1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca e sigurisë në Mynih- Bota në ndryshim

Anila Shuka9 Shkurt 2008

Fjalën hapëse dje e mbajti presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Tadiç kërkoi negociata të reja dhe serioze për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

https://p.dw.com/p/D4tV
Protesta para godinës së konferencësFotografi: AP
Të premten (8 shkurt) filloi me një darkë solemne Konferenca e 44 e Sigurisë në Mynih, e cila ka vazhduar sot me fjalimin e kryeministrit turk, Erdogan, i cili këmbënguli për anëtarësim dhe jo partneritet të priviligjuar të Turqisë në BE. Dje presidenti i Serbisë, Boris Tadiç vuri në dukje dy parimet kryesore të politikës serbe: kursi proevropian dhe ruajtja e integritetit territorial. Tadiç kërkoi negociata të reja dhe serioze për zgjidhjen e statusit të Kosovës. "Tani ka ardhur koha për negociata serioze," tha presidenti serb. "Në se ato nuk ndodhin në javët e ardhshme, kam frikë se të trija palët do të paguajnë një çmim tepër të lartë". Me "të trija palët" Tadiç kishte parasysh Beogradin, Prishtinën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Tadiç tha gjithashtu se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga ana e Kosovës, mund të vinte në rrezik stabilitetin e gjithë Evropë. Presidenti serb në fjalën e tij mes të tjerash premtoi solemnisht se së shpejti Serbia do t'i plotësojë kushtet e vëna nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Por ai tërhoqi vëmendjen, se pavarësia e Kosovës mund të jetë një kondicionalitet i ri ndaj Serbisë.

Boris Tadiç e mbajti fjalimin gjatë darkës solemne të Konferencës së 44 të Sigurisë në Mynih. Ky është takimi më i rëndësishëm jo zyrtar që trajton çështje të sigurisë globale. Këtë vit në të marrin pjesë afro 350 qeveritarë dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe ministri amerikan i mbrojtjes, Robert Gates, si dhe ministri gjerman i punëve të jashtme Frank Valter Shtajnmajer. Shqipëria përfaqësohet me dy ministra, atë të mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe atë të jashtëm Lulzim Basha.