1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komunat: "aftësi e kufizuar pranimi"

Naomi Conrad6 Janar 2016

Përfaqësues të qyteteve dhe të komunave gjermane ankohen se kanë arritur në skaj të mundësive të tyre përsa i përket furnizimit të refugjatëve. Prandaj ato kërkojnë mbështetje më të madhe nga federata.

https://p.dw.com/p/1HYzl
Deutschland Gerd Landsberg
Fotografi: picture-alliance/dpa/B.v. Jutrczenka

Ai nuk ka dëshirë të ankohet gjithmonë, thotë Roland Schäfer, në fund të fundit janë bërë shumë gjëra. "Po nuk mjafton". Sepse viti i kaluar i ka çuar shumë komuna në skaj të asaj që mund të përballojnë, u shpreh Presidenti i Federatës së Qyteteve dhe Komunave Gjermane në konferencën e përvitshme të shtypit në fillim të vitit në Berlin. Pa ndihmësit e shumtë vullnetarë, në shumë vende nuk do të kishte funksionuar strehimi dhe furnizimi i kaq shumë refugjatëve që vërshojnë në vend, tha ai. Prandaj në vitin 2016 duhet të kufizohet vërshimi i refugjatëve, deklaroi Schäfer, i cili është njëkohësisht kryetar bashkie në Bergkammen të Renanisë Veriore-Vestfalisë.

Qeveria federale dhe landet gjermane ranë dakord në shtator që Federata t'u paguajë komunave deri në fund të procedurës së azilit çdo muaj 670 euro. Por këto para, sipas Federatës së Qyteteve nuk mjaftojnë: për ta pasur në kontroll integrimin e refugjatëve - sipas Schäferit "detyra qendrore e viteve të ardhshme"- komunat kanë nevojë për mjete shtesë financiare. Vetëm një shembull: komunat llogarisin vetëm për vitin në vazhdim shpenzime për mësues shtesë për 300.000 nxënës. 100.000 vende të reja në kopshte nevojiten, por edhe ndërtimi i shkollave dhe i kopshteve të reja. Kësaj i shtohet strehimi i marrësve të ndihmës sociale. Shpenzimet për këtë i përballojnë komunat në 70 përqind të shumës. Për shkak të numrit të madh të refugjatëve, që qendrojnë në Gjermani dhe të cilëve u duhet të gjejnë një vend pune, numri i të papunëve në Gjermani pritet të rritet me rreth 500.000 vetë. Shpenzimet shtesë për komunat, sipas vlerësimit të Federatës së Qyteteve janë afërsisht 600 milionë euro.

Vendbanim i detyruar për refugjatët e pranuar?

Prandaj qytetet dhe komunat kërkojnë paraqitjen e një "Detyre të Përbashkët Federatë-Lande Migrim dhe Integrim", për të financuar në plan afatgjatë pranimin, strehimin dhe integrimin e refugjatëve.

Refugjate ne Dyseldorf
Refugjatë në DyseldorfFotografi: picture-alliance/dpa/R. Vennenbernd

Njëkohësisht duhet të tregohet zhdërvjelltësi më e madhe, thotë Drejtori Ekzekutiv i Federatës së Qyteteve Georg Landsberg, veçanërisht në ndërtimin e banesave: kështu, disa standarde ndërtimi duhet të lehtësohen, në mënyrë që të ndërtohen më shpejt banesa të reja ose të riparohen ato ekzistuese. Për një periudhë kohe do të nevojiten ndoshta edhe klasa më të mëdha për kopshtet dhe shkollat.

Federata e qyteteve, një bashkim i më shumë se 11.000 qyteteve dhe komunave gjermane, veç kësaj propozon një vendbanim të detyruar për një periudhë kohe për ata që u është njohur statusi i refugjatit, në mënyrë që ata të qendrojnë para së gjithash në rajonet fshatare dhe të mos shpërngulen në qytete të mëdha, siç ndodh dendur aktualisht. "Po të duam t'i shpërndajmë në një njëfarë mënyre njerëzit, nuk do të bëjmë dot pa këtë", shprehet Landsberg. E nevojshme është edhe një mbështetje për zhvillimin e ekonomisë rajonale, për të krijuar vende pune para së gjithash në rajone fshatare, në të cilat pjesërisht ka banesa bosh.

Por megjithë sfidat, ai nuk hyn pesimist në vitin e ri, thotë Schäfer. "Kemi shansin që t'ia dalim mbanë të gjithë kësaj."