1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kur të gjithë prapë kopjojnë

Marko Langer5 Prill 2016

"Panama Papers" janë një sukses gazetaresk i Süddeutsche Zeitung, por që tregon njëkohësisht, se ku çalon puna tek ne, njerëzit e medieve dhe se si është gjendja e gazetarisë në epokën digjitale.

https://p.dw.com/p/1IPKR
Panama Papers Mossack Fonseca Webseite
Fotografi: picture-alliance/dpa/J.Pelaez

Terrabajt. Terra-byte. A mund të flas hapur? Kam frikë se nuk kam lexuar kurrë një terrabajt. Shumë libra, po. Edhe gazeta, me metra pa mbarim. Çdo ditë. Unë klikoj edhe gjithë ditën në World Wide Web. Po terrabajt?

2,6 terrabajt të dhëna iu përcollën gazetës Süddeutsche Zeitung (SZ) para botimit të "Panama Papers". Dhe ajo bëri me to një histori elegante. Dhe tani, zotërinjtë elegantë të quajtur Poroshenko, Putin, Mossack, Messi dhe sido që të quhen kanë një problem me imazhin. Ky është një scoop. "Scoop" sipas fjalorit gjerman Duden është një "lajm sensacional, të cilin një gazetë e boton para të tjerave."

Gazetaria në epokën digjitale. Sot, në ditën pas publikimit të "Panama Papers" ne duhet të nisemi nga dy gjëra:

0. Georg Mascolo, gazetari i madh i ndarë jo në paqe me revistën "Der Spiegel" do të jetë edhe njëherë krenar për shoqatën e gazetarisë investigative të Süddeutsche Zeitung, WDR dhe NDR, si koordinator dhe zëdhënës i së cilës ai punon që prej dy vjetësh. "Der Spiegel" nga ana tjetër ka probleme masive dhe është më mbrapa. Ashtu si anije të tjera të mëdha publicistike.

1. Rrallë qartësohet e gjithë dilema e punës gazetareske më qartë se këto ditë. Një "dilemë" është sipas Dudenit "një gjendje e detyruar, në të cilën ndodhet dikush, veçanërisht kur i duhet të zgjedhë midis dy gjërave njësoj të vështira ose të pakëndshme". Dilema në nëntë nga dhjetë redaksi sot është: ta kopjojmë apo ta lëmë fare?

Përgjigjia është: të gjitha do ta kopjojnë. Historia është shumë e rëndësishme. Por janë më të paktët ata kolegë, që sot kanë mundësinë të bëjnë me të vërtetë punë kërkimore vetjake dhe me themel për këtë temë komplekse dhe të ndërlikuar. Mungon koha, paratë, kontaktet, burimet. Dhe nesër gjithsesi i pret një lajm i ri.

Prandaj unë po iu zbuloj njëherë një sekret të trishtuar të profesionit: kështu ndodh shumë shpesh. Të gjithë kopjojnë prej të gjithëve, dhe kjo nuk i shërben gjithnjë gjetjes të së vërtetës. Po të bëjmë një pyetje ngacmuese: a ka qenë kohët e fundit njeri në Siri? Ose në Phenian? Ose edhe vetë personalisht në ceremoninë e përmortshme për Guido Westerwellen në kishën St.Aposteln në Këln? Ata që kanë qenë nuk janë të shumtë.

Marko Langer
Marko LangerFotografi: Sarah Ehrlenbruch

Si t'ia bëjmë? Çdo reporter që del vetë në terren dhe i sheh vetë gjërat është në vetvete një reporter i mirë, sepse ai nuk merret me veten. Dhe çdo medium, që ngre një dikaster investigativ, ku punojnë reporterët, nga ana gazetareske është një medium i mirë. Sepse kështu arrihet në kohën e rrjedhave të ndërthurrura të të dhënave hapi vendimtar i mëtejshëm, për të publikuar një histori të tillë.

Ndoshta këtë kishte në mendje ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, kur kërkoi në nëntor, në dhënien e LeadAwards, shumëllojshmëri më të madhe nga ne gazetarët. Kjo nuk është në asnjë mënyrë një shenjë e mirë, kur neve duhet të na e thotë këtë një politikan i rangut të lartë. Për shumicën e redaksive kjo do të thotë: bërje e detyrave të shtëpisë! Reagim më i shpejtë! Gazeta #link:http://www.nytimes.com/interactive/2016/04/01/insider/how-the-times-covers-breaking-news.html: New York Times sapo e përshkroi atë që ndodhi te ajo orët e para pas atentateve në Bruksel. Pra: përqendrim te më e rëndësishmja! Më pak fjalë boshe! Süddeutsche Zeitung, dhe me këtë rast po i duartrokit edhe njëherë kolegët në Mynih, tregon me shembull si mund të punohet. Kompliment nga ne. Të gjithë të tjerëve mund t'u thuhet me Kurt Tucholskyn: "Një gazetar i keq akoma nuk është filozof."