1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: OKB-ja e bllokuar nga politika egoiste e interesave

Gero Schliess30 Korrik 2015

Rusia me votën në Këshillin e Sigurimit bllokoi rezolutën për rrëzimin e avionit MH17 mbi Ukrainë. OKB ka dështuar në menaxhimin e krizave. E drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit duhet të hiqet, mendon Gero Schliess.

https://p.dw.com/p/1G7XX
New York UN Sicherheitsrat Russland Veto MH17
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Szenes

Kjo pritej. Me kërkesën për themelimin e një tribunali të OKB-së për hetimin e shkaqeve të rrëzimit të avionit të pasagjerëve MH-17 mbi Ukrainë Malajzia dhe përkrahësit e saj donin ta vinin Rusinën nën presion, që më në fund të bashkëveprojë për zbardhjen e rrëzimit. Por lidhur me këtë ata hasën në granit në Moskë. Pasi Rusia në fillim të korrikut bllokoi një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë, tani sërish ajo pengoi përmes vetos miratimin e rezolutës së paraqitur nga Malajzia.

298 njerëz më 17 korrik 2014 gjetën vdekjen brutalisht. Ndërsa shumica e vendeve, kryesuar nga SHBA-ja, mendojnë, se separatistët e mbështetur nga Rusia në Lindje të Ukrainës e kanë sulmuar qëllimisht avionin, Moska akuzon qeverinë ukrainase në Kiev.

Jo e vetmja bllokadë

Eshtë skandaloze, që deri tani OKB-ja nuk ka mundur të kontribuojë aspak, që të përmenden me emër dhe për t'i vënë para përgjegjësisë dorasit për vdekjen tragjike të pasagjerëve. Raporti i ekipit Joint Investigation Team të angazhuar prej Këshillit të Sigurimit para një viti ende nuk ka dalë. Grupi hetimor i përbërë nga ekspertë nga Malajzia, Australia, Belgjika, Ukraina dhe Holanda, deri tani ka dështuar për shkak të refuzimit të Rusisë dhe të separatistëve ukrainas, për të bashkëpunuar në hetime. Vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit nuk të jep shpresë, që në këtë drejtim diçka do të ndryshojë.

Brenda një muaji Moska ka penguar kësisoj dy herë me veton e saj miratimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit. Ndoshta këto janë shenjat paralajmëruese për një konfrontim të thellë që do të vazhdojë gjatë. Të paktën nuk mund të përjashtohet, që në Këshillin e Sigurimit këtej e tutje sërish do të ketë turbulli e papajtueshmëri si në kohën e Luftës së Ftohtë.

Schliess Gero Kommentarbild App
Gero Schliess

Gjuha pas votimit për projektrezolutën e Malajzisë nuk premton asgjë të mirë. Sidoqoftë instanca më e rëndësishme e OKB-së ka dështuar turpshëm. Ajo nuk ia ka dalë, që të pozicionohet për çështje të rëndësishme.

Veto si kalkulim politik

Ky nuk është një rast i vetëm, por një rast përkohësisht i mbyllur në serinë e një sërë shansesh të humbura. E nuk është kurrësesi vetëm Rusia, ajo që e përdor fuqinë e saj të vetos. Kur vitin e kaluar kur Izraeli në konfliktin e Gazës e ekzagjeroi ushtarakisht duke u shkaktuar vuajtje qindra civilëve palestinezëve, SHBA-ja me veton e saj e pengoi miratimin e një rezolute të OKB-së, që e dënonte Izraelin. Rusia nga ana e saj bllokon deri tani një rezolutë të OKB-së, me të cilën mund t'i jepej fund vrasjes në luftën civile në Siri dhe përmes së cilës do të demaskoheshin shkeljet masive të të drejtave të njeiurt nga presidenti sirian Asad.

Që SHBA, Rusia dhe të tjerë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të paktën ishin dakord për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë, ndoshta kjo të inkurajon. Megjithatë OKB-ja mbetet shumë pas objektivave që i ka vënë vetes.

Me heshtjen e akumuluar për çështje ekzistenciale dhe konfliktet mjaft të rrezikshme Këshilli i Sigurimit të OKB-së e ka dëmtuar vetveten në mënyrë masive. Nëse nuk ndryshon gjë në bllokadat e vetëimponuara përmes së drejtës së vetos, do të shtohen gjithnjë e më shumë zërat, që do ta venë në pikëpyetje kuptimin e një instance të tillë. E kjo me të drejtë! Përse bota ka nevojë për një Këshill Sigurimi, në të cilin vetëm një gjë është e sigurtë: vetëbllokada.

E drejta e vetos jashtë kohës

Një reformë e OKB-së është mëse e domosdoshme. Forca e vetos e pesë fuqive të mëdha e vendosur si rrjedhojë e përvojave të Luftës së Dytë Botërore nuk i përshtatet më kohës. Këto kërkesa të përsëritura deri në velje ende nuk kanë mundur të depërtojnë deri në sallën plenare të Këshillit të Sigurimit. Që SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina të lëvizin vullnetarisht prej pozicioneve të tyre, kjo nuk pritet. Çdo propozim për reformë, që synon kufizimin e vetos, ato do ta bllokonin pikërisht me këtë veto.

Një propozim i paraqitur së fundi nga Franca të paktën mund të shënojë një fillim. Francezët kanë nxjerrë mësime nga katastrofa të tilla si gjenocidi në Ruandë dhe duan që në raste të tilla ta shquqizojnë të drejtën e vetos. Kjo do të kishte avantazhin, që Këshilli i Sigurimit në situata emergjence humanitare mund të vepronte - me ndihmën e vendimeve të shumicës. Por nëse i hedh një sy serisë së gjatë të reformave të dështuara të shtohet pesimizmi. Madje edhe ky propozim i druajtur për ndryshim rrezikon të bllokohet në makinerinë e politikës egoiste të interesave.