1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kongresi kishtar: Qielli mbi Berlin"

Astrid Prange De Oliveira
24 Maj 2017

Përrallë vere gjermane dhe festival protestant Woodstock: të mërkurën në mbrëmje nis në Berlin kongresi evangjelik Deutscher Evangelischer Kirchentag. Kuadri: përvjetorit i Reformacionit.

https://p.dw.com/p/2dX68
Përgatitje për Kongresin Kishtar
Përgatitje për Kongresin KishtarFotografi: picture alliance/dpa/S. Kembowski

Mysafiri më i famshëm midis 140.000 pjesëmarrësve që priten është ish-Presidenti i SHBA, Barak Obama. Kur të flasë të hënën në mëngjes me Kancelaren gjermane dhe bijën e famullitarit Angela Merkel para Portës së Brandenburgut për përgjegjësinë, mesazhi është i qartë: demokracia ka nevojë për besim te Zoti, për muzikë kishtare Gospel dhe për politikanë, që janë në gjendje të predikojnë, si Obama.

Është një takim i superlativave: 2500 aktivitete, 30.000 bashkëpunëtorë dhe mysafirë nga e gjithë bota kremtojnë 500 vjet Reformacion dhe kulturë debati protestane. Krahas yjeve të politikës si Merkeli dhe Obama, në Berlin dhe në Wittenberg predikojnë, falen, luten dhe debatojnë personalitete të shquara kishtare, filantropë dhe yje të muzikës pop.

Në personalitetet më të njohura bëjnë pjesë ipeshkvi i Kapstadtit, Thabo Makgoba, Sheikh Ahmad al-Tayyeb, Imami i xhamisë Al-Azhar në Kairo, filantropja Melinda Gates, i dërguari i OKB-së, Staffan de Mistura dhe shkrimtari izraelit, Amos Oz.

Made in Germany: Kongresi kishtar

Kongresi evangjelik, i cili zhvillohet çdo dy vjet që prej vitit 1949, është njëkohësisht i hapur ndaj botës sa dhe tipik gjerman. Ai është themeluar nga politikani i Prusisë Lindore Reinold von Thadden-Trieglaff (1891-1976), i cili në kohën e nazizmit bëri rezistencë si pjesëtar i Bekennende Kirche (Kisha Besimtare) dhe i cili ishte deri në vitin 1964 President i Kongresit Kishtar.

"Me përjashtim të Kishës Besimtare, kisha evangjeliste në pjesën më të madhe të saj nuk luajti ndonjë rol të lavdishëm në nacionalsocializëm", thotë zëdhënësja e Kongresit kishtar, Sirkka Jendis. "Prandaj amatorë të angazhuar thanë se duhet të krijojmë një forum, për të kontribuar që një gjë e tillë të mos ndodhë dot më kurrë."

Prej "javës evangjelike"të vitit 1949 në Hanover u zhvillua një lëvizje protestante amatore, që duke u distancuar në mënyrë të ndërgjegjshme nga kisha zyrtare, organizoi rregullisht kongrese kishtare. "Gjerësia tematike dhe rëndësia publike është unikale", thotë zëdhënësja Jendis. Përballë forumeve të shumta rreth temës së arratisë, migrimit, luftës, tolerancës dhe integrimit, për të është e qartë: "Ky kongres kishtar mund të bëhet politik".

"Realizëm kishtar"

Mendimtarë protestantë dhe teologë arritën që kongresit kishtar t'i japin famë ndërkombëtare. Shkak për vizitën e Obamas në Kongresin kishtar nuk është vetëm jubileu i reformacionit përreth Martin Lutherit.

Ish-Presidenti i SHBA ndihet i lidhur me protestantizmin edhe përmes shkrimeve të teologut gjermano-amerikan Reinhold Niebuhr. "Realizmi kishtar" i Niebuhrit, i cili e mat drejtësinë me respektimin e së mirës së përgjithshme dhe që e refuzon mendjemadhësinë nacionale, u bë për Obaman linjë orientuese gjatë presidencës së tij.

Edhe politikanë aktualë do të flasin në Kongresin e sivjetëm kishtar: Ministri i Financave, Wolfgang Schäuble pyet se çfarë e mban të bashkuar Evropën. Kandidati socialdemokrat për kancelar, Martin Schulz diskuton për besueshmërinë dhe Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier është bashkëorganizator i Meshës solemne fetare në Wittenberg.