1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250511 EU Mobilitätspartnerschaft

25 Maj 2011

Komisioni Evropian do të krijojë partneritete për lëvizjen e lirë. Për këtë arsye kanë nisur bisedimet për të gjitha aspektet legale dhe ilegale të migracionit, fillimisht me Egjiptin, Tunizinë, Marokun.

https://p.dw.com/p/11Nhg
Komisionerja e BE-së për politikën e azilit dhe atë të brendshme, Cecilia Malmström.
Komisionerja e BE-së për politikën e azilit dhe atë të brendshme, Cecilia Malmström.Fotografi: dapd

Bën pjesë tek përvojat më të bukura, thotë komisionerja për çështjet e brendshme të BE-së, Cecilia Malmström, kur takon njerëz që nuk duhet të qëndrojnë në radhë të gjata për të marrë një vizë për në Evropë. Po qe se gjërat shkojnë sipas vullnetit të Malmström, në të ardhmen më shumë njerëz nga Afrika Veriore do të përfitojnë nga lehtësimet në lirinë e lëvizjes. Të martën ajo tha:

"Në pjesën jugore të Mesdheut po shohim zhvillime fantastike. Por në këtë çështje nuk duhet të mendojmë në plan afatshkurtër, por po qe se duam të ndihmojmë këto vende, duhet marrim në konsideratë edhe planet afatgjata."

Në këtë pikë për Malmström bëjnë pjesë edhe krijimi i mundësive për egjiptianë, tunizianë, marokenë për të filluar një punë legale në Evropë. Disa grupe si studentët, profesorët dhe biznesmenët do të marrin më lehtë një vizë për në Evropë. Madje është e përfytyrueshme edhe njohja e dyanshme e diplomave.

Nga ana e tyre vendet evropiane duhet të marrin vetë masat që të ndalojnë migracionin ilegal dhe të veprojnë me ashpërsi kundër kriminalitetit të bandave të trafikantëve.

Malmström ka plane edhe për mbështetjen e atyre që kthehen vullnetarisht dhe sigurimin e përbashkët të kufijve. "Partneritete të tilla do të ishin një zhvillim i mrekullueshëm për Bashkimin Evropian dhe vendet afrikanoveriore."

Është një marrje dhe dhënie. Pasi Evropa për shkak të plakjes së popullsisë dhe mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar do të përfitonte nga këto plane.

Për të mos rrezikuar lehtësimet e lëvizjes së lirë për vendet afrikanoveriore, komisarja e BE-së për çështjet e brendshme ka prekur në fjalën e saj në Komisionin Evropian edhe një temë tjetër, atë të rasteve të keqpërdorimit të lirisë së lëvizjes nga vendet ballkanike, si Serbia dhe Mali i Zi. Disa dhjetëra mijëra vetë e përdorën lirinë e lëvizjes për të kërkuar azil në Evropë. Në Gjermani vitin e shkuar serbët përbënin grupin më të madh të azilkërkuesve.

Tanimë BE do të ndalojë keqpërdorimin e lirisë së lëvizjes. Malmström propozon që në rregullat evropiane të vizës të futet edhe një klauzolë mbrojtjeje. "Kjo klauzolë do të na lejonte që në situata të jashtëzakonshme dhe si mjet të fundit ta shfuqizonim atë sërish."

Malmström e bëri të qartë se fluksi i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit ka qenë shkas për këtë iniciativë. Megjithatë ajo tha:

"Iniciativa nuk është drejtuar kundër ndonjë vendi dhe nuk përmban asnjë lloj automatizmi."

Aktualisht Komisioni Evropian po negocion me Serbinë dhe Malin e Zi dhe Malmström shpreson që këto vende të tregohen kooperative dhe të veprojnë kundër keqpërdorimit të lirisë së lëvizjes. Ka disa përparime, por ato nuk mjaftojnë.

Autor: Martin Bohne / Lindita Arapi

Redaktoi: E. Xhani