1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferencë ndërrajonale për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

18 Tetor 2011

Në Shkup zhvilloi punimet konferenca rajonale në temë “Sfidat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

https://p.dw.com/p/12tSR
Ndërtesa e përfaqësisë së BE-së në Shkup.
Fotografi: Petr Stojanovski

Vendet e Ballkanit perëndimor kanë kapacitet, kuadro dhe angazhim serioz për të vazhduar me reformat për të arritur vlerat, që kërkohen nga BE-ja. Rruga e reformave do të jetë më e lehtë nëse ka bashkëpunim të mirëfilltë midis vendeve të rajonit sepse të gjithë kanë një qëllim për t'u anëtarësuar në BE. Raporti i Komisionit Evropian do të jetë udhërrëfyes për punën, që duhet bërë në të ardhmen, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

“Secili vend i këtij rajoni ballafaqohet me sfida, kjo është e zakonshme dhe e nevojshme, sfidat janë aty për t'i tejkaluar, ato i mobilizojnë angazhimet tona që vendet e rajonit të bëhen anëtare të familjes evropiane”, është shprehur Gruevski.

Çështjet e eurointegrimeve janë çështje të ndjeshme, të sofistikuara që kërkojnë shumë punë dhe shumë reforma, u shpreh Teuta Arifi, zëvenëskryeministre për euro-integrimet. Diskutimi i përbashkët i problemeve është në favor të të gjitha vendeve të rajonit që aspirojnë anëtarësimin në BE.

Teuta Arifi, zëvendëskryeministre e Maqedonisë për euro-integrimet.
Teuta Arifi, zëvendëskryeministre e Maqedonisë për euro-integrimet.Fotografi: DW

“Edhe njëherë dëshmohet konstruktiviteti i shqiptarëve në rajon dhe orientimi shqiptar sa i përket proceseve eurointegruese. Shpresoj që në të ardhmen gjithsesi që shqiptarët do të vazhdojnë të tregojnë angazhimin e tyre korrekt ndaj integrimeve euroatlantike”, u shpreh Teuta Arifi.

Ministrja e Shqipërisë për Integrimin, Majlinda Bregu, raportin e Komisionit Evropian e ka vlerësuar realist, ajo tha se Shqipëria duhet të zhbllokojë dialogun politik meqë ai ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit.

Vlora Qitaku, ministrja e Eurointegrimeve për Kosovën
Vlora Qitaku, ministrja e Eurointegrimeve për KosovënFotografi: DW

“Besoj që kjo mazhorancë sikurse ka bërë deri më tani do të vazhdojë të këtë të njëjtin qëndrim duke përsëritur të njëjtën ftesë për opozitën sepse bllokimi i vendit nga opozita është një përgjegjësi e madhe para gjithë shqiptarëve”, deklaroi ministrja Bregu.

Vlora Qitaku, ministrja e Eurointegrimeve për Kosovën, thotë se takimet e përbashkëta të vendeve të rajonit mundësojnë anashkalimin e problemeve drejt integrimeve evropiane.

Ministrja e Shqipërisë për Integrimin, Majlinda Bregu.
Ministrja e Shqipërisë për Integrimin, Majlinda Bregu.Fotografi: Mimoza Dhima

“Ne si shtete, shoqëri, kemi për obligim që të konsolidojmë pikat dhe referencat tona të përbashkëta. Elementi i përhershëm i integrimit evropian është dialogu, BE është ndërtuar mbi premisat e dialogut dhe bashkëpunimi rajonal është parakusht për procesin e eurointegrimeve,”- vlerëson Qitaku.

Përfaqësuesit e BE-së thanë se impulsi i reformave duhet të mbahet dhe nuk duhet të humbasë. Humbja e tij mund të paraqesë kërcënim të madh për procesin në tërësi.

Autor: Fatos Musliu / Shkup

Redaktoi: E. Xhani