetëm një javë para samitit që do të mbahet në Vilnë, qeveria ukrainase i ka ngrirë negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me BE. Njëkohësisht as Parlamenti i Ukrainës nuk po i përfillë partnerët evropianë. Ai ka hedhur poshtë shumë projektligje, të cilat do të mundësonin lirimin nga burgu të ish-kryeministres së Ukrainës, Julia Timoshçenko.

Me vite të tëra Brukseli dhe Kievi kanë negociuar për këtë marrëveshje. Në tavolinë të gatshme janë me qindra faqe të Marrëveshjes. Mungojnë vetëm nënshkrimet. Dhe papritur Ukraina flet tani për interesat e sigurisë, të cilat kërkojnë edhe riorientimin e raporteve me Rusinë. Ndërkohë Ukraina ka propozuar madje që në këto negociata me BE-në të përfshihet edhe Rusia. Me këtë bëhet e qatë: Ukraina po gjunjëzohet para presionit të madh nga Moska.

Presidenti Janukoviç i kthehet Moskës

Kjo kthesë ka mundur të vërehet kohët e fundit. Udhëheqësia ukrainase ka luajtur një lojë të dyfishtë. Debatet e fundit parlamentare kanë qenë vetëm një manovër për të mashtruar BE-në. Përderisa në Kiev ekspertët e BE-së shpjegonin domosdoshmërinë e një ligji të veçantë për çeshtjen Timoshenko dhe nënvizonin domosdoshmërinë e asociimit me BE-në, presidenti i Ukrainës Viktor Janukoviç hartonte një plan alternativ. Shumë herë ai është takuar edhe me homologun e tij rus Vladimir Putin. Deri tani dihet shumë pak për përbërjen e bisedimeve.

Në foto, Bernd Johann
Në foto, Bernd JohannFotografi: DW/P. Henriksen

Por Kremlini i ka bërë kaherë të qarta pozicionet e tij ndaj afrimit të Ukrainës me Evropën. Në stilin imperialist Rusia ka nisur gjatë muajve të kaluar disa luftëra tregtare me Ukrainën. Një herë u futën sanksione kundër importimit të mallrave ushqimore nga Ukraina e më pas Moska kërcënonte edhe me armën e gazit: raportet për energji mund të rishikohen, nëse Ukraina afrohet me BE. Para disa vitesh Kremlini në mes të dimrit ka dëshmuar se mund t'ia ndërpresë gazin Ukrainës. Njerëzit në Ukrainë mërdhinin nga të ftohtit.

BE për momentin ka dështuar

Kremlini ka kërkuar që vendet fqinje të futen në një union doganor, ku momentalisht janë vetëm Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani. Unioni funksionon sipas rregullave strikte të Kremlinit. Unioni pa Ukrainën nuk është i plotë, mendohet në Moskë. Ukraina pas Rusisë është vendi me numrin më të madh të banorëve në hapsirat e ish Bashkimit Sovjetik. Ukraina ka një rëndësi shumë të madhe ekonomike, ndaj edhe i gjithë ky presion.

Kthesa e fundit në Kiev është një goditje e rëndë për krerët e BE. Në Bruksel janë të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë në Ukrainë. Vendet e BE-së duan që ta stabilizojnë këtë vend politikisht dhe ekonomikisht, edhe në aspektin e energjisë. Vetëm atëherë Ukraina mund të jetë sovrane dhe e pavarur nga Moska.

Aktualisht nuk është. Ndaj projekti evropian për Ukrainën ka dështuar për momentin. Aktualisht duket i pamundur vazhdimi i negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes para samitit të Vilnës. Rusia do të vendosë në një të ardhme të afërt për fatin e Ukrainës. Udhëheqësia në Kiev po bëhet partneri i vogël i Kremlinit.