1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Evropian rishikon vendimet e veta mbi Kosovën

13 Tetor 2011

Në ditën e publikimit të raporteve të progresit, politikanët evropianë shpjegojnë se çfarë synon Komisioni Evropian me qasjen e re ndaj Kosovës.

https://p.dw.com/p/12rKE
Hannes Swoboda, zv.kryetar i fraksionit socialdemokrat në Parlamentin Evropian.
Z. Hannes Swoboda, zv.kryetar i fraksionit socialdemokrat në Parlamentin EvropianFotografi: DW

Gjatë prezantimit të përmbledhjes së raportit të progresit për vendet e asociuara me Bashkimin Evropian, para Parlamentit komisioneri i BE-së për zgjerimin, Stefan Füle, bëri fjalë ndër të tjera për rishikimin e vendimeve të BE-së të vitit 2009 kundrejt Kosovës. Çfarë synon Komisioni Evropian me qasjen e re ndaj Kosovës?

Swoboda: Kosova duhet të bëjë hapa për luftimin e korrupsionit

Hannes Swoboda, zv.kryetar i fraksionit socialdemokrat në Parlamentin Evropian, anëtar i komisionit për punët e jashtme, u shpreh: "Besoj se Kosova ka marrë një sërë ndihmash. Natyrisht, Kosova duhet të bëjë edhe disa hapa para në luftimin e korrupsionit, por është krejt e qartë se e gjithë strategjia e Bashkimit Evropian synon ta ndihmojë Kosovën që të etablohet dhe mundësisht shpejt të hyjë në rrethin e zgjerimit të Bashkimit Evropian".

Lunacek: qendrimi bllokues i disa shteteve të BE-së ka pasur efekt negativ

Ulrike Lunacek, zëdhënëse për politikë të jashtme e Të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, zv.kryetare e delegacionit për marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnjë Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, ishte e mendimit: "Fatkeqësisht, është vërtetuar se perspektiva e vitit 2009, se gjërat që ishin përcaktuar atje, pra disa pika në sajë të qëndrimit bllokues të ndonjë shteti anëtar të Bashkimit Evropian, nuk mund të viheshin në jetë. Për këtë gjë unë dhe Parlamenti Evropian kemi shprehur disa herë keqardhjen, fakti që pesë shtete anëtare e bllokojnë progresin real dhe kësisoj ua bëjnë të lehtë disave në Kosovë (që nuk duan të vazhdojnë vërtet me ecjen përpara) ua bëjnë të lehtë të qenët përsëri viktima (si të thuash). Megjithatë, mendoj se ideja që do të ketë një dialog të strukturuar për çështjet e drejtësisë dhe gjëra të tilla (sikur të bëhet në mënyrë kuptimplotë) atëherë kjo mund të sjellë përfitime.

Znj. Ulrike Lunacek, zëdhënëse për politikë të jashtme e Të Gjelbërve në Parlamentin Evropian
Znj. Ulrike Lunacek, zëdhënëse për politikë të jashtme e Të Gjelbërve në Parlamentin EvropianFotografi: AP

Edhe Komisioni ka qenë në këtë pikë gjithnjë në anën tonë, duke thënë: Duhet të ketë më në fund një marrëveshje tregrare. Bashkëpunimi në programe ekziston tashmë. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me një përpjekje të Komisionit për të qenë krijues dhe për të gjetur mjete të tjera, me të cilat bëhet e qartë se synohet të ecet përpara. Mirëpo, problemin e kemi te pesë shtetet anëtare të BE-së, ja që kështu është. Ato bllokojnë vazhdimisht dhe nuk janë të gatshme që të shkojnë një hap më tej dhe të thonë: Është fakt ekzistenca e shtetit të Kosovës, dhe tani le të punojmë së bashku.

Është gjithmonë e vështirë të përcaktosh një kornizë kohore, sepse BE-ja ka premtuar shpesh herë gjëra duke mos e mbajtur më pas premtimin, por mendoj se në qoftë se dialogu për vizat nis vërtet deri në fund të vitit (kërkesa ime është që të ketë njëkohësisht edhe një road map, ku të shkruhet se ç'duhet të bëjë Kosova), atëherë varet nga zbatimi vetë në Kosovë; sikur kjo punë të mbarohet shpejt, mendoj se është e mundur në dy, tre vitet e ardhshme. Me qëllim nuk jap afat më të hershëm sepse nuk besoj që bëhet shumë shpejt, dhe as nuk dua të ngjall shpresa të gabuara, por nisja vërtet e dialogut për vizat me fundin e vitit është një lehtësim."

Ndërsa Štefan Füle, komisioneri i BE-së për zgjerimin dhe politikat e fqinjësisë, u shpreh:

Štefan Füle, komisioneri i BE-së për zgjerimin dhe politikat e fqinjësisë.
Štefan Füle, komisioneri i BE-së për zgjerimin dhe politikat e fqinjësisë.Fotografi: AP

Para jo shumë kohe kemi filluar një dialog të strukturuar me Bosnjë Hercegovinën mbi çështjet e drejtësisë. Në rastin e Kosovës do të bëhet fjalë për sundimin e ligjit. Do të ketë një sërë takimesh, më vonë një pyetësor i dërguar prej nesh ku do të përpiqemi të ekzaminojmë fushën e sundimit të ligjit, dhe të bazuar në rezultatet tona do të ketë dialog me autoritetet dhe në rast nevoje ne do të propozojmë disa ndryshime. Qëllimi i kësaj është fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë dhe bërja e tij në përputhje me BE-në.

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani