1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konsolidohet bashkëpunimi - Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi në Berlin

14 Prill 2010

Së bashku me homologun e tij gjerman Thomas de Maiziere, Rexhepi nënshkroi dy marrëveshje bilaterale që prekin luftimin e migracionit të paligjshëm, fushën e krimit dhe sigurisë.

https://p.dw.com/p/Mw5M
Rexhepi dhe de MaiziereFotografi: picture-alliance/dpa

As një javë pas zgjedhjes së tij në postin e ministrit të brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, iu përvesh menjëherë punës në arenën ndërkombëtare. Vizita e tij e parë jashtë shtetit ishte në Gjermani.

Bajram Rexhepi edhe pse i ri në detyrën e re, e njeh parketin ndërkombëtar, që nga koha e tij si kryeministër i parë i dalë nga zgjedhjet e lira të Kosovës së pasluftës. Një përvojë që do ta përmendte edhe ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Thomas de Maiziere, në fjalët e mirëseardhjes, para se dy burrështetasit të nënshkruanin dy marrëveshjet e para ndërmjet dy shteteve. Njëra prej tyre është ajo e riatdhesimit, e cila e bën tashmë të obligueshme praktikën e punës të deritanishme për riatdhesimin e gjithë refugjatëve.

Rücknahmeabkommen mit Kosovo
Nënshkrimi i marrëveshjeveFotografi: picture-alliance/dpa

 Pas nënshkrimit ministri gjerman i Punëve të Brendshme, de Maiziere shpjegoi hapat si do të bëhet riatdhesimi i refugjatëve. "Ne premtojmë se do ta bëjmë këtë me hapa të matura, në grupe të vogla në mënyrë që ata të kenë mundësi të integrohen në Kosovë dhe ky do të shoqërohet edhe me ndihma sociale, si për zonën që do të pranojë të riatdhesuarit, ashtu edhe për vetë të prekurit. Kjo marrëveshje është gjithashtu një hap i mëtejshëm për qasjen e gradualshme kah çështja e vizave."

Çfarë parashikon marrëveshja e riatdhesimit?

Marrëveshja e riatdhesimit parashikon që Republika e Kosovës të marrë përsipër të pranojë kosovarët që nuk kanë status të rregullt në Gjermani. Këtu hyjnë: shtetasit e Kosovës, shtetas jo kosovarë që janë rritur në Kosovë, ose që kanë emigruar në Kosovë dhe që nuk kanë leje qendrimi në Gjermani. Bëhet fjalë për gjithsej 14.900 persona dhe sigurisht që kjo është një detyrë e madhe si për Gjermaninë ashtu edhe për Kosovën.

Marrëveshja e dytë e nënshkruar mes ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi dhe homologut gjerman, Thomas de Maiziere ka të bëjë me bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Sipas ministrit gjerman: "Kosova është pikë e itinerarit të kontrabandës së drogës nga Afganistani dhe vende të tjera të lindjes në drejtim të perëndimit. Aty ka krim të organizuar dhe format të tjera të krimit. Ne jemi shumë mirënjohës që edhe përmes një nëpunësi ndërlidhës të BKA-së dhe nëpërmjet këmbimit të informacioneve për procedurat hetimore, që mundëson kjo marrëveshje, do të jemi në gjendje t'i luftojmë këto fenomene." De Meiziere lavdëroi gjithashtu përpjekjet e qeverisë së re të Kosovës në luftimin e krimit.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi nga ana tij vuri në dukje arritjen dhe sfidën që i del përpara Kosovës mbas nënshkrimit të marrëveshjeve. Ai e sheh si një detyrë të qeverisë së Kosoëvs integrimin e personave pa dokumenta në Gjermani: "Natyrisht që për këta persona që nuk e kanë të rregulluar statusin e azilit, apo për arsye të ndryshme nuk mund të pajisen me dokumentacion, është obligimi ynë që t'i pranojmë dhe të bëjmë integrimin e tyre."

Rexhepi theksoi se një hap i tillë është edhe një prej parakushteve për liberalizmin e vizave. Sipas tij, Kosova pret ndihmë nga Gjermania, në procesin e liberalizimit të vizave si një vendet më të fuqishme të BE-së.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi