1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

231011 Abschlussbericht Linken-Parteitag

24 Tetor 2011

Socializmi në vend të kapitalizmit, shtetëzimi i bankave, shpërbërja e NATO-s, jo më misione të ushtrisë gjermane jashtë vendit. Me këto kërkesa partia "E Majta" synon të përballojë krizën që e ka prekur atë prej muajsh.

https://p.dw.com/p/12xNb
Kongresi në ErfurtFotografi: picture alliance/dpa

Si bazë e luftës për drejtësi sociale duhet të shërbejë programi i vendosur në kongresin e partisë, që i përfundoi punimet të dielën (23.10.2011) në Erfurt. Ky është kongresi i parë i saj që pas bashkimit të dy pararadhëseve "Alternativa Zgjedhore për Punë dhe drejtësi Sociale" dhe partisë së "Socializmit Demokratik" në partinë "E Majta" (Die Linke)

Partia E Majta donte të shkruante histori në kongresin e saj në Erfurt. Në një kuptim, ashtu siç pritej, ajo ia doli, që me miratimin e programit të partisë ky kongres të hyjë në historinë e saj si i pari. Ndonëse ky program duhet të konfirmohet edhe nga vendimi i anëtarëve të partisë, miratimi konsiderohet si i sigurtë. Por megjithatë shumica nuk pritet të jetë kaq e qartë sa ajo e arritur në radhët e 500 delegatëve të kongresit. Programi, i përpiluar herë herë edhe me debate të ashpra qysh nga viti 2007, u miratua me 97% të votave të delegatëve.

Oskar Lafontaine Klaus Ernst, Gregor Gysi Bundesparteitag der Partei Die Linke in Erfurt 2011
Oskar Lafontaine, Klaus Ernst, dhe Gregor Gysi, drejtues të partisëFotografi: dapd

Përçarje brenda partisë dhe humbje elektorati

Gati 1400 propozime për ndryshime dëshmojnë për mungesën e unanimitetit të të majtëve. Gesine Lötzsch dhe Klaus Ernst, të cilët që nga viti 2010 kryesojnë partinë, përpiqen ta paraqesin përçarjen si shprehje të kulturës dinamike të debatit në parti. Por kjo është një ndërhyrje artifiacile retorike për t'iu shmangur klimës së turbullt dhe rënies së popullaritetit të partisë. Pas kuotës me 11,9 përqind në zgjedhjet e fundit parlamentare në rang federate të vitit 2009, partia E Majta nuk ia ka arritur që, ta shndërrojë në suksese të metejshme këtë përkrahje të favorshme nga elektorati. Në zgjedhjet parlamentare të landeve sivjet, ajo s'ka mundur t'i realizojë objektivat e veta kryesore.

Në Lindje të Gjermanisë, ku tradicionalisht të majtët janë të fortë, ata pjesërisht kanë dalë fare nga parlamenti, madje në Berlin ata dolën fare nga koalicioni qeverisës. Në kryeqytet E Majta qeveriste bashkë me socialdemokratët. Pavarësisht nga ashpërsimi i krizës së borxheve kësaj partie po i largohen gjithnjë e më shumë zgjedhës. Me një kurs strikt kundër kapitalizmit, duke ndjekur objektivat e lëvizjes punëtore të Shekullit të 19-të, kryetari i partisë Klaus Ernst beson, se do të mund ta ndryshojë këtë tendencë: "Ne e konsiderojmë veten si ata, që përpara 150 vjetësh u ngritën për t'i dhënë fund shfrytëzimit të njeriut nga njeriu. Ne jemi këtu si pasardhësit e një radhe të pafund grash e burrash, të cilët kanë rrezikuar gjithçka në këtë luftë për një jetë më të mirë dhe për një botë më të drejtë: ata kanë rrezikuar ekszitencën e tyre, lirinë e tyre dhe shumë shpesh edhe jetën e tyre."

Bundesparteitag der Linken in Erfurt
Gregor Gysi, kryetar i grupit parlamentarFotografi: picture alliance/dpa

Apele për unanimitet dhe drejtësi sociale

Programi i të majtëve është si "kushtrimi i luftës kundër raporteve ekzistuese dhe atyre që sundojnë", tha Ernst. Protestat mbarëbotërore kundër sistemeve financiare ai i sheh si konfirmim të politikës së majtë. Të majtët e konsiderojnë veten si "pjesë e kësaj lëvizjeje". Aq sa e bashkuar është partia në këtë pikë, po aq e përçarë vazhdon të jetë ajo lidhur me çështjen e pjesëmarrjes në qeverisje. Kryetari i grupit parlamentar në Bundestag, Gregor Gysi, e konsideron të domosdoshme vullnetin për të qenë në pushtet. Partia socialdemokrate, si një kandidate e mundshme për koalicione qeverisësë në lande apo në nivel federate, nuk është armike, vetëm se kjo parti duhet të bëhet më socialdemokrate, mendon Gysi. Në fjalimin e tij në kongresin e partisë në Erfurt, ai disa herë iu referua ish-kryetarit të socialdmeokratëve Willy Brandt, e veçanërisht politikës së tij të paqes: "Për veprimtarinë e tij për paqen ai u vlerësua me Çmimin Nobel të Paqes. E kjo sepse ai mëse qartë ishte angazhuar për shmangien e dhunës në mbarë botën. Në fjalimin e tij më të rëndësishëm gjatë marrjes së Çmimit Nobel ai ka thënë: 'Lufta është ultima Irratio.' Ndërsa partia socialdemokrate ka vendosur, që ta konsiderojë luftën si ultima Ratio. Ndaj Willy Brandt nuk u përket më atyre. Këtej e tutje ai na përket ne. E për këtë unë jam krenar."

Misionet luftarake të Bundesverit (ushtria gjermane) parimisht të majtët i refuzojnë në programin e tyre. NATO duhet të shpërbëhet, kjo është kërkesa e qartë e tyre. Ndërhyrjet humanitare duhet të jenë të mundura nën drejtimin e OKB-së.

Comeback i ish-kryetarit Lafontaine?

Për të shmangur luftërat të majtët bëjnë thirrje që të ndalohen eksportet e armatimeve. Me armët gjermane mbështeten regjimet diktatoriale dhe autoritare si në Arabinë Saudite. Paqen dhe drejtësinë kjo parti i konsideron të mundshme, nëse mposhtet rendi ekonomik kapitalist. Kështu mendon kryesisht kryetarja e partisë Gesine Lötzsch, teksa tërheq vëmendjen, që me këtë program të ri partia po shkruan historinë: "E Majta është partia, e cila ka një program, që parimisht trajton problemin e kapitalizmit. Kjo parti do të formësojë një shoqëri, në të cilën të mos qeverisë paraja, por populli. Sa më direkt të bëhet kjo, aq më mirë është. Programi ynë i Erfurtit do ta ndryshojë këtë vend, për këtë jam mjaft e sigurtë."

E paqartë mbetet nga ana tjetër, se çfarë roli do të luajë në të ardhmen ish-kryetari i partisë dhe i grupit parlamentar të saj Oskar Lafontaine. Në fillim të vitit 2010 ai u tërhoq për arsye shëndetësore. Paraqitja e tij në Erfurt të le të nënkuposh, se ai planifikon një comeback për zgjedhjet parlamentare të itit 2013. Radhët e partisë duhen bashkuar fort, apeloi Lafontaine. Partia duhet të përqëndrohet më shumë ndaj kundërshtarit politik dhe më pak tek paqartësitë brenda vetes, theksoi ai.

Me një apel të zjarrtë Lafontaine preku nervin e të deleguarve në Erfurt. Nëse dëshira e tij për më shumë harmoni në radhët e të majtëve do të realizohet, kjo është e pasigurtë. Në të kaluarën armëpushimi brenda fraksioneve të ndryshme të partisë ka zgjatur vetëm pak ditë.

Autor: Marcel Fürstenau /Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi