1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Samit tresh kundër kapitenit të nëndetëses

Bernd Johann25 Gusht 2015

Gjermania, Franca dhe Ukriana angazohen për zgjidhje politike të konfliktit në Ukrainë. Por ato do të dështojnë nëse Moska vazhdon kursin e konfrontimit, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1GL7P
Deutschland Merkel Hollande Poroschenko in Berlin
Fotografi: Getty Images/S. Gallup

Edhe më tej në Lindje të Ukrainës po vdesin njerëz, sikur Marrëveshja e Minskut dhe procesi i filluar paqësor të mos kishin ekzistuar kurrë. Fakti që të hënën (24.08) presidenti i Ukrainës erdhi në Berlin, në ditën e pavarësisë së Ukrainës, dëshmon tërë seriozitetin e gjendjes. Ukraina po përjeton me dhjimbje të madhe cënimin e së drejtës për vetëvendosje. Këto ditë po kujtohet edhe një vjetori i betejës në Ilovajsk. Qindra ukrainas janë vrarë atje. Rusia pati kaluar kufirin dhe me ushtarë pati ndihmuar seperatistët. Në këtë ditë u bë edhe përfundimisht e qartë se Kremlini është palë në luftë, edhe pse Rusia edhe më tej i hedh poshtë këto pohime.

Së bashku me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin e Francës Francois Hollande, presidenti i Ukrainës Petro Poroschenko kërkoi në Berlin gjetjen e një zgjidhjeje politike. Por të gjithë pjesëmarrësit e dinë se pa Rusinë nuk mund të ketë paqë në Lindje të Ukrainës. Presidenti rus Vlladimir Putin nuk ishte në negociatat e Minskut. Vetëm disa ditë më vonë filloi një ofensivë e seperatistëve - sërish me mbështetjen e Rusisë - pavarësisht premtimeve të Putinit.

Johann Bernd Kommentarbild App
Bernd Johann

Minsku nuk ka thuajse asnjë shans për sukses

Armëpushimi i nënshkruar në Minsk nuk ka funksionuar asnjëherë. Nuk është realizuar kurrë as tërheqja e armëve të rënda. Në kufirin me Ukrainën edhe sot janë të stacionuar me mijëra ushtarë rusë, të cilët mund të ndërhyjnë në çdo moment, me argumentimin se bëhet fjalë për një "ndërhyrje humanitare". Marrëveshja e Minskut nuk ka pothuajse asnjë shans në kushte të tilla. Nëse nuk janë realizuar kushtet më të rëndësishme ushtarake të Marrëveshjes - armëpushimi dhe tërheqja e armëve të rënda - si mund të realizohen pjesët politike të saj? Ukrainasit janë detyruar të bëjnë shumë lëshime. Javët e ardhshme parlamenti duhet të dakordohet mbi ndryshimet kushtetuese, të cilat do t'i mundësojnë Donbasit një vetadministrim shumë më të madh deri në fund të vitit. Në zgjedhjet lokale të tetorit do të votohet edhe në rajonin e përfshirë nga lufta - Donbas.

Marrëveshjet nuk respektpohen

Politikisht këto hapa janë të domosdoshëm, në mënyrë që të arrihet një baraspeshë interesash. Por aktualisht nuk ka asnjë shenjë se në Donbas mund të ketë zgjedhje të lira, me të cilat do të legjitimohej një status i veçantë. Përkundrazi: seperatistët kanë paralajmëruar rregullat e tyre të posaçme. Ata nuk duan të respektojnë ligjet e Ukrainës. Atmosfera është nxehur shumë tek grupet ekstremiste. Bashkëpunëtorët e OSBE-së kanë qenë javët e fundit objektiv i dhunës, ndonëse janë të paarmatosur dhe qëllimi i tyre është vetëm të vëzhgojnë nëse po respektohet armëpushimi.

Rusia po hesht. Në disa vende po i hedh madje edhe benzinë zjarrit. Putini udhëtoi javën e kaluar në Krimenë e aneksuar. Në vend që të angazhohet për zgjidhje politike, ai atje shkoi me një nëndetëse. Ende pa dalë mirë nga uji, Putini fajësoi Kievin dhe Perëndimin për luftën në Ukrainë.

Udhëtimi i tij në Krime nuk ngjalli thuajse asnjë reagim në Evropë. Putini mbetet në kursin e konfrontimeve. Ai përfiton nga fakti që Poroschenko në Ukrainë, për shkak të politikës së tij të negociatave dhe kompromiseve, po kritikohet gjithnjë e më shumë në vendin e tij, ku janë shtuar kritikat edhe ndaj presioneve të Perëndimit. Kritikat më së shumti drejtohen kundër Berlinit. Berlini, Parisi dhe Kievi angazhohen për zgjidhje politike, por këtë nuk e bën njeriu që doli nga nëndetësja.