1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Auftakt GMF09

4 Qershor 2009

Interneti portativ, rrjete informatike, SMS – mediat e reja hapin mundësi komunikimi dhe veprimi, po ashtu edhe për parandalimin e konflikteve. Ky është lajtmotivi në çelje të Forumit të dytë global të mediave në Bon.

https://p.dw.com/p/I3HI
Hyrja e Global Media Forum në Bon
Hyrja e Global Media Forum në BonFotografi: DW

Peris Warimu ka udhëtuar nga Kenia për në Bonn. Reporterja e re pret hapjen e „Forumit Global të Mediave“ duke qëndruar përpara stendës së organizatës „Voices of Africa“

„Unë marr pjesë në konferencë sepse unë dua të përdor telefonin tim celular si mjet për parandalimin e konflikteve. Si do të mundem unë të parandaloj konflikte atje në Afrikë me ndihmën e një telefoni mobil?“

Bota mediatike ka ndryshuar në mënyrë dramatike vitet e fundit. Në radhë të parë si rezultat i zhvillimit të shpejtë përpara të teknologjisë. Në fjalën e tij të hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i Deutsche Welle-s Erik Bettermann preku një temë qëndrore të epokës së re multimediale:

„Monopoli është prishur. Ne kemi kaluar nga epoka e mediave për masat në një masivitet mediash. Kjo sjell rezultatin e dëshiruar që tashmë edhe vende, që konsiderohen të izoluar, kanë mundësi të marrin informacine të freskëta.“ Në këtë kontekst qëndron edhe një ndryshim i konstatuar nga Bettermani:

„Të ashtuquajturat mediat e reja luajnë në konflikte një rol gjithnjë e më të madh dhe këtë palët në konflikt e bëjnë ose me anë të blogeve nww internet ose duke transmetuar video të aktiviteve të tyre në Youtube."

Bettermann-i trajtoi në detaje sfidat me të cilat përballen mediat tradicionale në konfrontimin me mediat e reja. Kështu ai foli për më shumë investime në gazetarinë cilësore. Duke iu kthyer temës së konferencës Bettermann-i shtoi:

„Po bëhet gjithmonë e më e rëndësishme që mediat me raportimet e tyre të investiguara mirë të mos mjaftohen vetëm me detyrimin e raportimit të tyre si kronist. Ato duhet edhe të nxisin ndërgjegjësim për atë se si zgjidhen konfliktet.“

Drejtori i Përgjithshëm i DW, Erik Bettermann thotë se kemi kaluar nga epoka e mediave për masat në një masivitet mediash
Drejtori i Përgjithshëm i DW, Erik Bettermann thotë se kemi kaluar nga epoka e mediave për masat në një masivitet mediashFotografi: d

Deutsche Welle vetëkuptohet si zëri gjerman për të drejtat e njeriut.

Pikërsisht në situata konfliktesh të drejtat e njeriut merren shpeshherë nëpër këmbë. Günther Nooke, i ngarkuari i qeverisë federale për të drejtat e njeriut në hapje të "Global Media Forum" vuri theksin në rolin e mediave të reja në zbulimin e shkeljes së drejtave të njeriut:

„Liria e mendimit dhe e shtypit vështirë se mund të ndahen më nga njëra- tjetra. Gazetarët profesionistë dhe mediat nuk i përcaktojnë më sot të vetëm buletinet e lajmeve. Janë më shumë vetë shikuesit dhe përdoruesit e mediave, të cilët shkëmbejnë informacione me njëri- tjetrin me anë të rrjeteve sociale mediatike duke dhënë kështu kontribut thelbësor në informimin publik. Numri i informuesve potencialë rritet në mënyrë të dukshme. Ai nuk mund të kontrollohet me aparate policore sado të mëdhenj qofshin”.

Një aspekt tjetër të teknologjive të reja të informacionit nënvizoi Soon-Hoong Choi, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Informacíonet e vërteta në kohën e duhur janë esenciale edhe për punën e organizatave të mëdha si OKB-ja – janë në interes të njerëzve:

„Nëse bëhet fjalë për katastrofa natyrore si cunami në Tailandë, ose për domosdoshmëri aktuale, për të mbështetur refugjatë në Sri Lankë, ose për të evakuuar njerëz në Kongo nga rreziku i shpërthimit të një vullkani: në situata të tilla informacioni në kohën e duhur shpëton jetë njerëzish.“

Me fjalën e Howard Rheingold-it, mentorit te Internetit u mbyll sesioni i hapjes së Global Media Forum. Profesori nga Stanfordi trajtoi në mënyrë të veçantë idenë e veprimtarisë së përbashkët, të aksioneve të përbashkëta mbi bazën e komunikimit. Aty qëndron sipas mendimit të Rheingold thelbi i qënies njerëzore:

„Historia e civilizimit njerëzor është në thelb historia e bashkevoluimit të teknikave të cilat ne i zhvillojmë, të mjeteve të komunikimit, të cilat ne i krijojmë me këto teknika dhe të mënyrës se si ne bëjmë gjëra së bashku. Unë mendoj se ka arsye për të pranuar se ne jemi njerëz, sepse ne komunikojmë për të organizuar së bashku aktivitetet tona.“

Mediat e reja duke filluar që me SMS që dërgohen me anë të telefonëve celularë deri tek rrjetet sociale si Facebook ose Twitter luajnë një rol të rëndësishëm.

„Veprimet kolektive janë shtuar shumë me mundësinë për të dërguar mesazhe me anë të telefonit.“

Rheingold-i e ilustroi këtë tezë ndërmjet të tjerash me shembullin e rrëzimit nga pushteti të presidentit filipinas Joseph Estrada në fillim të vitit 2001. Demonstruesit u organizuan me anë të SMS-ve me shpejtësi dhe përmasa të papara deri më sot. Peris Warimu nga Kenia duhet të ketë dëgjuar me vëmendje.

Autor: Mathias von Hein/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi