1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kompromisi Berisha Meta mund të ndikojë pozitivisht për një kulturë të re dialogu dhe bashkëpunimi të politikës në Shqipëri

7 Korrik 2009

Bashkëqeverisja në katër vitet e ardhshme e të djathtëve dhe e të majtëve liberalë i jep stabilitet qeverisë së re të Tiranës dhe legjitimitet Berishës, kreut të PD-së dhe kryeministër.

https://p.dw.com/p/IioX
çift duke kercyer me kembet perdredhur
Kompromisi i sapoarritur mes Sali Berishës dhe Ilir Metës mund të ndikojë pozitivisht për një kulturë të re dialogu dhe bashkëpunimi mes aktorëve të politikës në Shqipëri.Fotografi: Michael Friang

Nuk është hera e parë në Shqipëri, që një forcë politike e majtë bashkëpunon në qeverisje më të djathtën. Kështu në fillimet e pluralizmit politik, social-demokratët e Skënder Gjinushit bashkëpunuan me demokratët e Sali Berishës. Për publicistin dhe analistin, Fatos Lubonja, koalicione të tilla qeverisëse nuk e kanë të vështirë të formohen, për sa kohë forcat e majta dhe ato të djathta në thelb nuk kanë ndryshime përkatëse në programet e tyre politike.

E majta në Shqipëri ka një program pothuajse të njëjtë me të djathtën, dhe vice-versa, dhe prioritet i të dyja palëve është integrimi i vendit në BE. Në të tilla rrethana, me koalicionin e sapokrijuar qeverisës mes të djathtëve dhe liberalëve të majtë të Ilir Metës kanë kaluar në plan të fundit edhe ato pak dallime, jo thelbësore, mes programeve të tyre politike. Në këtë kuptim bashkëqeverisja e Shqipërisë në katër vitet e ardhshme pritet të prodhojë dukuri pozitive.


Koalicioni PD LSI legjitimon Berishën por zhgënjen palët që mbeten jashtë loje

"Koalicioni siguron më shumë stabilitet, legjitimon Berishën, lë të zhgënjyer palët që mbeten jashtë loje. Por një zgjidhje tjetër do të gjeneronte një konfliktualitet të vazhdueshëm, që tek e fundit, do të çonte tek fitorja e pakicës tjetër sunduese, asaj socialiste, duke u bërë ajo maxhorancë, por kjo nuk do të sillte ndonjë ndryshim politik.” - thotë Fatos Lubonja.

Fatos Lubonja
Fatos LubonjaFotografi: nc_cc_SA_Tarabosh

Kjo ndodh sepse në Shqipëri partitë politike, më shumë se interesat e elektoratit të majtë apo të djathtë, sipas kushteve të tij social – ekonomike, përfaqësojnë interesa rrethesh shumë më të ngushta, vë në dukje ai: "Partitë politike gjithmonë dhe më shumë përfaqësojnë interesa të grupimeve, të pakicave sunduese të vendit. Kompromiset që po ndodhin edhe tani mes Berishës dhe Ilir Metës lidhen me ata që u treguan më të fortë dhe krijuan marrëveshjen më të fortë.” mendon Lubonja.


Lubonja: Dyshoj nëse ky koalicion mund të sjellë kulturën e dialogut dhe të bashkëpunimit racional në emër të interesave të përgjithshme


Mbarëvajtja e qeverisë Berisha – Meta ka gjasa të rezultojë edhe si fillimi i fundit të frymës ekstreme konfliktuale mes palëve dhe një kulture të re politike që do të karakterizohet nga besimii ndërsjelltë. Sipas Lubonjës këtë do ta tregojë koha. Por ka disa tregues që të bëjnë të jesh skeptik për këtë, p.sh. urrejtja me të cilën e sheh pala tjetër bashkimin e Ilir Metës me Sali Berishën, mënyra sesi sulmohet Ilir Meta nga pala socialiste, apo urrejtja më e madhe e Ilir Meta për palën socialiste tani. Lubonja ka dyshime nëse ky koalicion mund të sjellë kulturën e dialogut, dhe të bashkëpunimit racional në emër të interesave të përgjithshme, "por nganjëherë edhe kështu ecet përpara, sepse po ta shikojmë thellë- thellë, Shqipëria me gjitha problemet që ka, nuk është më ajo e viteve 90-të, ku konfliktet ishin shumë më të nxehta dhe dramatike.” - thotë analisti dhe publicisti Fatos Lubonja.


Ndërkohë që formimi i kabinetit të ri qeverisës Berisha - Meta është vetëm çështje kohe, a mund të lindin mosmarrveshje apo pakënaqësi nga PD dhe aleatët e djathtë të Berishës pasi LSI do t'u marrë atyre disa poste ministrore dhe nuk përjashtohet që figura të PD-së dhe të partive të djathta aleate të mbeten jashtë qeverisë?

"Besoj se këto pakënaqësi nuk do të përbëjnë problem nën kontrollin e pushtetit nga Sali Berisha. Në PD ka pasur edhe më parë pakënaqësi për mënyrën sesi ka qeverisur Berisha, sesi ka emëruar njerëz të ndryshëm dhe ka lënë jashtë tortës së pushtetit figura të PD-së, që janë eliminuar shumë kollaj, pa krijuar probleme për PD-në. Edhe në këtë rast do të ketë njerëz të pakënaqur, por ajo që fiton Sali Berisha me LSI në qeveri, legjitimiteti, është shumë më e rëndësishme.'' thekson Fatos Lubonja.

Autore: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani