1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: një vizitë e shkëlqyer

Kay-Alexander Scholz7 Shtator 2013

Pas vizitës së Joachim Gauck-ut në Francë është e qartë: Boshti Berlin-Paris është bërë sërish më stabil, mendon Kay-Alexander Scholz.

https://p.dw.com/p/19dPl
Gauck (majtas) dhe presidenti francez Hollande (djathtas) në Oradour sur Glan
Gauck (majtas) dhe presidenti francez Hollande (djathtas) në Oradour sur GlanFotografi: REUTERS

Më e vonta pas vizitës së tij të fundit në Francë del qartë në pah: Joachim Gauck-u e ka gjetur si duhet ta interpretojë postin e tij: ai dëshiron që ta riintegrojë plotësisht Gjermaninë, me të gjithë historinë dhe të tashmen e saj, në thesarin e vlerave evropiane. Gauck-u, pajtuesi i madh. Ajo që e motivon atë nuk është nacionalja, ai nuk dëshiron një Gjermani dominuese. Gauck-u vepron si evropian i bindur. Objektivi i tij është Evropa, e cila është e bashkuar dhe që të mund të flasë me zë të fortë përballë fuqive të tjera në botë, si SHBA dhe Kina.

Në mënyrë që ky unitet të arrihet vërtet në Evropë, është i nevojshëm një proces: një Gjermani, e cila tani ka besim më të madh në vete dhe do ta shtojë edhe më shumë këtë besim në të ardhmen. Pra që është më e ndërgjegjshme për plagët, që dhembin ende të terrorit nazist në Evropë, por edhe për fillimin e ri të suksesshëm pas 1945-ës dhe Gjermaninë e re, paqësore. Prandaj shkon Gauck-u në vendet e krimeve naziste në Evropë. Ai vizitoi Lidiche në Çeki, shkoi në vendin fqinj Hollandë dhe tani në Oradur, ku më 10 qershor 1944 një divizion SS-ësh kreu një masakër të përgjakshme me qindra të vrarë.

Gauck und Hollande in Oradour-sur-Glane 04.09.2013
Gauck dhe Hollande në Oradur sur Glan së bashku me të mbijetuarin e masakrës në Oradour, Robert Hebras.Fotografi: REUTERS

Dorë për dorë

Gati 70 vjet më pas, është hera e parë që një politikan drejtues gjerman shkon në Oradur, vetëm ky fakt i solli shumë simpati Gauck-ut në Francë. Megjithatë, tensioni atje ishte i madh, me cilat pamje, fjalë dhe gjeste do ta kryente Gauck-u vizitën e tij simbolike. Ecja përmes gërmadhave të Oradurit u transmetua për tri orë drejtpërdrejt në televizionin francez.

Në sytë e publikut botëror, para së gjithash të Gjermanisë dhe të Francës, presidenti gjerman e kishte në krah të tij homologun e tij francez, François Hollande. Të dy kuptohen mirë me njëri-tjetrin. Të dy ia zgjatën dorën njëri-tjetrit në Oradur, e përqafuan njëri-tjetrin dhe një të mbijetuar. Me sukses. Pamjet u transmetuan në të gjitha mediet. Rezonanca pozitive qe e gjithëpranishme.

Mosmarrëveshjet janë të natyrshme

Por vizita shtetërore në Francë tregoi edhe më tepër: Gaucku është një rast fatlum për miqësinë gjermano-franceze. Meqenëse ai nuk flet me ftohtësi dhe i distancuar, por në mënyrë direkte dhe emocionale, ai përshtatet mirë me mentalitetin e francezëve. Prandaj ai është në gjendje të hedhë ura. Kjo del në pah edhe në raportin e hapur dhe të përzemërt me presidentin Hollande. Të dy theksuan që miqësia e tyre është kaq e konsoliduar, sa ajo duron edhe dallime. Ja që kjo është pjesë e natyrshme e debateve demokratike, ose e një familjeje, u shpreh Gauck.