Gjermania

Koment: Toni i duhur në kohën e duhur

Në vend që të mbajë fjalimin numër X për ribashkimin e Gjermanisë, Presidenti Steinmeier u kujton gjermanëve detyrimet për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Dhe flet atë që duhet të flasë, mendon Rupert Wiederwald.

Tag der Deutschen Einheit in Mainz Frank-Walter Steinmeier (picture alliance/dpa/A.Dedert)

Është një fjalim i jashtëzakonshëm, ai që mbajti Frank-Walter Steinmeier në Mainz. Si President i Gjermanisë, detyrë e tij është që të mbetet mbipartiak dhe megjithatë të përcjellë pozicionim. Më e mira është sikur ai të nxisë debate, pa përcaktuar rezultatin. Shpesh kjo bën që presidentët federalë të mbajnë fjalime shumë të barazpeshuara, që janë miqësore, nuk sulmojnë askënd hapur dhe prandaj shpesh janë pak të mërzitshme. Kështu që në ditën e ribashkimit gjerman do të kishte qenë normale, sikur Presidenti të kishte theksuar sukseset pas 27 vjetëve bashkim të Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore dhe të kishte skicuar problemet ekzistuese.

Në Mainz, Presidenti Steinmeier nuk bëri pikërisht këtë. Në vend të kësaj, si kryetar shteti ai komentoi zgjedhjet për Bundestagun të pak ditëve më parë - dhe e mori si shkas rezultatin, për të folur për mure të rinj, që nuk ndajnë vendin, por popullin. Dhe kërkoi me ngulm që dallimet të mos lejohet të kthehen në armiqësi të hapura. Këtë e kanë detyrim të gjithë, qytetarë dhe politikanë, tha Steinmeier-i. Ishte e rëndësishme që një gjë të tillë ta dëgjoje nga Presidenti.

Tag der Deutschen Einheit in Mainz (picture-alliance/dpa/A. Dedert)

Steinmeieri kërkon ligj imigrimi 

Steinmeieri i kujtoi gjermanët që ata duhet të flasin sërish më tepër me njëri-tjetrin, në vend që të tundin kokën me mosbesim për njëri-tjetrin - në thelb një e vërtetë e thjeshtë kjo. Por ajo për të cilën e ka fjalën Steinmeiri është: debatoni me njëri-tjetrin, i nxirrni në pah diferencat, guxoni. Kjo nuk është gjë tjetër veçse kërkesa për debate, të cilat në Gjermani shumë shpesh nuk zhvillohen. Dhe Steinmeieri përmend vetë temën më të rëndësishme të debatit: imigrimin. Gjermania thjesht nuk mund të shprehë dëshirën që migrimi të rrijë larg saj, tha Steinmeieri, por përkundrazi duhet të krijojë më në fund rregulla, të cilat të mundësojnë një qasje legale për imigrantët. Shkurt: Steinmeieri kërkon një ligj për migrimin. Këtë mund ta kuptosh edhe si kritikë ndaj kancelares - partitë unioniste deri tani e kanë bllokuar me sukses një ligj të tillë imigrimi.

Dhe Steinmeieri nis në këtë kuadër një debat tjetër, të cilët shumë e kanë zhvilluar nën konceptin e përgjithshëm të "kulturës dominuese". Çfarë do të thotë të jesh gjerman, çfarë do të thotë atdhe? Në fakt ky është bazamenti më i pasigurtë, mbi të cilin mund të ecë një politikan gjerman - por Steinmeieri arrin një akt balance: gjermane është pranimi i historisë gjermane dhe i vlerave demokratike - dhe kjo duhet të vlejë edhe për ata që kanë imigruar. Njëkohësisht ai e përkufizon në mënyrë individuale atdheun - secili ka një përfytyrim tjetër për atdheun, thotë Steinmeier. Shuma e këtyre atdheve individualë e bën Gjermaninë këtë vend që është.

Tag der Deutschen Einheit in Mainz Rede Steinmeier (picture-alliance/dpa/A. Dedert)

Kufij për AfD

Pranimin e historisë gjermane të kohës së nacionalsocializmit, kryetari i shtetit gjerman e deklaron të panegociueshëm - aq më tepër për deputetët - dhe në këtë mënyrë ai i tregon qartë kufijtë partisë së re populiste të djathtë në Bundestag. Pa e përmendur me asnjë fjalë AfD.

Kaq shumë mendim ka qenë rrallë te një President i Gjermanisë - dhe rrallë ka qenë ai kaq i nevojshëm. Në kohë të vështira nevojitet një busull, një qendrim. Dhe kur tjetër, nëse jo tani duhet të fliste Presidenti i Gjermanisë për pasojat, që duhet të ketë rezultati i zgjedhjeve të 24 shtatorit? Ishte fjalimi i duhur në momentin e duhur. Kancelarja Angela Merkel foli në fjalën e saj për ditën e ribashkimit gjerman për shumë gjëra që janë arritur me sukses në vitet e kaluara. Kjo mund t'i japë forcë njeriut, për të zgjidhur problemet që kanë mbetur, tha ajo.

 

Albanian Shqip

Amharic አማርኛ

Arabic العربية

Bengali বাংলা

Bosnian B/H/S

Bulgarian Български

Chinese (Simplified) 简

Chinese (Traditional) 繁

Croatian Hrvatski

Dari دری

English English

French Français

German Deutsch

Greek Ελληνικά

Hausa Hausa

Hindi हिन्दी

Indonesian Bahasa Indonesia

Kiswahili Kiswahili

Macedonian Македонски

Pashto پښتو

Persian فارسی

Polish Polski

Portuguese Português para África

Portuguese Português do Brasil

Romanian Română

Russian Русский

Serbian Српски/Srpski

Spanish Español

Turkish Türkçe

Ukrainian Українська

Urdu اردو